Analiza

Kriza greke: Ku ka ndërmend të mbërrijë Gjermania?

greece-germany
Nga Ulrich Speck “EU Observer”
Nëse ka një njeri që deri tani përfaqëson imazhin e gjermanit të shëmtuar, ky është Volfgang Shojble. Ironikisht, ministri gjerman i Financave është edhe aktori në dramën e tanishme të euros, që është më i përkushtuari për ta vendosur monedhën e përbashkët, mbi një bazë të qëndrueshme.
Komente të shumta plot nerv janë shkruar në javët e fundit, mbi atë sesi Gjermania ka vënë interesat e saj të ngushta kombëtare, mbi interesin evropian. Duke e shndërruar Grexit në një opsion të realpolitikës, thotë narrativa, Shojble ka dëmtuar edhe më tej Greqinë, dhe njëherazi dobësuar eurozonën.
Problemi i vetëm me këtë histori, është se Shojble nuk i përshtatet rolit të batakçiut. Ai është i mbijetuari i fundit politik i epokës së Helmut Kolit. Si Ministër i Brendshëm i Gjarmanisë, Shojble arriti të menaxhojë aspektet e brendshme të ribashkimit të vendit në vitin 1990. Dhe që nga rinia e tij, Shojble, i lindur në vitin 1942 në jugperëndim të Gjermanisë afër kufirit francez dhe djali i një këshilltari taksash, është një besimtar i fortë i integrimit evropian.
Ai ishte bashkë-autor i një letre të famshme në vitin 1994 (Schäuble-Lamers Paper), sipas të cilës Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Luksemburgu- e ashtuquajtura zemra e Evropës-do të integroheshin shumë më të shpejtë e më thellë sesa pjesa tjetër e BE. Ashtu si mentori e tij prej një kohë të gjatë Kol, Shojble e ka cilësuar gjithnjë euron si një dorë të fshehtë:integrimi monetar, do ta detyrojë BE-jë, të bëjë atë që shtetet anëtare hezitojnë ta realizojnë – pranimin e atij bashkimi politik, që do të thotë se një integrim shumë më i thellë, thuajse federal, përbën një domosdoshmëri historike.
Bashkim politik, do të thotë një buxhet të përbashkët, taksa, dhe madje edhe eurobono, duke ndarë përgjegjësi të përbashkët për borxhet. Nevoja për ta bërë atë të funksionojë, do të përballë qeveritë me zgjedhjen e vështirë mes braktisjes së euros apo duke ndërmarrë një hap të madh përpara, drejt një entiteti të ngjashëm me federatën, duke braktisur kësisoj elementet thelbësore të sovranitetit.
Një mundësi për të mos u humbur
Në pikëpamjen e Shojbles, në këtë udhëkryq gjendet Evropa në këtë moment. Kriza greke nuk ishte pjesë e planit, por gjithësesi përbën një mundësi që nuk duhet humbur. Megjithatë, për Shojblen integrimi më i thellë evropian, mund të funksionojë vetëm përmes një vizioni të përbashkët si dhe vendeve të mirë-qeverisura.
Mënyra se si është sjellë qeveria e Syriza-s në Athinë, duke anuluar reformat e mëpërshme dhe i trajtuar qeveritë e eurozonës si armiq, e bindi atë se një integrim i tillë nuk ka gjasa të ketë sukses me Greqinë. Shojble dëshiron tashmë të ecë përpara, pasi ai mendon se eurozona është e brishtë dhe se nuk ka më kohë.
Ambicja e tij është të bëhet arkitekti i një eurozone, që është e qëndrueshme për një periudhë afatgjatë, me anëtarët që ndërmarrin të njëjtat politika, dhe me institucione të afta e kompetente. Nga ana tjetër, kancelarja gjermane Angela Merkel, kujdeset shumë pak për euron.  Ajo nuk beson tek një bashkim më i afërt; është një ndërqeveritare, duke preferuar më tepër shtete të forta anëtare në drejtimin e BE-së, sesa një klub të ngurtë.
Por në të njëjtën kohë, ajo nuk ka përgjigje alternative ndaj sfidës së euros, dhe kjo është arsyeja pse bie dakord që të monedha e përbashkët të funksionojë në një periudhë afatgjatë. Por gjithësesi, euro ka nevojë për një kornizë të fortë politike dhe socio-ekonomik, që mbështetet nga të gjithë anëtarët.
