Ekonomi

Kriza e pafund greke dhe logjika e Euros

Megjithë shpresat, ky sistem përpiqet të pengojë çdo zgjidhje afatgjatë të krizës së borxhit. Parimet liberale, në mënyrë legjitime lindën në Gjermaninë e pas luftës për të shoqëruar rindërtimin e vendit në një rrugë të qëndrueshme, jo për të administruar një bashkim monetar heteroklit dhe bankar. Ndryshimi midis këtyre rregullave ideale dhe realitetit të zonës Euro ka shpënë në një sistem labirinthi, i cili në një farë pikëpamje, është në kundërshtim me parimet pragmatiste të liberalizmit

Screen Shot 2015-06-23 at 10.45.08

Nga Rémi Bourgeot*

Shumica e entuziastëve të monedhës unike, e konsiderojnë Euron si manifestim të një vullneti politik transhendent, më tepër se sa një ndërtim të thjeshtë ekonomik. Vështirësitë e vazhdueshme të zonës – në radhë të parë të të cilave, papunësia e madhe dhe kriza e pafund greke – në një farë pikëpamje u japin atyre të drejtë. Për më tepër, natyra e vërtetë politike e zonës Euro, që lindi nga viti 2010, nuk i përgjigjet shpresave të tyre të unifikimit.

Lëvizja lavjerrëse që karakterizon administrimin e krizës, qysh prej pesë vitesh, nxjerr në pah logjikën e vërtetë politike, e cila udhëheq zonën e Euros.

Një rend relativisht i ri u duk se u hap në mes të vitit 2012, kur përveç angazhimit të Mario Draghit për të parandaluar shpërthimin e bashkimit monetar, udhëheqësit kryesorë politikë filluan të shfaqnin një rezervë në rritje vis-à-vis politikave shtrënguese, si mjet për të frenuar rritjen e borxheve publike. Filloi t’u lihej një marzh më i madh manovre qeverive të vendeve periferike, sidomos në Spanjë, për të administruar impaktin e disiplinës buxhetore, dhe dukej se po lindte asokohe një përqasje e re më e drejtpërdrejtë, për të administruar problemet e borxhit.

BKT

Vendimi i qeverisë irlandeze, në shkurt të vitit 2013, për të ristrukturuar 28 miliard eurobono me vlerë të borxhit, do të mund të përbënte një kthesë madhore në administrimin politiko-ekonomik të zonës Euro. Në mënyrë të habitshme, kjo ngjarje vendimtare kaloi pothuaj në harresë. Megjithëse problemet ekonomike greke dhe irlandeze janë të natyrave të ndryshme, mënyrat diametralisht të kundërta me të cilat të dy vendet janë trajtuar, në fazën e dytë të krizës, lejojnë të kuptosh logjikën e vërtetë politike të zonës Euro.

Partizanët e një linje të ashpër përballë qeverisë greke, shpesh kanë të drejtë kur theksojnë të metat e sistemit të grumbullimit të taksave të vendit, çorganizimin e administratës të saj dhe klientelizmin. Megjithatë, është për t’u habitur që ky konstatim nuk të shpie të zgjedhësh një zgjidhje të qëndrueshme, më tepër se sa masa shtrënguese kundër produktive, që janë në qendër të gjithë programeve të ndihmës evropiane.

Qysh prej fillimit të krizës, Greqia ka humbur një të katërtën e GDP së saj. Kjo është arsyeja kryesore, që e bën vendin të paaftë për të shërbyer borxhin e vet të madh publik, (i cili arrin tashmë një nivel prej 175% të GDP). Në realitet, asnjë person nga udhëheqësit evropianë nuk beson që ekonomia greke do të mund të dalë nga kriza, pa një nivel të sigurt të ristrukturimit të borxhit publik. Në nëntor të vitit 2012, madje qeverisë greke iu premtua që vendi do të lehtësohej për një pjesë të borxhit të tij (një pjesë e madhe e të cilit mbahet nga qeveritë evropiane dhe fondet e ndihmës), në qoftë se ai arrinte të shfaqte një ekuilibër fillestar (pas shlyerjes së borxhit të tepërt).

Megjithëse Greqia iu përgjigj kësaj kërkese vitin e kaluar, premtimi nuk u konkretizua me projekte konkrete nga kreditorët.

Vështirësitë që vuajnë ende politikat e administrimit të krizës, nuk të habisin qysh prej shtatë vitesh pas fillimit të krizës. Pa vënë një vend të veçantë apo një drejtues politik në bangon e të akuzuarve, është shumë e rëndësishme të kuptohet logjika politiko-ekonomike që nënkupton inkoherencaat karakteristike të politikës së zonës Euro. Doktrinat ekonomike (sidomos të liberalizmit gjerman dhe respekti që gëzon në përgjithësi ky sistem i mendimit në Francë), dhe theksi mbi konceptet e mëkatit dhe shpërblimit, kanë tendencë të kalojnë në plan të dytë çështjet politiko-ekonomike megjithëse më serioze.

Një program ekonomik i plotë do të jetë më i dobishëm për stabilizimin e zonës Euro, se sa debatet e zjarrta morale, për një vend që përfaqson më pak se 2% të GDP. Duke qenë se Greqia është pranuar në zonën e Euros për arsye të pastra politike, duhe të mendojmë se situata e saj ekonomike me të vërtetë është bërë e pa administrueshme për udhëheqësit evropianë, apo është përdorimi i kërcënimit të kaosit një realitet politik më i thellë?

