Analiza

KRIZA UKRAINASE / Obama dhe makthi i Putinit

ukraine-protestOrigjinën e krizës, për ata që e kanë harruar, na e kujton Barak Obama: “Një shumicë ukrainasish duan që të integrohen në Europë”. BE, zi zgjedhje qytetërimi, premtim mirëqenieje dhe demokracie. E megjithatë në fund, është një fyerje, ajo që përmendet pafundësisht përballë tragjedisë ukrainase. Ajo përmbledh (me domethënie të ndryshme) atë që mendohet në këto orë në Uashington, Moskë, Kiev. E kish parë tamam si duhet diplomatja amerikane, Viktoria Nuland, krahu i djathtë i Sekretarit të Shtetit, Xhon Kerri? Dy javë më parë, telefonata e saj me ambasadorin amerikan në Ukrainë ishte përgjuar nga shërbimet e fshehtë rusë. Më pas ishte hedhur në YouTube. Fjalët e saj “Fuck Europe”, në mesin e një bisede të gjatë dhe serioze, ishin skandali i radhës në marrëdhëniet transatlantike: i pasuar nga reagimet e indinjuar të Anxhela Merkelit, ky skandal e sikletosi jo pak Uashingtonin.

Por diplomatja 53-vjecare, e martuar me ekspertin e famshëm të gjeopolitikës, Robert Kagan, më vonë nisi të rivlerësohet. A ishte një gafë vulgare dhe arrogante? Apo një dëshpërim i ligjshëm, që interpretpn jo vetëm vuajtjen amerikane, por në një farë mënyre edhe zemërimin e miliona ukrainasve? (Sa për mendimin që Putini ka për Europën perëndimore, ai mund të përshkruhet në mënyrë pak a shumë po kaq shumëngjyrëshe).

Atmosfera që mbizotëron në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit shprehet në editorialin e ashpër të Uoll Strit Xhërnëll. Që rindërton ecejaket e kota të diplomacisë europiane, ndërkohë që bilanci i viktimave në Kiev vazhdon të rritet: “Udhëheqësit e opozitës ukrainase i kanë kërkuar Merkelit sanksione kundër atyre drejtuesve të qeverisë së Janukovicit që kanë pasuri personale në Bashkimin Europian. Berlini nuk e ka pranuar kërkesën e tyre, i ka dhënë një mbështetje retorike lëvizjes së protestës, nuk ka dhënë informacione mbi ndihma të mundshme në të ardhmen nga Gjermania apo nga BE për të kundërpeshuar miliardat e Moskës. Vendet e Europës lindore që janë anëtarë të Bashkimit Europian kanë kërkuar me forcë që Ukrainës t’i akordohen fonde dhe t’u hapet rruga për anëtarësim në BE, që nuk ishte pjesë e paketës së ripropozuar në nëntor”.

Vëzhguesit amerikanë nuk janë të butë kundrejt politikës së jashtme të Obamës, përfshirë edhe atë vetë, në lidhje me krizën ukrainase. Edhe Shtëpia e Bardhë luhatet mes objektivave të papajtueshëm mes tyre: ruajtja e një “marrëdhënieje produktive” me Vladimir Putinin (duke shpresuar të marrë një ditë dividentin në Siri apo Iran…), e në të njëjtën kohë të shmangë që një vend i madh europian si Ukraina, me 45 milionë banorë, të përfundojë në orbitën “euraziatike” të klubit të ri të shteteve vasalë që Putini është duke e ndërtuar sipas modelit të ish Bashkimit Sovjetik.

Por sado që Amerika mund të akuzohet për kontradikta, kjo është një krizë që ka shpërthyer në oborrin e Bashkimit Europian. Ashtu si shpërbërja e ish Jugosllavisë 20 vjet më parë, edhe dhuna në Ukrainë është një test për institucionet e Brukselit. Eshtë ankorimi në BE, “casus belli” mbi të cilin Janukovic ka tradhëtuar popullin e tij për t’iu dorëzuar Putinit. Dhe është mbi të gjitha në Berlin, Paris, Londër dhe Romë, ku duhet të shihen veprime të shpejtë, të një mbështetjeje faktike: pikërisht ato gjëra që udhëheqësit e opozitës i kërkuan Merkelit, domethënë ndihma që të komensojnë financimet nga Moska, si dhe një “korsi” shpejtësie në rrugën për anëtarësimin në BE.

Nëse BE nuk është në gjendje të ndërhyjë në një krizë kaq afër saj, atëherë cfarë kuptimi ka të flitet për politikë të jashtme europiane? Dhe ku do të ndalen objektivat ekspansionistë të Rusisë? Përpara këtyre pikëpyetjeve, e pakujdesëshmja Viktoria Nuland, duke harruar që jeton në epokën e Uikiliksit, Eduard Snoudenit dhe… Putinit, ishte shfryrë nëpërmjet asaj shprehjeje fyese. Në fund të fundit, në mes të librave të bashkëshortit të saj, Robert Kagan, shfaqet edhe ky thjeshtësim brutal: “Amerikanët vijnë nga Marsi, europianët nga Venusi”. Uashingtoni pyet cili është numri faktik i të vrarëve në Kiev, që do të zgjojë nga gjumi diplomacinë europiane. Dhe përballë akuzave ruse për tentativë “për grusht shteti”, Obama paralajmëron: “Duhet të shmanget me cdo kusht që ushtarakët ukrainas të ndërhyjnë për gjëra që mund të zgjidhen prej civilëve”. Eshtë alarmi i shpallur tashmë prej Nju Jork Tajmsit: Putini mund të përgatisë terrenin për një ndërhyrje të armatosur të Rusisë. Pas një “kërkese për ndihmë” prej ushtarakëve ukrainas. Do të ishte një rikthim tek metodat e luftës së ftohtë. Sot mblidhen ministrat e jashtëm të BE. Amerika ndjek me vëmendje. Duke shpresuar që, për një herë të vetme, Europa nuk “gets fucked” me duart e veta.

FEDERICO RAMPINI

Leave a Reply

Back to top button