Analiza

Ku duhet t’i kërkojmë rrënjët e terrorizmit?

Dhe historia në fakt na tregon se terrorizmi është përgjithësisht një ndërmarrje borgjeze. Kjo ishte po aq e vërtetë për anarkistët rusë në fundin e shekullit XIX-të, marksistët gjermanë të grupit terrorist në Gjermaninë Perëndimore “Baader-Meinhof” në vitet ’70 dhe të grupit japonez terrorist “Aum Shinrikyo” në vitet ’90

Peter Bergen

Screen Shot 2015-02-23 at 2.22.33 PMTashmë një cunam i parashikueshëm gjërash ta pakuptimta ra mbi kryet tona, që lidhet me ato që quhen “shkaqet rrënjësore” të terrorizmit. Kemi dëgjuar shpesh nga zyrtarët e administratës Obama e madje edhe vetë presidenti, se terrorizmi ka të bëjë me mungesën e mundësive dhe varfërinë. Obama tha të mërkurën se “ne duhet të adresojmë ankesat e njerëzve, të cilat i shfrytëzojnë terroristët, duke përfshirë edhe kërkesat ekonomike”.
“Kur miliona njerëz – veçanërisht të rinjtë – janë të varfër dhe nuk kanë asnjë shpresë për të ardhmen, kur korrupsioni shkakton poshtërime të përditshme, kur nuk ka institucione ku njerëzit mund të shprehin shqetësimet e tyre, zemërimi rritet. Dhe bashkë me të edhe rreziku për paqëndrueshmëri dhe ekstremizëm. Aty, ku të rinjtë nuk kanë arsimim, janë më të prekshëm nga teoritë e konspiracionit dhe idetë radikale …” – deklaroi ndër të tjera Obama.
Ndërkaq, presidenti e pranoi se terroristët mund të jenë edhe persona të pasur, sikurse ishte Osama Bin Ladeni, biri i një manjati arab të ndërtimit, që ndoqi gjimnazin dhe universitetin më të mirë në Arabinë Saudite. Është e vështirë të imagjinohet dikush me më tepër mundësi sesa ish-kreu i Al-Kaedas.
Mendoni për një moment familjen Tramp nën një stil saudit, hiqni shpenzimet e tepruara, dhe do të bini në një admirim të thellë për talebanët. Por në fakt Osama bin Ladeni përbën më shumë një rregull sesa një përjashtim. Merrni për shembull Muhamed Atan, djalin e një avokati egjiptian, i cili kishte punuar për një doktoraturë mbi ruajtjen e urbanizmit në një universitet gjerman, dhe që dihet tanimë se udhëhoqi sulmet 11 Shtatorit 2001 në SHBA.
Apo merrni udhëheqësin e tanishëm të Al Kaedës, Ajman Al- Zauahirin, një kirurg që rrjedh nga një prej familjeve kryesore egjiptiane, e cila ka nxjerrë nga rradhët e saj politikanë të rëndësishëm, ambasadorë, dhe klerikë të shquar. Më pranë shtëpisë sonë, mund të përmendim rastin e majorit të bazës ushtarake amerikane të “Fort Hood”-it, Nidal Hasan, që ishte jo vetëm një oficer i ushtrisë amerikane dhe psikiatër, por gjithashtu vinte nga një familje e qetë e klasës së mesme në Virxhinia.
Le të shtojmë këtu rastin edhe e Faizal Shahzadit, i cili u përpoq të hidhte në erë një autobombë në sheshin “Times Square Garden” në Nju Jork në 1 maj të vitit 2010. Ai kishte marrë një doktoraturë në Shtetet e Bashkuara dhe kishte punuar si analist financiar për kompaninë e njohur kozmetike “Elizabeth Arden”. Babai i tij ishte një nga oficerët më të lartë në ushtrinë pakistaneze.
Ata s’janë dobësuar, përkundrazi janë fuqizuar
Instituti “Amerika e Re” ka studiuar prejardhjen e mbi 250 militantëve islamikë me bazë në SHBA, që prej sulmeve të 11 Shtatorit, të cilët janë paditur apo dënuar për krime të ndryshme terroriste. Ata janë pjesë e klasës së mesme, njerëz me arsye, të mirë-arsimuar, dhe familjarë me fëmijë. Me pak fjalë, ata janë amerikanë të zakonshëm.
Në mënyrë të ngjashme, në librin e tij të rëndësishëm në vitin 2004 “Të kuptosh rrjetet terroriste”, psikiatri Mark Sejxhman, një ish-oficer i CIA-s, shqyrtoi prejardhjen e 172 militantëve të cilët kishin qenë pjesë e Al-Kaedës apo ndonjë grupi të ngjashëm terrorist. Më pak se gjysma e tyre ishin profesionistë; dy të tretat i përkisnin klasës së mesme dhe kishin shkuar në kolegj; ndërsa disa prej tyre madje kishin edhe doktoratura.
