Analiza

KOUACHI / Fundi i rrugëtimit, me plumba dhe gjak

Pjesa e fundit e reportazhit të Der Spiegel. Pas sulmeve, imami Benzhetu “lan duart” me vellezerit Kuashi: Une nuk i nxita per Xhihad!

FundiHerën e fundit që Xhasmina* e pa shoqen e saj Hajat Bumedine, ishte në tetor të vitit të shkuar. Bumedine e kishte ftuar atë, për një darkë në apartamentin e babait të saj, në një lagje të zymtë në juglindje të Parisit, për të festuar kthimin nga pelegrinazhi në Mekë me Kulibalinë. “Hajat qeshi shumë atë natë dhe fliste me entuziazëm për udhëtimin e saj”- kujton Xhasmina.


Pjesa e pare: Terrori qe erdhi nga periferia


Ajo kishte sjellë me vete dhurata për të gjithë mysafirët dhe shërbeu kuskus, tortë dhe çaj. Ishin rreth 15 të ftuar në atë festë. “Hayat ishte si përherë- thotë më tej Xhasmina- e gëzuar, një njeri i lumtur që e donte jetën”. Xhasmina e ka njohur Bumedinen që kur ishte 7 vjeç, dhe të dyja kanë ndjekur së bashku shkollën fillore. Hajat, kishte humbur nënën e saj në moshë të vogël, dhe u rrit nga familje kujdestare të ndryshme.
Rruga e Xhasminës, ishte tërësisht e ndryshme. Ajo mbaroi universitetin dhe pavarësisht emrit të saj arab dhe fëmijërisë së kaluar në periferi, tanimë ka një punë zyre të paguar mirë. Kur Xhasmina, pa në rrugë fotot ku mikesha e saj ishte shpallur në kërkim, u trondit thellë.
“Unë nuk mund ta besoja dot, se ajo ishte e përfshirë në një ngjarje të tillë. Unë vetëm mund të hamendësoj, se ishte bashkëshorti që e tërhoqi atë në këtë mesele”. Një njohje e ndërsjellë kishte përballur Bumedinen dhe Kulibalinë në vitin 2007. Ata udhëtuan nëpër botë, në Kretë, Republikën Domenikane dhe Malajzi. Fotot e bëra në ditët, kur ata ishin rishtas të dashuruar, tregojnë Bumedinen të veshur me bikini, deri tek një përqafim i ngushtë me Kulibali në plazh.
Kur Bumedine, filloi të mbajë shami në kokë në vitin 2009, vit kur çifti u martua, ajo humbi punën e saj në një furrë buke. Më vonë ajo filloi të mbajë një vello të plotë. Por Xhasmina thotë se ajo nuk kishte menduar kurrë se shoqja e saj, ishte një fondamentaliste. “Ajo ishte shumë e trishtuar, kur Amedi përfundoi në burg”-thotë Xhasmina. Me sa duket besimi e ndihmoi Bumedinen të mbijetojë.


Pjesa e dyte: Terroristët e parkut dhe dilemat e Sherif Kuashisë


Në mars të vitit 2014, Kulibali dhe Bumedine u vendosën në një apartament në Fontenay-aux-Roses, një komunë periferike në jug të Parisit, ku ata jetonin në një apartament të subvencionuar nga shteti në rrugën “Max Dormoy”. Fqinjët që patën atje, dëshmojnë tani se çifti ishte miqësor por i revervuar.
Punonjës social Amar Heni, thotë se ai e takoi Kulibalinë në një kafene, vetëm një javë para sulmit dhe se Amedi i kishte thënë se ishte duke kërkuar një punë. Vetëm disa orë para sulmit mbi “Charlie Hebdo”, një atlet u qëllua në një park pranë shtëpisë së Kulibalisë. Policia e lidhi këtë ngjarje me një pistoletë, që Koulibali e përdori më vonë gjatë sulmit në supermarketin hebre tek ”Porte des Vicennes”.
Xhamina, nuk mundet të shpjegojë së përse shoqja e saj iku për në Turqi dhe prej andej në Siri, e shoqëruar nga Medi Sabri Belhusine, një burrë vëllai i të cilit thuhet se ka lidhje me militantët afganë. Ajo megjithatë, nuk përjashton mundësinë që Bumedine të kishte dijeni mbi komplotin terrorist, që kishte ndërmend të kryente Kulibali, pasi të dy ishin jashtëzakonisht të afërt me njëri-tjetrin.
“Ai duhet t’i ketë folur asaj në lidhje me aktin. Ndoshta ajo u përpoq t’ia kthejë mendjen, dhe e la kur e kuptoi se Amedi nuk do të ndryshonte qëndrim”- thekson Xhasmina. Por agjencia franceze e lajmeve AFP, ka raportuar që Kulibali, Bumedine dhe 4 persona të tjerë, duke përfshirë vëllezërit Belhusine, kishin udhëtuar disa ditë para sulmit për në Madrid të Spanjës. Prej atje, Bumedine dhe shoku i saj i udhëtimit, morën avionin dhe shkuan në Stamboll.
Pas sulmit në supermarket, u zbulua një video ku Kulibali merr përgjegjësinë e plotë, për vrasjen e oficeres femër të policisë si dhe për vetë sulmin, që shkaktoi 4 viktima të pafajshme. Gjatë fjalimit në video, ai shpreh besnikërinë e tij ndaj grupit terrorist të Shtetit Islamik. Por në një fjalim të mëvonshëm, një udhëheqës i lartë i Shtetit Islamik ndërsa përshëndeti aktin e Kulibalisë, nuk morri asnjë përgjegjësi për të. Kulibali tha se e kishte “koordinuar” sulmin e tij me vëllezërit Kuashi. Nëse në ato moment ai kishte kontakte me krerët e Shtetin Islamik, kjo nuk është ende e qartë.