Gjithësesi, me kalimin e kohës Merkel është bërë tifoze e madhe e BE-së. Shojble është një eurofil tipik i Gjermanisë Perëndimore, duke e parë BE-në si një lloj shpagimi për një shtet-komb, që e ka humbur legjitimitetin e tij në epokën naziste, dhe që ka nëvoje të përfshihet në një Bashkim të fortë Evropian.
Për kontrast, Merkeli u rrit në Gjermaninë Lindore, pra nën komunizëm.
Asaj iu desh mjaft kohë që të vlerësonte vlerën e shtuar të BE-së. Për të, avantazhi i madh dhe i prekshëm i BE-së, është se ajo i lejon Berlinit të shumëfishojë peshën e tij (nëse arrin të bindë partnerët e BE-së). Ndryshe për shumë gjermanë që u rritën në Gjermaninë Perëndimore, për Merkelin shtet-komb nuk është një problem. Por, Greqia është kthyer nga një çështje e brendshme të BE-së, në një sfidë gjeopolitike.
Merkel ka dy shqetësime kryesore:njëra është e ardhmja ekonomike e Evropës, në një botë gjithnjë e më konkurruese;tjetra është grup politikash agresive neo-imperaliste, të ndjekura nga presidenti rus Vladimir Putin. Ajo ka frikë se një shthurrje e rendit në Evropën Juglindore, do të shfrytëzohet nga Kremlini, që kërkon të fitojë ndikim në atë që është quajtur si nënbrezi i butë i Evropës.
Dhe Merkel nuk u beson plotësisht atyre ekspertëve, që pretendojnë se pasojat e një Grexit mund të menaxhohen. Për të, rreziqet e një Grexit që çojnë tek një shpërthimi i ri i krizës në eurozonë, nuk janë të papërfillshme.
Prioritete të ndryshme
Shojble dhe Merkel kanë prioritete, dhe një vlerësim të ndryshëm të rrezikut. Kjo është arsyeja, pse ndonjëherë mes tyre ka tension. Por në fund të fundit, Shojble e di se kush është në krye. Ai është duke u përpjekur që të avancojë axhendën e tij, por e di se ku duhet ndaluar. Mbajtja e Greqinë në eurozonë, ishte një vendimi i kancelares Merkel, dhe ai e mbështeti plotësisht atë.
Ajo çfarë bëri Merkel në përballjen e fundit me kryeministrin grek Aleksis Cipras, ishte përdorimi i mundësisë së Grexit, si një shkop ërcënues për të fituar kohë. Sa më i besueshëm të ishte skenari i daljes së Greqisë nga eurozona, aq më shumë kisha gjasa që Athina të mos nënshkruante miratimin e kushteve të vendosura nga kreditorët, për paketën e tretë të shpëtimit.
Megjithatë, loja është larg përfundimit të saj. E ardhmja e eurozonës dhe e vetë BE-së, do të vendoset në shumë kryeqytete evropiane. Parisi dhe Brukseli, do të jenë ndër të parët, por Berlini do të ketë një rol kyç. Gjermania ka qenë qendra e gravitetit të BE-së gjatë viteve të fundit, për shkak të peshës së saj dhe suksesit relativ të ekonomisë, por edhe për arsye të përkushtimit të thellë të vendit, ndaj zbatimit të detyrimeve që kërkohen nga BE.
Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera të unionit, të gjitha partitë e mëdha politike në Gjermani janë me entuziazëm pro-BE-së, dhe klasa politike shpreson ende në jetësimin e projektit të një Evrope federale, si vizionin përfundimtar për të ardhmen e kontinentit të vjetër.
Skenari më i mundshëm është nje perzierje e te dyja prirjeve. Sfida e fundit me Greqinë ishte e dëmshme. Ne do të dëgjojmë disa të flasin sërish për integrim të mëtejshëm, bashkim politik, në Paris dhe Berlin, por të dy palët nuk do të bien dakord mbi atë që është thelbi, ashtu si në të kaluarën. Greqia do të marrë ndihmën ekonomike të rradhës, me kushte që nuk do të zbatohen seriozisht. Do të ketë ankimeve aty këtu, por të gjithë do të çlirohen, kur do t’i rikthehen punëve si më parë. Deri në goditjet e ardhshme të krizës ekonomike.
Shënim:Ulrich Speck është bashkëpunëtor në think tankun “Carnegie Europe”.

Leave a Reply

Back to top button