Në një studim të vitit 2006, unë dhe Svati Pandej shqyrtuam preardhjen arsimore të 79 terroristëve, përgjegjës për 5 nga sulmet më të rënda terroriste anti-perëndimore në epokën moderne:bombardimin në Qendën Tregtare Botërore në Nju Jork në vitin 1993, shpërthimet në dy ambasadat amerikane në Afrikë në vitin 1998, sulmet e 11 Shtatorit, bombat në një klub nate në Bali të Indonezisë në vitin 2002, si dhe shpërthimet në Londër më 7 korrik 2005.
Ne konstatuam se më shumë se gjysma e terroristëve kishin përfunduar gjimnazin, çka i bën ata të mirë-arsimuar, po të kesh parasysh amerikanin mesatar. Dy nga rastet, që ne morëm në shqyrtim kishin grada shkencore, ndërsa dy të tjerë kishin filluar të punonin për të mbrojtur doktoraturat. Asnjëri prej tyre nuk kishte studiuar ndonjëherë në ndonjë medrese. Sigurisht, që në një shkallë të madhe grupe kryengritëse të tilla si ISIS-i apo dhe talebanët rekrutojnë luftëtarët të rinj, në këmbim të pagimit të një çeku të majmë financiar. Por njerëzit që bënin pjesë në këto organizata kishin arsye ideologjike.
Një pikëpamje optimiste
Analiza se varfëria, mungesa e arsimimit apo e mundësive kanë shumë të bëjnë me terrorizmin, mëton për një pikëpamje rrënjësisht optimiste rreth natyrës njerëzore. Kjo diagnozë të çon tek parashikimi, se ajo që të gjithë duhet të bëjmë, për të zgjidhur problemin e terrorizmit, është të krijojmë shoqëri që janë më pak të varfra, më të mirë-arsimuara dhe që kanë më tepër mundësi. Por fakti është se ata që kanë një punë jo të mirë dhe që u ofron mundësi të pakta dhe edukim të pamjaftueshëm, në përgjithësi janë shumë të zënë, për t’u marrë me projekte revolucionare dhe ribërë shoqërinë.
Dhe historia në fakt na tregon se terrorizmi është përgjithësisht një ndërmarrje borgjeze. Kjo ishte po aq e vërtetë për anarkistët rusë në fundin e shekullit XIX-të, marksistët gjermanë të grupit terrorist në Gjermaninë Perëndimore “Baader-Meinhof” në vitet ’70 dhe të grupit japonez terrorist “Aum Shinrikyo” në vitet ’90.
Studimet pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, që dëshmojnë se terrorizmi islamik është më së shumti një ndërmarrje e klasës së mesme, i bënë jehonë edhe një studim i rëndësishëm mbi militantët egjiptianë, i kryer nga  akademiku francez Zhill Kepel, gjatë mesit të viteve ’80. Kepel hulumtoi mbi jetët e 300 militantëve islamikë, të cilët u gjykuan si përgjegjës për vrasjen në vitin 1981 të presidentit egjiptian Anvar Sadat.
Afërsisht 1 në 5 prej tyre ishin profesionistë në fusha të tilla si inxhinieritë, një e katërta  e tyre kishin punuar në administratën qeveritare, dhe vetëm më pak se gjysma ishin artizanë ose tregtarë. Një në 10 prej tyre kishin qenë pjesëtarë të ushtrisë apo policisë, ndërsa po 10 përqind e tyre ishin fermerë apo të papunë.
Nga ata që ishin studentë, rreth një e treta kishin studiuar në degë të cilësuara elitare si mjekësia dhe inxhinieria. Në mënyrë të ngjashme, Biblioteka e Kongresit Amerikan ka publikuar një studim dy vjet para sulmeve të 11 Shtatorit, mbi çështjen: “Kush bëhet terrorist dhe përse”. Përfundimi, i bazuar në një mbikëqyrje të gjithë literaturës së botuar mbi këtë çështje, ishte se kishte vetëm disa “përjashtime të mëdha për klasën e mesme dhe të mesme të sipërme, mbi origjinën e grupeve terroriste”.
Natyrisht që ka një numër përjashtimesh nga prototipi i klasës së mesme, që përfshihet në terrorizëm. Terroristët që sulmuan revistën satirike franceze “Charlie Hebdo” në Paris muajin e kaluar apo edhe kafenenë në Kopenhagen, ku ndodhej në një aktivitet, karikaturisti suedez Lars Vilks fundjavën e kaluar, ishin nga skajet e shoqërisë. Por për çdo shembull varfërie apo mungese të mundësive, si një arsyetim i supozuar për terrorizëm, është shumë e lehtë për të sjellë kundërshembuj të rëndësishëm.