Institucionet private mbajnë vetëm 17% e borxhit publik grek. Në të kundërt, qeveritë e zonës Euro mbajnë 62% (kryesisht përmes fondeve të shpëtimit), FMN 10% dhe BQE 8%. Drama e përhershme që shoqëron rimbursimet e Greqisë reflekton më tepër çështje politike, se sa ekonomike. Qeveritë e zonës Euro e kanë zvogëluar barrën e borxhit grek, duke ulur përqindjet e interesit dhe duke i shtyrë mjaft afatet e rimbursimit. Kriza e fundit, si datë është e lidhur me 18% që i detyrohet FMN dhe Bankës Qëndrore Evropiane. Qeveritë evropiane tashmë kanë injektuar shuma të konsiderueshme në buxhetin grek, dhe këto, siç parashikohet, kanë shumë pak shanse të jenë rimbursuar.

Meqënëse tregjet përfaqësojnë një pjesë të vogël ndërmjet kreditorëve, dallimi tradicional midis falimentimit dhe mungesës së likuiditeteve, humbet disi kuptimin e tij. Kështu, duket se nuk ka arsye tjetër për dramatizim të pagesave për FMN-në dhe BQE-në, vetëm për të vënë presion mbi qeverinë greke. Është e natyrshme që kreditorët të aplikojnë këtë lloj të ri manovrash politike, për t’i imponuar Aleksis Tsiprasit masa të reja reformash. Gjithësesi, është e habitshme që ato insistojnë në masa shtrënguese, kryesisht sasiore, të cilat kanë qenë tashmë jo efikase dhe të dëmshme. Në vend të suficitit buxhetor të synuar (primar) joreal, kreditorët duhet në thelb t’i kërkojnë qeverisë greke një angazhim të vërtetë, për të reformuar shtetin në thellësi, si dhe sistemin e grumbullimit të taksave. Paaftësia për t’i përqëndruar negociatat mbi çështjet thelbësore, ka çuar në mënyrë të pashmangshme në një dyluftim verbal midis dy tipeve të kundërta të populizmit.

Rasti irlandez na mëson se rimbursimet e borxheve të vështira mundet të mos krijojë shumë kaos. Ndryshimi kryesor në trajtimin e dy vendeve del në pah nga trajtimi i Irlandës në fazën e parë të krizës. Kosto prej 64 miliard e shpëtimit të sektorit bankar irlandez u financua drejtpërdrejtë nga kontributorët e tij, me një deficit publik 32,4% të GDP, në vitin 2010.

Autoritetet evropiane, në radhë të parë Banka Qëndrore Evropiane, vendosën atëherë t’i kursejnë institucioneve financiare evropiane humbje të mëdha, duke detyruar qeverinë irlandeze të mirrte përgjegjësinë e saj të plotë në sistemin e saj bankar. Ndërkohë që kjo strategji synonte të pengonte përhapjen e sëmundjes ngjitëse nëpërmjet sistemit financiar evropian, ajo në fakt shkaktoi krizën e borxhit sovran, duke krijuar një lidhje direkte dhe eksplicite midis buxheteve publike, dhe sistemeve bankare në shkallë kombëtare. Në mënyrë që të siguronte opinionin publik irlandez, vendi u emërua gradualisht nxënësi më i mirë i klasës evropiane, dhe më në fund i autorizuar të ristrukturonte një pjesë të borxhit të vet, në mënyrë diskrete. Një përqasje e ngjashme u ndoq në rastin e Portugalisë dhe Spanjës, në negociatat mbi modalitetet e planeve të ndihmës. Ky nocion i faljes me masa shtrënguese ushqeu dikotominë e dëmshme, midis nxënësve të mirë dhe dhe të këqij, ndërmjet vendeve periferike, e që ka marrë një përqindje të rrezikshme në masmediat gjermane.

Kjo tendencë vërehet në përqasjen këmbëngulëse të Wolfgang Schäubles, ndërkohë që Angela Merkel zgjedh në mënyrë progresive një qëndrim më pajtues, zona Euro ndjek padyshim një logjikë hierarkike, sipas së cilës vendet janë vlerësuar në funksion të pranimit të tyre të masave reformuese, cilado qoftë vlefshmëria e tyre ekonomike. Pavarësisht se udhëheqësit evropianë janë gjithnjë e më tepër të ndërgjegjshëm për të metat e programeve të ndihmës.

Eshtë pra e habitshme, që të njëjtat terapi shoku vazhdojnë të imponohen në mënyrë të pandryshueshme. Në shumë aspekte, ne jemi dëshmitarë të shfaqjes të një rendi të ri politik, parimet themeluese të të cilit, janë në thelb, të natyrës morale dhe në pak raste, të lidhura me çështjet e zhvillimit ekonomik dhe të stabilitetit për Evropën, në tërësinë e saj.

Megjithë shpresat, ky sistem përpiqet të pengojë çdo zgjidhje afatgjatë të krizës së borxhit. Parimet liberale, në mënyrë legjitime lindën në Gjermaninë e pas luftës për të shoqëruar rindërtimin e vendit në një rrugë të qëndrueshme, jo për të administruar një bashkim monetar heteroklit dhe bankar. Ndryshimi midis këtyre rregullave ideale dhe realitetit të zonës Euro ka shpënë në një sistem labirinthi, i cili në një farë pikëpamje, është në kundërshtim me parimet pragmatiste të liberalizmit.

* Ekonomist i zonës Euro dhe tregjeve të reja

s.m./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button