Analiza

KRIZA E UKRAINES: “Nuk do të rrijmë duarkryq!” Po çfarë do të bëjë Amerika?

Carol Morello
Michael Birnbaum

Screen Shot 2015-02-23 at 2.06.38 PMAdministrata Obama po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Rusisë, në përgjigje ndaj veprimeve të saj të vazhdueshme të “grabitjeve” në Ukrainën Lindore, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Minsk.
Kjo është deklaruar pasditen e së shtunës nga Sekretari amerikan i Shtetit Xhon Kerri. Duke folur me gazetarët në Londër, ku u takua me sekretarin e Jashtëm britanik, Filip Hamond, Kerri tha se priste, që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, të vendosin disa sanksione “shumë serioze”, por edhe ndërmarrin hapa të tjera për të ndëshkuar Moskën, pas shkeljeve të përsëritura të armëpushimit nga separatistët pro-rusë të mbështetur nga Kremlini.
Kerri theksoi se një nga shkeljet më flagrante të paktit të Minskut, ishte sulmi i separatistëve në qendrën e rëndësishme strategjike hekurudhore të Debaltseves, javën e kaluar. Presidenti Obama dhe udhëheqësit evropianë, kanë premtuar se do të ketë pasoja të rënda, për ata që do të shkelin marrëveshjen e 12 shkurtit.
Mes dhunës së vazhdueshme dhe kaosit në Ukrainë Lindore, besueshmëria e tyre do të mund të minohet, nëse ato fjalë të ashpra nuk do të mbështeten nga veprimet konkrete. “Nëse ky dështim vazhdon, do të ketë pasoja të mëtejshme, duke përfshirë edhe ato që do të shtojnë pasojat në ekonominë tashmë të trazuar të Rusisë. Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe s’do lejojmë këtë lloj sjellje cinike, në kurriz të sovranitetit dhe integritetit të një kombi tjetër.
“Dhe unë jam i bindur, se Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe dhe të tjerët, janë të gatshëm të ngrihen dhe të marrin masat e nevojshme, për të shtuar koston e këtyre veprimeve”- theksoi më tej shefi i diplomacisë amerikane.
Kerri shtoi ndërkohë se imazhet satelitore dëshmojnë se Moska ka vazhduar mbështetjen e saj ndaj luftëtarëve rebelë, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjetësuar në Minsk nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Fransua Holond.
Pakti i bënte thirrje të dyja palëve që të tërheqin mbrapsht armatimet e tyre të rënda. “Kjo nuk ka ndodhur. Ne e dimë me siguri ndihmën, që  Rusia ka vazhduar të japë ndaj rebelëve, dhe për këtë nuk ka sasinë e duhur  të propagandës dhe aftësinë, për t’i fshehur këto veprime” – tha Kerry.
Megjithatë, sipas sekretarit amerikan të shtetit, Obama nuk ka vendosur ende nëse do të dërgojë armë vdekjeprurëse mbrojtëse në Ukrainë, sikurse shumë anëtarë të Kongresit i kanë kërkuar më ngulm javët e fundit. Ai tha se ky vendim mund të varet nga ajo që ndodh në Ukrainën Lindore gjatë ditëve të ardhshme.
Ndërkohë dhe ministri britanik Hamond kritikoi gjithashtu “agresionin e vazhdueshëm” të Rusisë, duke shtuar se marrëveshja e Minskut ishte “shkelur në mënyrë sistematike”. Por zyrtari i lartë britanik, nuk parashikoi vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.
Evropa është shumë më e lidhur me ekonominë ruse sesa është SHBA, dhe disa vende në Evropë po evitojnë një ftohje të mëtejshme me Moskën, një partner i rëndësishëm tregtar dhe një furnizues kryesor i gazit natyror për ngrohje dhe energji.
