Analiza

Krimea nuk është Kosova

UNDavid L. Phillips

Rusia është duke e përmendur “precedentin Kosovë”, si justifikim për veprimet e saj në Krime. Ky është një argument i pavërtetë. Ka dallime themelorë, ligjorë dhe politikë mes procesit të sanksionuar ndërkombëtarisht, i cili e pati kulmin me pavarësinë e Kosovës, dhe grabitjes së territorit që Rusia po bën në Krime. Pavarësia e Kosovës është e bazuar në ligjin ndërkombëtar; aneksimi i Krimesë nga Rusia, jo!

Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974 e përcaktonte Kosovën si një provincë autonome, me të njëjtat të drejta si republikat e Jugosllavisë, të drejta që përfshinin edhe atë të ndarjes. Kosovarët e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për t’u shkëputur, me një referendum në vitin 1992. Shqiptarët etnikë përbënin afro 95 përqind të popullsisë. Pothuajse të gjithë ata që kishin të drejtë të votonin, e hodhën votën e tyre në favor të pavarësisë.

Sllobodan Miloshevici ndërhyri brutalisht dhe shpalli një gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë. Përmes masakrave kundër supermazhorancës së shqiptarëve etnikë, Serbia humbi legjitimitetin dhe autoritetin moral për të qeverisur.

Si rezultat, NATO ndërhyrë për të ndalur masakrat kundër shqiptarëve në vitin 1999. Pasi forcat serbe u tërhoqën, Këshilli i Sigurimit i OKB miratoi rezolutën 1244, e cila vendoste një administratë të përkohshme të OKB në Kosovë. Ajo kërkonte gjithashtu një plebishit për të përcaktuar statusin e ardhshëm politik të Kosovës, në përputhje me vullnetin e popullit të saj.

Ndërkohë që Rezoluta nr. 1244 e Këshillit të Sigurimit pohonte “sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë”, kjo e fundit ishte reduktuar vetëm në Serbinë dhe Malin e Zi. Dhe kur malazezët votuan për t’u shkëputur, duke lënë vetëm Serbinë, Republika Federale e Jugosllavisë pushoi së ekzistuari dhe, bashkë me të, edhe detyrimet ligjorë të Kosovës.

Mes miratimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit, nr. 1244 dhe shpalljes së pavarësisë nga Kosova në 17 shkurt 2008, Kosova punoi për nëntë vite me radhë për të përmbushur kriteret ndërkombëtarë që nevojiteshin për njohjen e saj. Ajo kaloi nëpër provën e përcaktuar prej politikës së OKB, “standartet para statusit”.

Komuniteti Ndërkombëtar krijoi një grup kontakti, që përfshinte Rusinë. Pas dy vitesh ndërmjetësimi ndërkombëtar, I Dërguari Special i OKB për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi raportin përfundimtar tek Sekretari i Përgjithshëm, duke rekomanduar pavarësinë për Kosovën.

Që kur Kosova shpalli pavarësinë, 110 shtete e kanë njohur si shtet sovran dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Më shumë shtete do ta kishin njohur, por të mos kish qenë për “diplomacinë me dorë të rëndë” të Rusisë. Procesi i njohjes në nivel ndërkombëtar vazhdon.

Përpjekja e Rusisë për të hequr paralele mes Kosovës dhe Krimesë, është një hile. Situata e Kosovës ishte unike (sui generis).

Jugosllavia u shpërbë, duke e cliruar Kosovën nga pretendimet ligjorë të Beogradit. Ukraina është njohur nga komuniteti ndërkombëtar brenda kufijve që ka sot, duke përfshirë Krimenë, pasi Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari në vitin 1991.

Madhësia dhe shkalla e abuzimeve me të drejtat e njeriut kundër shqiptarëve në Kosovë ishte skandaloze. Në Krime, nuk ka abuzime me të drejtat e njeriut.

Popullsia e Krimesë është ë shumëllojshme, duke përfshirë rusë etnikë, ukrainas dhe tatarë. Kur ndërhyri NATO, në Kosovë më shumë se 95 % e popullsisë ishin shqiptarë etnikë.

Udhëheqësit politikë të Kosovës miratuan një paketë të zgjeruar të drejtash të pakicave për serbët etnikë dhe premtuan autonomi për komunat ku jetonin serbë të Kosovës. Parlamenti rajonal i Krimesë nuk ofron garanci të tilla. Tatarët kanë frikë, jo të pajustifikuar, se mos ndodhin dëbime dhe spastrim etnik, duke patur parasysh historinë e tyre të persekutimit nga Rusia.

Pavarësia e Kosovës erdhi pas një procesi të gjatë ndërmjetësimi ndërkombëtar, nën drejtimin e OKB, e cila vendosi kritere striktë. Aneksimi i Krimesë po nxitet nga një fuqi e huaj – Rusia.

NATO, një aleancë shumëpalëshe, ndërhyri me qëllim që kosovarët të realizonin ëndrrën e tyre të pavarësisë. Forca Speciale të maskuara nga Rusia janë duke krijuar kushtet për aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Një Grup Kontakti ndërkombëtar facilitoi rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Nuk ka mbështetje ndërkombëtare për referendumin e Krimesë, apo aneksimin e saj nga Rusia. Për të zgjidhur krizën e Krimesë, Moska ka refuzuar krijimin e një grupi kontakti të përbërë nga Rusia, Ukraina, Britania, Franca dhe SHBA.

Kosova e mirëpriti angazhimin e OKB. Banditët e mbështetur nga Rusia në Krime kanë kërcënuar fizikisht të dërguarin special të OKB, si dhe kanë dëbuar një delegacion të udhëhequr nga Komisioneri i Lartë i OSCE për Pakicat Kombëtare.

Procesi me anë të të cilit Kosova arriti pavarësinë ishte një afirmim i rendit ndërkombëtar. Ajo që po bën Rusia në Krime është një shkelje e normave ndërkombëtare. Karta e OKB parashikon “marrëdhënie paqësore fqinjësie” mes shteteve.

Rusia do të bënte mirë të braktiste politikën e saj provokuese ndaj Ukrainës. Mund të arrijë objektivat afatshkurtër, por rrezikon që të shndërrohet në një shtet të përbuzur dhe mospërfillur në skenën ndërkombëtare. (The Huffington Post)

  • Phillips është Drejtor i Programit për Paqebërjen dhe të Drejtat në Institutin për Studime mbi të Drejtat e Njeriut, në Columbia University. Ai ka qenë këshilltar për marrëdhëniet me jashtë në administratën Clinton, Bush dhe Obama.

Linku i artikullit origjinal:

http://www.huffingtonpost.com/david-l-phillips/crimea-is-not-kosovo_b_4936365.html

Leave a Reply

Back to top button