Pjesa e trete: “KUASHI” / Radikalizimi në burg dhe përgatitja e sulmeve


Të “humburit” në Croix-Rouge
Në “Croix-Rouge“ (Kryqi i Kuq), një lagje në qytetin verilindor francez të Reimsit, ndërtesat gjigante të apartamenteve marrin shpeshherë ngjyrën gri nën qiellin e janarit. Shumë prej godinave, janë krejtësisht të shkatërruara, por ajo në të cilin familja Kuashi jetonte, u rinovua kohët e fundit. Mesa duket, Said Kuashi kishte jetuar atje me gruan dhe dy fëmijët e tyre të vegjël, për rreth një vit e gjysmë, në apartamentin C në katin e dytë. Një fletë kompensatë e kaftë, është gozhduar në derën e përparme, që policia e rrëzoi përtokë kur mbërriti për kontroll pak kohë pas sulmit.
Ka shumë godina apartamentesh në të gjithë rrugën. Një derë e ngjyrosur lehtë në një nënkalim, përmes një prej ndërtesave, të çon në një dhomë lutjesh, ku rreth 30 besimtarë ishin mbledhur pasditen e së shtunës. “Po, këtu ai ka qenë shumë herë”- thotë një burrë i vjetër, duke iu referuar Kuashisë. “Ai erdhi, u lut dhe u largua përsëri”- shton ai.
Imam i zonës quhet Abdyl Hamid Al-Kalifa, 57 vjeç. Edhe ai gjithashtu nuk ishte në gjendje që të bëhej i afërt me Saidin dhe e vetmja gjë që di rreth këtij të fundit është se Saidi kishte shkuar në një dyqan aty pranë, ku prentendoi se kishte shitur ndër të tjera edhe disa kopje të Kuranit. Gjithësesi për të Saidi, mbetet i panjohuri më i madh nga të 3 burrat, që kryen aktet terroriste në Paris.
Imami dënon sulmet terroriste. “Feja jonë nuk e fal dhunën Me kryerjen e këtij akti, ata kërcënuan sigurinë në këtë vend, duke përfshirë edhe sigurinë tonë”- thotë ai. Kalifa shton se kushtet e jetesës në këtë zonë janë të tejet të vështira. “Unë njoh shumë djem të rinj, që thjesht nuk duan të punojnë. Dikur kam punuar si inxhinier në Siri, por këtu unë punoj në një treg në mëngjes dhe në dyqanin tim pasdite”- vijon më tej ai.
Kalifa thotë se të rinjtë duhet të bëjnë më shumë përpjekje për t’ia dale në jetë. “Në vend të kësaj, ata sorollaten më kot dhe nuk vijnë as në lutjet e së premtes. Ata janë të humbur. Dhe kjo i bën ata të lehtësisht të manipulueshëm”- shprehet imami.
Dështakët e “Croix-Rouge”, të rinjë që Kalifa kishte parasysh, mblidhen në një kafene me mure të ndritshme në të gjelbër, e ndarë në dy dhoma të mëdha. Kafeja shërbehet në një dhomë, dhe jo rrallë burrat pengohen me nxënësit e dhomës tjetër. Shumë prej tyre janë shumë të rinj, dhe ata kanë lënë me modele të ndryshme mjekrat e tyre. “Jo më Siri, jo më në luftë”- bërtet njëri prej tyre, duke ngritur grushtin e tij. Të tjerët psherëtijnë .
Këta të rinj, kanë sajuar teoritë e tyre të konspiracionit. “Vëllezërit Kuashi ishin të vdekur, që para se të kryenin sulmet”- thonë ata. Fakti që njëri prej tyre e la kartën e identitetit në makinë, para se të largohej pas sulmi ishte “një harengë e kuqe, e lënë aty qëllimisht”. Një burrë i gjatë, me mjekër thotë:”Unë jam i kënaqur që njerëzit që punonin tek ‘Charlie’ kanë vdekur”.
Infermieri i spitalit
