Teksa fluksi i emigrantëve vazhdon, shumë njerëz kanë filluar të pyesin veten nëse Gjermania do të jetë realisht në gjendje, për të përballuar të gjithë të ardhurit. Vetë sistemi është tanimë tërësisht i tronditur
“Der Spiegel”
Imazhet ishin thuajse surreale. Kishte njerëz, që sapo kishin përfunduar një udhëtim tejet të vështirë, ishin të dërrmuar, por të lumtur. Dhe atje ishte turma, e rreshtuar në të dyja anët, brohorisnin dhe duartrokisnin, sikur të ishin ata vetë që e kishin kryer atë kalvar. Skena të tilla, janë raportuar në të gjithë Gjermaninë ditët e fundit.
Por çfarë do të ndodhë, nëse fluksi i refugjatëve nuk bie? Çfarë do të mbetet, kur euforia fillestare,
do t’i lërë vendin jetës së përditshme? Si do të reagojnë gjermanët, kur imazhet festive të kësaj jave, të zëvendësohen me realitetin e strehimit të dhjetëra mijëra të porsaardhurve?
Kancelarja e ka marrë tashmë vendimin e saj:më shumë ndihmë, çka do të thotë gjithashtu edhe më shumë refugjatë. Ky është një pozicion që do të jetë vështirë të mbështetet për një kohë të gjatë, për shkak të ndryshimit të humorit publik, dhe është një qasje që do të gjykohet në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017.
Ajo ka humbur tashmë një aleat të ngushtë:Horst Seehofer, kreun e Unionit Kristian Social (CSU), partia simotër bavareze në Unionin Kristian-Demokrat të Merkelit (CDU). Seehofer, i cili është edhe guvernatori i Bavarisë, e ka ftuar kryeministrin nacionalist hungarez të vijës së ashpër, Viktor Orban, në konferencën e ardhshme të grupit parlamentar të partisë së tij.
Seehofer, thotë se kjo ftesë i jep CSU-së një mundësi për të “gjetur një zgjidhje së bashku me Orban”, por kjo përbën edhe një fyerje të qartë ndaj kancelares. Seehofer thotë se Merkel gaboi, kur vendosi të anashkalojë rregullat ekzistuese të azilit të BE-së, duke inkurajuar refugjatët në Hungari që të vazhdojnë rrugën për të hyrë në Gjermani. “Ky është një gabim, pasojat e të cilit do të na shoqërojnë për një kohë të gjatë. Unë nuk shoh ndonjë mënyrë, sesi situata mund të rivihet sërish nën kontroll”-shprehet Seehofer.
Fluksi i pakoordinuar dhe mungesë kapacitetesh
Ndërkohë, Hannelore Kraft, guvernatorja socialdemokrate Vestfalisë së Rinit Verior, landi më i populluar i Gjermanisë, e bëri të qartë që në fillim të kësaj jave, se numri i refugjatëve që priten këtë vit ka të ngjarë të rritet përtej shifrës prej 800 mijë emigrantësh, që parashikoi në gusht qeveria federale. Ajo gjithashtu bëri të qartë se përpjekja e nevojshme, për të menaxhuar fluksin e refugjatëve, do të jetë shumë më e madhe se sa mendohej më parë.
Gjatë një konferencë të të gjitha ministrive të brendshme të landeve ditën e enjte, 7 prej tyre raportuan se nuk kishin kapacitetin e duhur për të përballuar këtë krizë. Bavaria u ankua për “linjat e pakontrolluara nga hynin emigrantët”, në një kohë që Shlezvig-Holshtajni për “fluksin e pakoordinuar në qendrat e pritjes”.
Në fakt edhe kërkesa e parë – ajo për të gjetur strehim – është dëshmuar si një sfidë e madhe. Shumë qyteteve po u mbarojnë objektet që kanë në dispozicion, dhe që mund të transformohen në një kohë të shkurtër në qendra mikëpritjeje për azilantët. Edhe strehimoret e ndërtuara në kontejnerë, një ide që shumë kanë kërkuar ta aplikojnë, po mbarojnë. Dhe nëse ato mund të blihen, çmimet janë të larta dhe lista e pritjes është disa muaj e gjatë. Deri atëherë do të ketë pllakosur dimri i gjatë, duke i bërë të pamjaftueshme çadrat, ku shumë refugjatë janë strehuar aktualisht.
Në mënyrë aspak të çuditshme, burokracia gjermane po e rëndon sfidën. “Në disa raste, ka patur bllokime me arsyetime groteske”- ankohet Olaf Kühn, kryetar i bashkisë së qytetit të vogël Hesse e Seeheim-Jugenheim. Ai tregon rastin, kur parmaku i një shkalle, ishte vetëm disa centimetra më i ulët. Një herë tjetër, ishte vetëm pak më e lartë sesa lejohet.
Por pengesa më e zakonshme, vjen nga rregulloret e mbrojtjes nga zjarri. Ky ishte edhe një problem për 3 apartamente, i që përkasin organizatës bamirëse protestante “Diakonie” në qytetin e Mühltal pranë Darmstadt. Apartamentet më herët u ishin ofruar për strehim të paaftëve, por rregullat e mbrojtjes nga zjarri janë më të rrepta për apartamente e strehumit të refugjatëve – deklaroi kryetari i Bashkisë së Mühltal ,Astrid Mannes, teksa ishte shokuar kur mësoi për këto kufizime.
Megjithatë, disa gjëra ka të ngjarë të ndryshojnë për mirë. Si pjesë e “fleksibilitetit të ri gjerman”, Merkel bëri thirrje kohët e fundit për një “ligj përshpejtuar”, që do jetë në axhendën e samitit e shtetit federal mbi refugjatat të planifikuar për në 24 shtator. Në disa takime përgatitore, është arritur tashmë marrëveshja, për ndërtimin e sa më shumë qendrave për refugjatët në zonat industrial, dhe se kufizimet e rregulloreve mundet “modestisht të kapërcehen”.