“Ne do të bisedojmë rreth asaj sesi duhet të ruajmë unitetin evropian dhe aleancën SHBA-Evrope, në përgjigje të këtyre shkeljeve” – tha Hamond, para se të takohej me Kerrin. Në Ukrainë, pjesë të marrëveshjes për armëpushim lëvizën përpara, sikundër edhe luftimet vijojnë të dyja krahët.  Rebelët pro-rusë dhe ushtria ukrainase shkëmbyen të robërit të shtunën një pikë kjo e rëndësishme e planit të paqes, të arritur pas negociatave maratonë këtë muaj.
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, tha se 139 të burgosur ukrainas të luftës ishin liruar. Zëdhënësi i tij, tha se po aq pritet të lirohen këtë të djelë. Ndërkaq zyrtarët rebelë, thanë se 52 nga luftëtarët e tyre ishin liruar. Gazetarët në vend përshkruajnë skena sesi ushtarët e plagosur, disa prej tyre duke çaluar mbi paterica, ecin për kilometra të tera për të arritur arritur në një vend të sigurtë.
Poroshenko tha se shumë prej ushtarëve të liruar ukrainas ishin kapur rob në Debaltseve, vendi i një humbje të madhe për forcat qeveritare. Mijëra trupa të rrethuara u arratisën në mes të natës, përmes stepës së ngrirë, duke u qëlluar nga të dy anët. Dhuna kërcënon të përmbysë marrëveshjen e paqes dhe dëmtojë politikisht Poroshenkon.
Rebelët dhe ushtria ukrainase pohuan të shtunën se luftimet kryesisht ishin qetësuar, ndonëse përleshjet vazhduan në disa zona të kufizuara të një rajoni që para luftës ishte zemra industriale e Ukrainës.
Ekonomia në pjesën e shkëputur të Ukrainës do të ishte shumë më e fortë, nëse rebelët do të kishin arritur të pushtonin portin. Mariupoli mundej gjithashtu të formonte një rrip strategjik pro-rus, për ta lidhur me gadishullin e Krimesë, të aneksuar tashmë prej Rusisë.
Poroshenko, ka kërkuar me ngulm një mision paqeruajtës ndërkombëtar, duke pranuar në heshtje se ushtria e rrethuar Ukrainës nuk mund të mbrojë dot vetë vendin. Në Moskë, mijëra protestues u mblodhën në një nga sheshet qëndrore kundër Ukrainës dhe Perëndimit, në kuadër të një-vjetorit të përmbysjes së ish-presidentit ukrainas, Viktor Janukoviç.
Marshimi ishte një matje e ndjenjave të fuqishme anti-perëndimore që janë rritur në Rusi gjatë 12 muajve të fundit. Tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë, janë aktualisht në pikën e tyre më të lartë që prej Luftës së Ftohtë. “Obama vret fëmijët e Donbasit” – shkruhej në një nga pankartat e tubimit, duke iu referuar rajonit lindor të Ukrainës, ku rebelët kanë kontrollin e plotë.
Një vit më parë, Rusia kishte reputacionin më të lartë, kur Olimpiada Dimërore e Soçit përfundoi. Sipas sondazhit të kryer nga organizata me qendër të Moskë “Levada”, aktualisht 74 përqind e rusëve kanë një qasje negative ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga 44 përqind që ishte në janar të vitit 2014.
Ndërkaq edhe Ukraina, e ka riformatuar rrënjësisht vetveten, duke zgjedhur liderët më pro-perëndimore të historisë së saj. Pasi qëndroi në hije për muaj të tërë, ish-presidenti Janukoviç dha një varg intervistash në stacionet televizive ruse një ditë më parë. Ish-udhëheqësi, që ka jetuar në mërgim diku pranë Moskës, u shfaq më i rëndë e më luftarak, sesa një vit më parë. Janukoviç deklaroi ndër të tjera, se shpreson të kthehet në Ukrainë, për të udhëhequr një lëvizje proteste kundër qeverisë aktuale. /The Washington Post/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button