Analiza

Kriza e naftës, komplot SHBA-Arabi Saudite kundër Rusisë?

Anthony Zurcher

Cmimet e ulur të naftës që reflektohen në uljen e çmimeve në pikat e karburantit ka qenë një lehtësim i madh për konsumatorët perëndimorë. Por a janë ata gjithashtu një armë e fuqishme e SHBA kundër Rusisë dhe Iranit?

oil

Ky është konkluzioni i nxjerrë nga editorialisti i New York Times, Thomas L. Friedman, i cili thotë se SHBA dhe Arabia Saudite, aksidentalisht apo qëllimisht, mund të jenë duke shtyrë Rusinë dhe Iranin në prag të kolapsit ekonomik.
Pavarësisht trazirave në shumë prej vendeve naftëprodhues të botës – Libia, Iraku, Nigeria dhe Siria – çmimet janë në nivelet më të ulët në shtatë vite, shkruan Friedman.
Analistët identifikojnë një numër arsyesh të mundshme për këtë rënie të fortë – rritja e prodhimit nga SHBA, ngadalësimi ekonomik në Europë dhe Kinë dhe prodhimi i qëndrueshëm nga OPEC (Organizata e Vendeve Eksportues të Naftës).
Megjithatë, në vend që të shohim për shkaqet, thotë Friedman, më mirë të shohim pasojat – mungesa në buxhete në Rusi e Iran – dhe çfarë domethënie ka.
Kush përfiton? – pyet ai. SHBA dëshiron që sanksionet e saj të lidhur me Ukrainën kundër Rusisë të “kafshojnë” më shumë. Edhe sauditët, edhe SHBA po bëjnë një luftë “me delegim” kundër Iranit në Siri. “Eshtë biznes, por më duket edhe si luftë me mjete të tjerë: naftën”, shkruan ai.
Paul Richter i Los Angeles Times bie dakord që, si Rusia, edhe Irani po fillojnë të ndiejnë shtrëngimin e uljes së çmimeve, ndonëse ai nuk shkon aq larg sa Friedmani në spekulimin për një luftë të fshehtë.
“Trysnia ekonomike nuk pritet të ndryshojë përpjekjet agresive të Putinit për të ruajtur një ndikim të fortë mbi Ukrainën, që ai e konsideron të panegociueshme”, shkruan Richter. “Por ato po shkaktojnë tensione në marrëdhëniet e tij me elitën ruse dhe komunitetin e biznesit, dy prej shtyllave të mbështetjes së tij politike”.
Sa për Iraniin, shkruan ai, një çmim nafte më i ulët se 100 USD/fuçi do të krijonte defiçite të mëdhenj buxhetorë dhe do të dëmtonte pozicionin e vendit në negociatat bërthamore me Perëndimin. Cmimi në fund të ditës së mërkurë ishte 81.4 USD.
“Rigjallërimi ekonomik i Iranit u kish mundësuar zyrtarëve iranianë që të pretendonin se do ia dilnin mbanë edhe nëse bisedimet dështonin, pa ofruar një lehtësim të mëtejshëm të sanksioneve ndërkombëtare”, shkruan ai.
Në Rusi, mediat e kanë vënë re. “Varësia e ekonomisë së Rusisë nga burimet energjetikë, pikësëpari gazi dhe nafta, krahasohet shpesh me varësinë nga droga: njerëzit thonë që kemi varësi nga ‘shiringa e naftës’,” shkruajnë komentuesit e Nezavisimaya Gazeta. “Në këtë rast, marrëveshjet për të ulur Nezavisimaya Gazeta (mimet e naftës në tregjet globalë mund të krahasohen me agonitë e dhimbshme kur dëshiron të heqësh dorë nga një drogë. Dhe kjo po bëhet me objektiva të qartë gjeopolitikë për të dëmtuar ekonominë e vendit dhe ndikimin e tij në arenën globale”.
Nikolay Makeyev dhe Konstantin Smirnov shkruajnë tek Moskovskiy Komsomolets se ata i druhen një ripërsëritjeje të krizës ekonomike të viteve 2008-2009: “Mund të shpresojmë vetëm që sheikët e naftës do i thërrasin mendjes, do të ulin prodhimin dhe stabilizojnë çmimet në 90 dollarë për fuçi”.
Teoritë për një Luftë të re të Ftohtë të Friedmanit nuk janë spekulimi i vetëm për momentin. Për disa analistë, rënia e çmimit të naftës ka të bëjë tërësisht me rritjen e prodhimit nga SHBA, që kërcënon pozicionin e Arabisë Saudite si vendi kryesor naftëprodhues në botë”.
Rusia dhe Irani, në këtë formulim, nuk janë kalimtarë dhe aq të pafajshëm. “Sauditët kanë ndikuar në stabilizimin e çmimeve të naftës gjatë krizave gjeopolitike ndërkombëtare, fillimisht duke rritur prodhimin për të kompensuar rënien e prodhimit të Iranit, Sirisë dhe Sudanit dhe më pas duke kompensuar rritjen e prodhimit të Irakut”, shkruan Akhil Handa i Republikës Indiane.
Megjithatë, kjo ndryshoi me rritjen me 70% të prodhimit të SHBA gjatë gjashtë viteve të fundit. “Në një përpjekje për të rikthyer ekuilibrin sauditët mund të përdorin avantazhin e kostos kundër prodhuesve të naftës nga shtresat argjilore, që i kanë kostot më të larta”, vazhdon ai. “Sauditët ndoshta do të duhet të lejojnë që çmimet të bien në nivelin 75-80 USD, t’i lënë në këta nivele për pak kohë që disa kompani shpuese në Amerikë të dalin nga biznesi dhe kështu, kontrollin e çmimeve ta rimarrin sauditët”.
E qartë është që rënia e fortë e çmimeve të naftës po krijon fitues dhe humbës shumë mirë të dallueshëm në skenën botërore. Por, nuk është e qartë nëse është dikush që po i lëviz fijet.
Eshtë në natyrën njerëzore të spekulojë për skemat e aktorëve të prapaskenave kur stekat janë kaq lartë. Mund të jetë edhe rehatuese – një alternativë shumë më e preferueshme ndaj një sistemi ku ecuria e kombeve përcaktohet prej ndryshimeve rastësorë të fatit dhe luhatjeve kaotike të një tregu të pakontrollueshëm. /BBC News
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button