Kur Konstantini I vendosi që të ngrinte Kostandinopojën në vendin e Bizantit të dikurshëm, Roma kishte kohë që nuk ishte më kryeqyteti i perandorisë. Që nga fundi i shekullit III, në fakt, organizmi i vjetër perandorak, i krijuar nga Oktavian Augusti, kishte katër kryeqytete apo qendra, një për secilën zonë administrative në të cilat qe ndarë territori…
Në zgjedhjen e Konstantinit për t’i dhënë perandorisë një kryeqytet të ri luajtën ndoshta rol edhe arsye fetare. Konvertimi i Konstantinit në kristianizëm është prej kohëve të lashta një argument në qendër të debateve të ndezur historikë. Sipas shumë shkrimtarëve të krishterë të epokës, mes të cilëve Eusebio i Cesareas, perandori u konvertua në fenë e re kur po afrohej beteja e Ponte Milvios, atëherë kur iu shfaq në qiell një kryq shumë i madh me mbishkrimin: “Me këtë simbol do të fitosh”…
Në të njëjtën kohë, në Hipodromin e qytetit, ai urdhëroi që të ngrihej një kolonë pas të cilës u ngrit statuja që e shfaqte atë si Perëndia Diell: një prej hyjnive më të adhuruara në Perandorinë e Poshtme, një simbol laik, i simbiozës mes pushtetit imperial dhe paganizmit. Konstantini e dinte fare mirë që mes problemeve të shumtë që kishin pllakosur perandorinë, një prej më delikatëve ishte ai i bashkëjetesës mes paganëve dhe të krishterëve. Integrimi i këtyre të dytëve në rangjet e shtetit, me një formulë që rezultonte e tolerueshme nga paganët, i dukej i domosdoshëm, nëse donte që perandoria të ruante unitetin dhe forcën e saj. Dhe pikërisht për këtë arsye, në qytetin që vetë e krijoi, ai donte që të ekzistonin simbole të të dy feve. Në këtë mënyrë ai shpresonte që t’i hapte rrugë një bashkëekzistence paqësore mes komponentit politeist dhe atij monoteist…
[real3dflipbook id=”472″]