Analiza

Kriza e krizave tona

Screen Shot 2015-09-08 at 22.00.18

Nga Jeremy Adelman, Anne-Laure Delatte

PRINCETON – Në pamje të parë, krizat e mëdha ndërkombëtare të sotme, duket se kanë shumë pak gjëra të përbashkëta. Disa prej tyre, si drama e borxhit grek, janë katastrofa ekonomike; të tjera, si shpërthimi i Sirisë, karakterizohen prej brutalitetit dhe kaosit politik; dhe të tjerat, sidomos situata e vështirë në të cilën gjendet Ukraina, janë diku në mes. Por pavarësisht asaj që mund të duan të besojnë politikëbërësit, këto ngjarje nuk janë të palidhura mes tyre. Përkundrazi, ato reflektojnë një krizë më të thellë të integrimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjatë 60 viteve të fundit, bota përjetoi një paqe dhe begati të paprecedentë, për një arsye të thjeshtë: shtetet u integruan vullnetarisht në një komunitet ndërkombëtar, të ngritur mbi rregulla dhe norma të përbashkëta. Por kjo tendencë, i ka lënë tashmë vendin e saj një reagimi të fragmentuar ndaj krizave, qoftë rreptësi fiskale, qoftë kontroll dëmi i lokalizuar, reagime që bazohen mbi supozimin e paarsyeshëm se probleme si ata në Greqi, Siri dhe Ukrainë, me kalimin e kohës do të zgjidhen vetë.

Duke u mbështetur në masa të përkohshme për të adresuar krizat, udhëheqësit globalë duket se kanë harruar se sa e ndërvarur është bërë bota. Trazirat, apo stanjacioni në njërën pjesë të një sistemi kompleks, mund të kenë pasoja të mëdha tjetërkund, për shembull në formën e një krize refugjatës, apo një rritjeje të pabarazisë.

Për shembull, sëmundja e Europës – e cila ka vazhduar pjesërisht për shkak se udhëheqësit e saj kanë këmbëngulur në një qasje “të bëjmë si të bëjmë”, në vend që të gjejnë zgjidhje gjithëpërfshirëse – ka pasur pasoja serioze për Ukrainën, një vend që ka rrezikuar shpërbërjen. Deri në fund të këtij viti, ekonomia e Ukrainës pritet të jetë 15% më e vogël se sa ishte në vitin 2013, dhe raporti i borxhit ndaj GDP mund të arrijë në 200%, duke kaluar edhe atë të Greqisë, në momentin e vet më të keq. Dhe situata e sigurisë në pjesën lindore të vendit po përkeqësohet.

Kredidhënësit nuk mund të priten që të jenë më bujarë me Ukrainën, nga sa kanë qenë me Greqinë, një vend anëtar i Eurozonës. Por një qëndrim i ashpër ndaj Ukrainës, ndërkohë që kjo është në luftë me Rusinë, mund të rrezikojë amortizatorin strategjik të Europës, nga Balltiku në Ballkan.

Ekonomisti Albert O. Hirschman ka thënë dikur se një krizë mund të jetë ose çintegruese, ose integruese. Individët dhe organizatat, përballë situatave të vështira, dhe me mungesë besimi ndaj politikëbërësve, mundet që ose “të dalin” nga institucionet dhe shoqëritë që i detyrojnë, ose të mbledhin forcat për t’i rigjallëruar ato.

Fatkeqësisht, krizat e sotme deri tani kanë qenë kryesisht çintegruese. Mendoni largimin e kapitalit, që detyroi Greqinë të vendosë kontrolle. Sigurisht, mekanizmat e daljes si largimi i kapitalit mund të kenë një impakt pozitiv. Në shekullin 18, largimi i kapitalit mbante nën kontroll sundimtarët “grabitqarë”. Adam Smithi e shihte ngjitjen e kapitalit të lëvizshëm, si një forcë që do të inkurajonte politika publike të iluminuara, që i shërbejnë interesit të përgjithshëm.

Por në botën e sotme të ndërlidhur, kapitali mund të lëvizë shumë më shpejt dhe në shumë më tepër destinacione, duke përshkuar kufijtë me klikimin e një mausi në kompjuter. Po kështu, industria financiare globale është kryesisht autonome, e shtyrë prej interesit vetiak, dhe jo nga një dëshirë për të çuar përpara të mirën e përbashkët.

Siç e kemi parë në Europë që nga viti 2010, ashtu sikurse dhe në Ukrainë dhe Porto Riko më së fundmi, aftësia për të nxituar drejt daljes në çdo kohë, eleminon stimulin e investitorëve për të bërë kompromis. Teksa politikëbërësit mundohen shumë për të krijuar një konsensus përreth një agjende reformash, shanset për rigjallërimin e pakteve dhe politikave në themel të integrimit dhe bashkëpunimit, vetëm sa përkeqësohen.

Por rendi botëror nuk është aspak e thënë të shkojë drejt kaosit. Kriza e sotme e integrimit ndërkombëtar, mund të shndërrohet në katalizatorin për krijimin e një sistemi të ri dhe të rigjallëruar global.

Kjo ka ndodhur edhe më parë. Në të vërtetë, rendi botëror aktual doli prej krizave të Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore, me shtetet që ndërtonin paktet socialë dhe institucionet ekonomikë, të cilët do të ishin në themel të paqes dhe begatisë së dekadave që do të vinin.

Për të garantuar që një krizë të prodhojë një reagim të tillë konstruktiv dhe integrues, politikëbërësit duhet të ndryshojnë mentalitet. Në vend që të shohin vetëm probleme të cilët duhen frenuar, ata duhet ti shohin krizat si një mundësi për progres.

Sot, disa politika të rëndësishme integruese janë të arritshme. Në frontin ekonomik, politikëbërësit duhet të ndalojnë së hedhuri para publike në paketa shpëtimi, prej të cilave përfitojnë kredidhënësit privatë, në dëm të taksapaguesve, dhe duhet t’i japin fund programeve të kursimit që dëmtojnë perspektivën e rritjes ekonomike, dhe nuk e zgjidhin problemin e borxhit. Ata duhet gjithashtu të reformojnë sistemet e taksimit dhe të përmirësojnë bashkëpunimin për të reduktuar evazionin fiskal, duke i përdorur të ardhurat shtesë për të investuar në infrastrukturë fizike dhe arsim. Masa të tilla do të krijojnë vende pune sot dhe do të sigurojnë begatinë për nesër.

Nevojiten edhe masa politike. Europa ka nevojë për një kuadër më demokratik, që i mban financierët në tryezën e negociatave. Po kështu, me mundësinë e pranimit të Ukrainës në NATO tashmë paarritshme, Perëndimi duhet të ndërmarrë hapa për të zbutur tensionet me Rusinë, me qëllim që të sigurojë vazhdimësinë e pjesëmarrjes së saj në përpjekjet për të përballuar rreziqet kryesorë.

Nëse vazhdohet si deri sot, mund të shkohet drejt vetëm një rezultati: çintegrimit. Vetëm kur udhëheqësit botërorë të njohin burimin e përbashkët dhe ndërlidhjen e krizave aktuale ndërkombëtare, atëherë do të jenë në pozicionin për t’i përballuar në mënyrën e duhur.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Crisis of Our Crises

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button