Analiza

Koronavirusi, pse njerëzit kanë nevojë të vazhdojnë të jenë pranë Zotit

Nga Mattia Ferraresi

“The New York Times”

Romë- Ku e karantinon veten Zoti gjatë një epidemie? Sigurisht, jo në një kishë. Të paktën jo në një kishë në veriun e Italisë, qendra e shpërthimit më të madh të epidemisë së koronavirusit në një vend perëndimor deri më tani.

Meshat dhe shërbimet e tjera fetare, përfshirë funeralet, janë pezulluar për javë me radhë, në përputhje me vendimet e qeverisë qëndrore, për të frenuar përhapjen e virusit. Të dielën, në të njëjtën ditë që qeveria deklaroi se veriu i vendit po futej i gjithi nën karantinë, të gjitha shërbimet fetare në mbarë Italinë, përfshirë ato në xhami dhe sinagoga, u anuluan të paktën më datën 3 prill.

Ndërkohë të hënën, kufizimet e udhëtimit u shtrinë në të gjithë vendin. Pezullimet kanë sjellë disa rezultate të çuditshme:Deri fundjavën e shkuar, Katedralja e Milanos ishte e hapur për turistët, por jo për besimtarët. Edhe mesha e përjavshme u ndalua, ndonëse ajo tërheq zakonisht turma më të vogla, sesa një bar i zakonshëm italian mbrëmjeve të vona.

Edhe shërbimet fetare në Venecia janë anuluar, përfshirë festimet në Bazilikën e Shën Mërisë së Shëndetit, kryeveprën e stilit barok që u ndërtua për të shënuar fundin e epidemisë së Murtajës, e cila shfarosi një pjesë të mirë të popullsisë së qytetit gjatë viteve 1630-1631.

Besimtarëve u është rekomanduar ta shohin meshën e të dielës në televizionet lokale ose në internet, edhe pse ndryshimi midis të dyjave është si të ulesh pranë një zjarri, dhe të mendosh për një përmes një fotoje, sikurse u shpreh Kryepeshkopi i Milanos, pasi kremtoi meshën e të dielës në një katedrale bosh.

Masa të ngjashme janë marrë në Japoni, Korenë e Jugut dhe Iran, ku disa miliona besimtarë janë privuar nga komoditeti ekzistencial për të marrë pjesë në ceremoni fetare, në një moment

të pasigurisë dhe konfuzionit të madh. Në një hap të paprecedentë, Arabia Saudite pezulloi pelegrinazhet në vendet e shenjta të Islamit.

Kisha e Lindjes së Krishtit në Betlehem, u mbyll pasi edhe atje u konfirmua një rast me koronavirus. Shumë besimtarë të tjerë, do të përballen me kufizime të ngjashme me përhapjen

e mëtejshme të virusit. Në Shtetet e Bashkuara, besimtarëve të një kishe në Uashington, iu kërkua të vetë-izolohen pasi një prift që mbajti së fundmi një meshë për ta, rezultoi pozitiv

me koronavirusin.

Askush nuk duhet të kundërshtojë nevojën për të kufizuar rreptësisht tubimet rituale, dhe për të respektuar rregulloret e sigurisë publike, sidomos pasi shërbimet fetare në Kishën Shinçeonji, u bënë qendra e infeksionit me koronavirus në Korenë e Jugut.

Uji i shenjtë nuk është një dezinfektues duarsh, dhe lutja nuk është vaksinë në vetvete. Vendimet politike, që synojnë të garantojnë sigurinë publike, duhet të bazohen vetëm në prova shkencore. Por për besimtarët, feja është një burim themelor i shërimit shpirtëror dhe i shpresës.

Ajo është një ilaç kundër dëshpërimit, që ofron mbështetje psikologjike dhe emocionale, e cila është një pjesë përbërëse e mirëqenies. Por feja është edhe një antidot ndaj vetmisë, të cilën disa ekspertë e cilësojnë si një nga problemet më shqetësuese të shëndetit publik të epokës sonë. Ndëkohë në një nivel më të thellë, feja është për besimtarët burimi i fundit i kuptimit të kësaj jete.

Pretendimi më i thellë i çdo feje, është të kuptojë gjithë thelbin e ekzistencës, përfshirë ndoshta edhe rrethanat e karakterizuara nga vuajtjet dhe privimet. Ai merret aq shumë seriozisht, sa që edhe shëndeti fizik, kur nuk ka një qëllim më të madh, nis që të duket si një vlerë jo aq e madhe.