Megjithatë, problemiështë se Zyra Federale për Emigracionin dhe Refugjatët (BAMF), ka qenë e ngarkuar me trajtimin e shpejtë të emigrantëve nga Ballkani, duke bërë që plani i ri i qeverisë, të jetë në një masë të madhe i pavlefshëm. Zyrtarët shtetërorë dhe federalë, e akuzojnë agjensinë e drejtuar nga Manfred Shmid, se ka zvarritur për vite me rradhë zgjidhjen e dhjetëra mijëra raste azilantësh. Ka patur 150 mijë raste të pazgjidhura tetorin e kaluar. Deri në prill të këtij viti, numri u rit në 200 mijë, dhe tashmë totali është më shumë se një çerek milionë njerëz.
Një luftë e re e Ftohtë
Të mërkurën, Danimarka mbylli përkohësisht linjën hekurrudhore me Gjermaninë, për të parandaluar azilkërkuesit të udhëtojnë nëpërmjet saj, në rrugën e tyre drejt Suedisë. Sinjali politik ishte i qartë:Edhe nëse Gjermania e ka zbutur gjendjen e refugjatëve në Hungari, Danimarka nuk do të bëjë të njëjtën gjë.
Sipas një dokumenti të brendshëm të Komisionit Evropian, që nga fillimi i muajit korrik, Brukseli pret një shtesë prej 2 milionë sirianësh, që largohen nga shtëpitë e tyre deri në fund të këtij viti.
Diplomatët grekë, druhen se më shumë se 100 mijë refugjatë po planifikojnë të shkojnë në Greqi nga Turqia në javët e ardhshme. Vetëm në ishullin grek të Lesbosit ndodhen 18 mijë refugjatë, që shpresojnë dëshpërimisht se së shpejti do të jenë në gjendje të vazhdojnë udhëtimin e tyre. Ata janë duke fjetur në parqe dhe në rrugë – dhe nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë dhe pirë.
Shumica e tyre shpresojnë të shkojnë në Gjermani. Kjo është arsyeja, pse Berlini shpreson të miratohet një kuotë, që urdhëron shpërndarjen e refugjatëve në mesin e të gjitha shteteve të BE-së. Shumë vende po vazhdojnë ta refuzojnë këtë plan, pavarësisht fjalimit emocional të Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker të mërkurën në Parlamentin Evropian, në të cilën ai akuzoi disa shtete anëtare, se janë shumë egoiste përballë kësaj krize.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm në Bruksel – i përbërë nga ambasadorët e secilit shtet anëtar – është thellësisht i përçarë. Në njërën anë, ndodhen vendet në favor të një kuote, si Gjermania, Franca dhe Austria. Kampi tjetër përbëhet kryesisht nga vendet e Europës Lindore si Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Polonia. Lindja vs Perëndimit:Një diplomat perëndimor, madje iu referua kësaj gjendjeje, si një “Lufte e Ftohtë”.
Një shans për integrimin e emigrantëve
Junker dhe kryeministri i Luksemburgut, Ksavier Betel, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e radhës së Këshillit Evropian, do të donin të arrihej një vendim mbi kuotën që të hënën, gjatë takimit të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë të vendeve të unionit. Ka një arsye për këtë nxitim. Udhëheqësit e BE-së në përgjithësi i marrin vendimet e tyre në mënyrë unanime, por brenda rrethit të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, ata që kërkojnë të bllokojnë një propozim, mund të jenë munden në votim. Por nëse kjo nuk funksionon?
Atëherë të dyja shpresat do të humbin në të njëjtën kohë – ideja se barra e Gjermanisë mund të ndahet, dhe se refugjatët kanë një shans real integrimi në vend. Duke ofruar shpejt një çati për kokat e njerëzve, jo domosdoshmërisht mund të fitosh zemrat e tyre. Integrimi i suksesshëm, varet nga ajo që ndodh në një periudhë afatgjatë në shkolla, tregun e punës dhe nëpërmjet përpjekjeve të punonjësve socialë.
Në të gjitha këto aspekte, numri i refugjatëve s’mund të lejohet të rritet aq shumë, saqë vrulli integrues të shembet – kur është fjala, për shembull, për të ndihmuar normalizimin e jetës së një të mituri, që ka qenë i traumatizuar kur ka nisur udhëtimin e tij për në Evropë. Një ligj që lidhet me këtë aspekt dhe urgjentisht i nevojshëm, do të hyjë në fuqi në 1 janar, dhe do të bëjë të mundur shpërndarjen e emigrantëve të rinj në mesin e të gjitha landeve gjermane.
Ky grup, gjithashtu, është rritur aq shumë saqë qytetet e mëdha si Berlini dhe Mynihu, nuk janë më në gjendje për t’u kujdesur për të gjithë. Në vitin 2014, zyra gjermane çështjen e të Rinjve, ishte përgjegjës për një total prej 10.400 fëmijësh, të cilët u larguan nga vendi i tyre pa një kujdestar.
Por këtë vit, vetëm në Mynih janë regjistruar 6000 fëmijë dhe të rinj, shumica prej të cilëve vijnë nga Afganistani, Eritrea dhe Somalia. Landet gjermane, janë zotuar për të siguruar kujdes për këta fëmijë, bazuar në standardet e politikës sociale për të rinjtë. Por ky është një premtim i madh, që tashmë është duke u thyer në mijëra raste.
Marrë me shkurtime
Bota.al