Analiza

KRIZA / Trupat elitë në terren. Bëhet gati “Beteja e Odesës”

Pro-Russian armed men ride on top of an armoured personnel carrier near the town of SlavianskNë kohët e Bashkimit Sovjetik, Pallati i Sindikatave në qendër të Odesës ishte selia e komitetit rajonal të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Porti i Ukrainës, qyteti i tretë më i madh i vendit ndoshta nuk është zhdukur asnjëherë nga kujtesa e rusëve. Tani po rikthehet me një vlerë të re gjeopolitike. Dje, qindra militantë pro Moskës u gjendën përballë rrënojave të zeza të asaj ndërtese. Shiheshin shenjat dhe ndihej era e asaj çfarë kish mbetur nga zjarri që të premten e 2 majit vrau 38 vetë, në fund të një dite të përgjakshme (46 të vdekur në total). Në Odesë, ndoshta më shumë rastësisht dhe jo se ishte e llogaritur, po hapet një front i ri i krizës ukrainase. Dje Kievi dërgoi një njësi speciale të Gardës Kombëtare për të rivënë situatën nën kontroll. Nuk do të jetë e lehtë.

E premtja ka treguar se deri në çfarë pike ka shkuar paaftësia e policisë lokale dhe nuk besohet se ndërrimi i shefit mund të mjaftojë për të rifituar autoritetin e nevojshëm.

Shumica e një milionë banorëve flet rusisht dhe në hartat që dallojnë etnitë, Odesa është më pranë Kharkivit apo Donetskut, se sa Kievit. Pas aneksimit të Krimesë, shumë analistë kanë hedhur hipotezën e krijimit të një korridori përgjatë bregdetit, nën kontrollin direkt apo indirekt të Moskës: nga Mariupoli, në Odesë e deri në Transnistri, rajonin separatist te Moldavisë. Jo më kot, dje në mbrëmje qeveria e Moldavisë ka urdhëruar vendosjen në gatishmëri të trupave në kufi, ndërkohë që kryeministri Iurie Leanca ka urdhëruar forcat e sigurisë “që të marrin të gjithë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e vendit”.

Hipoteza e një zgjerimi të objektivave të Moskës në drejtim të Perëndimit është një makth për Kievin. Pa Odesën, Ukraina do të humbiste vetveten. Kursi i ri i qeverisë duhet të parandalojë që përleshjet e 2 majit të shndërrohen në provën gjenerale të një lufte civile në juglindje të vendit. Në qytet vihen përballë grupe të armatosur: nga njëra anë bërthamat paramilitare të filorusëve, nga ana tjetër Pravi Sektor, ultranacionalistët e Sektorit të Djathtë, por jo vetëm këta. Revolta e Maidanit ka ushqyer edhe një komponent të dhunshëm. Mjafton të rishikosh filmimet: studentë të mbështjellë me flamuj kombëtarë, dhe të gatshëm të përgatisin bombat Molotov për t’i hedhur kundër Pallatit të sindikatave.

Paqësimi i Odesës, apo destabilizimi i saj: kjo është llogorja e re e Kievit. Nga Donetsku, nuk vijnë lajme të mirë. Ushtarakët e dërguar atje e kanë shumë të vështirë të pastrojnë qytezat e fortifikuara nga separatistët. Duke filluar nga e para dhe më e rëndësishmja, Sloviansku, 120 kilometra nga Donetsku, ku dje u rrëzua një tjetër helikopter MI-24 “nga një mitraloz me kalibër të madh”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Pilotët kanë shpëtuar. Por kanë vdekur katër ushtarë. Ndërkohë, janë dhjetë viktimat mes militantëve dhe civilëve të tij, thotë Igor Strelkovi, koloneli rus (sipas shërbimeve të fshehtë ukrainas) por që vetëshpallet “komandanti i forcave të vetëmbrojtjes” të juglindjes. Luftimet përqëndrohen përreth postblloqeve të ngritur nga filorusët në portat e Slovianskut. Separatistët lejojnë të kalojnë vetëm stafet e televizioneve rusë: të vetmit që janë të autorizuar të filmojnë dhe dokumentojnë atë që ndodh në rrugë.

Eshtë e vështirë të verifikohen kushtet e qytetarëve. Nga Moska, Ministria e Jashtme ka shpërndarë një deklaratë: “Po mbërrihet në një katastrofë humanitare në qytetet e rrethuar, ku po fillojnë të mungojnë ushqimi dhe ilaçet”. Rusia, ka ftuar Kievin që të ndalet dhe të ulet në tryezën e negociatave, “sepse në rrezik është paqja e Europës”. Edhe qeveria gjermane teston terrenin për një tratativë të re, fillimisht me ministrin e jashtëm, Steinmeier dhe më pas direkt me kancelaren, Angela Merkel. Janë vënë në lëvizje organizatat ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki-moon më në fund është ofruar për ndërmjetësim, ndërkohë që presidenti i radhës i OSCE, nesër do të takohet në Moskë me Vladimir Putinin.

Leave a Reply

Back to top button