Ekonomi

KRIZA / Europa “flirton” me deflacionin

Politikëbërësit duhet të stimulojnë ekonomitë, nëpërmjet normave më të ulëta të interesit

Disa analistë dhe zyrtarë publikë thonë se eurozona është futur më në fund në rrugën e rimëkëmbjes. Papunësia ka rënë disi, ndonëse me 12 % mbetet në nivele të lartë, dhe eurozona në tërësi pati një rritje ekonomike prej 0.3 përqind në tremujorin e fundit të 2013-ës. Por, këndvështrimi i tyre ka një optimizëm të tepruar. Të dhënat e fundit tregojnë se ekonomitë e shumë vendeve të Europës mbeten të dobëta, dhe eurozona si e tërë shumë shpejt mund të përjetojë deflacionin, një rënie në nivelin e përgjithshëm të cmimeve, nëse qeveritarët dhe drejtuesit e bankave qendrore nuk ndërmarrin hapa për fuqizimin e ekonomisë. Muajin që kaloi, inflacioni në 18 shtetet që përdorin euron ishte vetëm 0.7%, nga 0.8 % që ishte në dhjetor të 2013-ës. Një shifër kjo, shumë më e ulët se sa objektivi i Bankës Qendrore Europiane për ta mbajtur inflacionin në nivelet afër 2 përqindëshit.

Deflacioni është një fenomen i dëmshëm që vetëpërforcohet dhe që dobëson ekonomitë, gjë që Japonia e përjetoi për pjesën më të madhe të 15 viteve të fundit. Kur cmimet bien në përgjithësi, konsumatorët shtyjnë blerjet për më vonë dhe bizneset shohin pak interes në investimin për të ardhmen, duke krijuar kështu një spirale në rënie.  Gjithashtu, deflacioni e bën më të vështirë për qeveritë dhe huamarësit e tjerë që të shlyejnë borxhet.

Në fillim të këtij muaji, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi hodhi poshtë frikërat për deflacion, por fjalët e tij, shumë pak garanci ofronin: “Me siguri do të kemi rënie e më tej inflacion të ulët për një kohë të gjatë, por jo deflacion”, tha ai. Nëase banka beson që cmimet do të rriten kaq ngadalë, gjëja më e mirë që mund të bëhet është të rriten normat e interesit dhe të hidhen më shumë para në ekonomi, përmes blerjes së bonove. E megjithatë, BQE nuk shpalli politika të reje në takimin e shkurtit.

Mosveprimi i Bankës Qendrore Europiane është vecanërisht shqetësues për arsye se është i vetmi institucion publik që mund t’i japë një shtytje eurozonës së dobësuar. Qeveritë në të gjithë zonën e Euros janë angazhuar në shkurtime të shpenzimeve dhe rritje të taksave, në një përpjekje kundërproduktive për të reduktuar deficitet fiskalë. Zyrtarët europianë kanë shtyrë gjithashtu planet për të krijuar një union bankar të eurozonës, i cili nevojitet për të rikapitalizuar ose mbyllur institucionet financiarë në telashe, që tashmë janë shndërruar në një barrë të papërballueshme.

Në një situatë ideale, banka qendrore dhe qeveritë europiane duhet të punojnë së bashku për të rigjallëruar ekonominë e eurozonës. Por, sa kohë që kjo nuk ka gjasa të ndodhë, i takon bankës qendrore të veprojë, kur të mblidhet sërish muajin e ardhshëm.

Wall Street JournalBanka Qendrore Europiane

Leave a Reply

Back to top button