Policia ka nisur hetimet kundër 70 personave, të cilët e përshëndetën sulmin në rrjetet sociale. Një prej tyre është komediani anti-semit Diedone, një hero i të rinjve të periferisë, që pak ditë pas sulmeve shkroi:Unë jam Sharli Kulibali.
Megjithatë, është për t’u habitur, që njëri nga ata që i dënoi fuqishëm sulmet ishte pikërisht Farid Benzhetu, imami radikal që indoktrinoi vëllezërit Kuashi.
Ai fillimisht tha për të përditshmen franzece “Le Figaro” se “absolutisht nuk e miratonte” atë që kishte ndodhur. Gazeta raportoi se gjatë intervistes, imami kishte nxjerrë nga xhepi një distinktiv ku shkruhej “Je suis Charlie” (Unë jam Sharli).
Benzhetu u dënua me 6 vite burg në vitin 2008 për “lidhje kriminale me një organizatë terroriste”. Kur u lirua në vitin 2011, ai filloi një program trajnimi për infermier në spitalin e “Salpêtrière Pitie” në Paris, pas të cilës ai arriti që të punojë si praktikant në dhomën e urgjencës. Ironikisht, ishte i njëjti spital, ku u trajtuan disa nga të plagosurit nga sulmet e Parisit.
Sapo lajmi mori dhenë, spitali e hoqi urgjentisht nga puna Benzhetunë. Në ditët që pasuan, ai nuk do të gjendej në banesën, që ndante me nënën e tij në një ndërtesë të lartë në distriktin 19. Kur “Spiegel” arriti më në fund të kapte në telefon Benzhetunë pasditen e së enjtes, ky tha se nuk ishte i gatshëm të takohej me gazetarët, pasi ishte duke studiuar për një provim.
Gjithësesi edhe një herë, ai u distancua nga Kuashi, duke thënë:“Këto veprime janë kriminale dhe barbare. Islami i dënon sulmet”. Benzhetu thotë se roli i tij në rrjetin xhihadist të distriktit 19, është ekzagjeruar shumë. “Në fakt- thotë ai-  unë isha kundër xhihadit edhe në atë kohë”. “Kur nxënësi erdhën tek unë dikur, dhe më pyeten nëse duhej të shkonin në Irak, unë u tha atyre: Jo!”- pretendon ai.
“Madje Xhihadi nuk ishte as edhe temë e mësimeve të mia”- shton Benzhetu. Megjithatë kjo bie në kundërshtim me çdo gjë që Sherif Kuashi dhe nxënësit e tjerë i thanë policisë në atë kohë. Por Benzhetu ndërkohë e pranon se Sherif Kuashi kohët e fundit, e kishte vizituar atë disa herë për të biseduar. “Kuashi- thotë ai- ishte ‘shumë i kufizuar’, kur ai hyri në besim, dhe ai deshte të fliste vetëm për luftime”.
Benzhetu, tashmë 33-vjeç, thuajse ka përfunduar trajnimin e tij, por ai nuk ka shumë shanse për të siguruar një vend pune në spitalin “Salpêtrière Pitie”. Për shkak të së kaluarës kriminale, atij i është ndaluar punësimi në shërbimin publik. Por përse atëhere ai e përfundoi trajnimin për infermier? A mos ndodhta për të shërbyer në Siri?
Kjo është ajo, për të cilën disa dyshojnë, duke përfshirë edhe gjykatësin Bryger, i cili drejtoi dikur hetimet kundër Benzhetusë:”Nuk ekziston diçka e tillë si de-radikalizimi”. Kur u pyet se çfarë ka ndërmend të bëjë me trajnimin e tij, Benzhetu tha se nuk është i sigurtë për këtë.
Emrat e vërtetë të disa personazheve janë të njohur për redaktorët e “Spiegel”. Ata janë ndryshuar përgjatë reportazhit, për të mbrojtur identitetin e burimeve.
FUND (DER SPIEGEL)
Pergatiti: A.G./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button