Analiza

“Korrekt” vetëm me Gjuriçin!

Nga Mero Baze

Policia e Kosovës arrestoi dhe më pas dëboi nga Kosova shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Spektakli ishte i plotë dhe falë zotit, askush nuk u lëndua, përveç sedrës së Gjuriçit. Ka po ashtu plot entuziasëm mes qytetarëve shqiptarë, të cilët mezi presin të ndjehen si shtetas të një vendi të pavarur nga Serbia, me gjeste të tilla.

Por në raste të tilla, gjithmonë duhet të ketë një balancë mes aftësisë reale të Kosovës për të qenë ligjzbatuese ndaj tekave të serbëve, dhe spektakleve të tilla.

Kosova, edhe pse po mbush dy dekada që është shkëputur nga Serbia, ka ende shumë probleme reale me Veriun e saj, ku praktikisht Serbia sundon në atë territor. Ajo ka probleme reale me mosbindjen e serbëve për të respektuar shtetin e Kosovës dhe përpjekjet e vazhdueshme për një lloj autonomie të komunave serbe në Kosovë.

Serbia nuk njeh kufirin me Kosovën në gjithë territorin e saj dhe bisedimet kanë hyrë në një spirale qesharake për mbulim targash dhe pengesë udhëtimi nga brenda Kosovës përmes Serbisë, për në Europë.

Kosova nuk ka mundur t’i tejkalojë dot këto probleme për gati 20 vjet dhe ka hyrë në një proces bisedimesh me Serbinë, për të zgjidhur nën një kuadër europian mosmarrëveshjet mes tyre.

Siç e thekson dhe deklarata e Bashkimit Europian për rastin në fjalë, marrëveshja duhet respektuar në “frymë dhe në letër”, çka nënkupton se të dy palët duhet të jenë gati të mbajnë gjallë frymën e marrëveshjes dhe detyrimet mes tyre.

Kjo që ndodhi sot është një veprim formalisht korrekt i Policisë së Kosovës dhe shtetit të Kosovës, por është selektiv përballë dhjetra shkeljeve poshtëruese që i janë bërë dhe i bëhet autoritetit të shtetit të Kosovës nga Serbia dhe serbët aty.

Për këtë shkak, dhe ekstradimi i Gjuriçit është dispropocional me tolerimet e tjera që i bëjnë autoritetit të shtetësisë së Kosovës, pala serbe. U bë shumë mirë që ndodhi, por dyshimet janë se pas kësaj, qeveria e Kosovës do të bëjë lëshime të reja me shkrim ndaj serbëve “për të kompensuar” këtë spektakël.

Dhe kjo nuk është një politikë perëndimore, por ballkanike, ku secila palë kërkon të gënjejë njerëzit e vet për të shitur si trimëri pazaret jo publike.

Marrëveshjet mes dy vendeve, dhe sidomos marrëveshjet e Kosovës me fqinjët, padyshim që do të jenë të dhimbshme. Ato janë më të rëndësishme se çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, pasi janë akte që formalizojnë shtetin e Kosovës. Si të tilla, ato nuk mund të bëhen nën emocione “patriotike” dhe fishekzjarre rambosh, por me qetësi dhe dinjitet, duke argumentuar dhe lëshimet që u bëhen palëve. Përpjekja për të paraqitur çdo marrëveshje si fitore është një sëmundje ballkanike, që nuk shpëton dot as serbët dhe as shqiptarët, por në fakt çdo marrëveshje është tolerim dhe lëshim që bëjnë palët, dhe ashtu duhet respektuar. E tillë ishte marrëveshja për kufirin me Malin e Zi dhe ashtu duhet të trajtohej. Përkundër kësaj, ajo u trajtua ose si heroizëm, ose si tradhti. Në fakt, është një akt që vendos kufijtë e një shteti të ri në Ballkan dhe vetëm në këtë pikë është historik. Historia nuk qëndron tek livadhet e Çakorrit, por tek vendimi për të vendosur kufirin zyrtar me Malin e Zi, të njohur nga bota. Të dhimbshme do të jenë dhe marrëveshjet me Serbinë, sidomos ajo për “asosacionin serb të Kosovës”,  por duhen shpjeguar ashtu siç janë, duke na kursyer heroizma me ekstardime nëpunësish serbë që vijnë në Kosovë një here në vit, dhe pastaj pazare për cuba lokalë që sillen si serbë përditë. / TemA

Leave a Reply

Back to top button