Historia e besimeve fetare, është plot me besimtarë që kanë rrezikuan jetën e tyre, për të mbrojtur lirinë e tyre të besimit kundër çdo lloj autoriteti. Kur perandori romak Diokleciani, i ndaloi të krishterët të mblidheshin për të adhuruar Zotin, disa prej tyre u kapën duke kremtuar meshën në qytetin Abitinae, në Tunizinë e sotme.

Ata u torturuan, dhe më pas u vranë. Kur u pyetën së përse e shkelën urdhrin e perandorit, njëri prej tyre u përgjigj:”Ne nuk mund të jetojmë sot pa Ditën e Zotit”. Pra për ata të krishterë, Eukaristia e së Dielës nuk ishte një urdhëresë, por një domosdoshmëri e brendshme, tha Papa Benedikti XVI gjatë një meshe në vitin 2007. “Pa atë që e ruan jetën tonë, vetë jeta është e zbrazët”- shtoi ai.

Sot kërcënimi vjen nga një virus, që nuk bën asnjë dallim midis besimtarëve dhe ateistëve. Por tensioni themelor midis fesë dhe autoriteteve laike, është ende aty. Në Itali, një vend tradicional katolik, ku vetëm rreth 20 përqind e popullsisë merrn pjesë në meshën e përjavshme, kishat po trajtohen si ofruese të shërbimeve jothelbësore, ashtu si kinematë apo sallat e koncerteve.

Kjo gjë ka ngjallur reagime të mëdha në mesin e disa katolikëve, të cilët i shohin meshat si veçanërisht thelbësore, në një kohë kur një kërcënim i padukshëm dhe i përhapur godet jo vetëm trupat, por edhe shpirtrat e njerëzve, duke përhapur panik, dhe duke e gërryer besimin shoqëror. Cili është ndryshimi midis një grushti njerëzish që mblidhen në një kishë, duke qëndruar në një distancë të sigurtë nga njëri-tjetri, dhe grupeve që takohen në restorante, bare apo udhëtojnë në metro? Pyetja është praktike, por lë të kuptohet se po rishfaqet një tension themelor midis lirisë fetare dhe emergjencës mjekësore.

Hierarkia e Kishës Katolike, është konformuar me lehtësi me vendimet e qeverisë italiane. Shumë e gatshme sipas disave. “Ndërprerja e adhurimit publik në vendet e kultit, është mirëpritur nga Kisha Italiane me një lloj dembelizmi burokratik”- shkroi historiani i kishës Alberto Meloni në gazetën “La Repubblica”.

Konferenca Episkopale e Italisë, ndërmori një gjest të dobët proteste – në një deklaratë u ankua për një dekret “jashtëzakonisht kufizues” – por nuk shkoi më tej. Disa analistë, janë ankuar se autoritetet fetare nuk u përpoqën – ose nuk u përpoqën aq sa duhet – të arrinin një kompromis që do të lejonte vijimin e meshave, ndoshta duke respektuar rregulloret e sigurisë mjekësore, duke reduktuar numrin e pjesëmarrësve, apo shkurtuar kohëzgjatjen e meshave, përmes reduktimit në elementët e tyre më thelbësorë.

Kritikët e këtij vendimi, vunë në dukje se meshat në Itali, nuk u pezulluan as gjatë bombardimeve në Luftën e Dytë Botërore. Tensioni midis shëndetit fizik dhe rehatisë shpirtërore, është në një farë mënyre i papajtueshëm. Ai gjeneron një dilemë, në të cilën veprimi për të mbrojtur një vlerë të padiskutueshme, prodhon në mënyrë të pashmangshme një lloj urie të brendshme shpirtërore.

Pavarësisht kësaj, ka diçka të trishtueshme se si kësaj here tensioni mezi është trajtuar si diçka e vërtetë. Kur nuk përmbushen nevojat fetare të njerëzve besimtarë, ata kanë prirjen të kërkojnë mënyra të tjera për t’i përmbushur ato.

Për disa katolikë në veri të Italisë, kjo nënkupton mbledhjen nëpër mesha klandestine në shtëpitë e priftërinjve dhe në ambjente të tjera private, potencialisht më të vogla, dhe më të mbipopulluara me njerëz se sa në një kishë. Besimtarët nga provincat më veriore, kalonin deri kohët e fundit kufirin me Zvicrën për të shkuar në meshën e të dielës, përpara se qeveria të kufizonte më shumë udhëtimet.

Në një fshat të vogël afër Pavias, në jug-perëndim të Milanos, një prift 88-vjeçar u denoncua në polici, pasi mbajti meshën e së dielës në kishën lokale. Në të merrnin pjesë 8 besimtarë.

Leave a Reply

Back to top button