“Bombarduesi i brendshëm” Umeri Abdylmutalab, që u përpoq të vendoste një bombë në një avion pasagjerësh në SHBA, i cili po fluturonte mbi Detroit ditën e Krishtlindjeve në vitin 2009, është djali i një prej njerëzve më të pasur në Afrikë. Ai kishte përfunduar studimet në “University College” në Londër, i cili në mënyrë të vazhdueshme renditet në mesin e universiteteve më të mirë në botë. Anvar Al-Aulaki, ish-udhëheqësi i Al Kaedës në Gadishullin Arabik, që kishte planfikuar të hidhte në erë një aeroplan mbi një qytet amerikan, ishte duke studiuar për marrjen e gradës profesor-doktor në Universitetin “Xhorxh Uashington”, para se t’i bashkohej Al-Kaedës. Babai i Aulakit ishte një ministër në kabinetin qeveritar në Jemen.
Atëherë çfarë e nxit terrorizmin?
Pra, në qoftë se në mënyrë të qartë rezulton se nuk është privimi nxitësi kryesor ndaj terrorizmit islamik, kush mbetet të jetë? Për të marrë një përgjigje të saktë, ne duhet t’i rikthehemi ideologjive dhe në mënyrë specifike, ideologjive fetare. Dhe pikërisht këtu është lëmi ku administrata Obama duhet të përqëndrohet më tepër. Ajo është e kujdesshme kur shpjegon se lufta kundër ISIS-it nuk është një luftë me Islamin, dhe se ideologjia e Shtetit Islamik është një shtrembërim që i bëhet kësaj feje. Mjaftueshëm e qartë.
Por administrata nuk ndihet rehat kur bëhet lidhja midis terrorizmit islamik dhe formave të tjera ultra-fondamentaliste të Islamit, të cilat janë intolerante ndaj feve të tjera, por dhe myslimanëve të tjerë që nuk ndajnë pikëpamjet e tyre.
ISIS-i mund të jetë vërtetë një shtrembërim i Islamit, por islamik është, sikurse janë të krishtera besimet mbi shenjtërinë e fëmijës së palindur, çka shpjegon faktin se përse disa fondamentalistë kristianë sulmojnë klinikat ku kryhen aborte dhe mjekët që punojnë atje. Por, natyrisht, fondamentalistët e krishterë nuk po vrasin mijëra civilë në vit.
Më shumë se 80 përqind e sulmeve terroriste në botë ndodhin në 5 vende me shumicë myslimane – Afganistan, Irak, Nigeri, Pakistan dhe Siri – dhe kryhen kryesisht nga grupe me besim islam. Këtë javë OKB publikoi një raport që tregon se viktimat civile në Afganistan ishin në nivelin më të lartë, qëkur organizata kishte bërë llogarritjen e fundit, 6 vjet më parë. Dhe talebanët ishin përgjegjës për tre të katërtat e këtyre vdekjeve.
Sigurisht, talebanët dhe grupet e tjera islamike terroriste nuk janë organizata laike. T’i trajtosh ato si të ishin burim i një mendimi të kombinuar pozitiv vetë kompjuteri do të çmendej e nuk do të pranonte një pohim të tillë, në një epokë gjithnjë e më të laicizuar, që disa do të vrasin në emër të zotit të tyre, si një fenomen i përbashkët i të gjithë historisë njerëzore.
Në të vërtetë, ndërsa ISIS-i, grupe të ngjashme si dhe ithtarët e tyre nuk janë përfaqësues të shumicës dërrmuese të myslimanëve në botë, ideologjia e tyre i ka rrënjët në interpretimin salafist dhe ultra-fondamentalist të Islamit. Në fakt, ata mund të na tregojnë për ajete në Kuran, që mund të interpretohen për të mbështetur botëkuptimin e tyre.
Një varg i njohur në Kuran i urdhëron myslimanët që të “luftojnë dhe vrasin të pafetë kudo që ata gjenden, t’i marrin me dhunë dhe ngujojnë, dhe rrinë në pritë për ta në çdo manovër të luftës”. Kur Bin Ladeni bëri një shpallje formale të luftës kundër “hebrenjve dhe kryqtarëve” në vitin 1998, ai përmendi pikërisht këtë ajet Kuranor, në fillim të deklaratës së tij.
Flamuj e zinj që e dallojnë ISIS-in janë një referencë e një thënieje të supozuar të Profetit Muhamed që “nëse ju shihni pankartat e zeza, të cilat vijnë nga drejtimi i Khorasanit, pastaj duhet të shkoni drejt tyre edhe duke u zvarritur nëse është nevoja, sepse në mesin e tyre do të jetë Kalifi i Allahut Mahdiu”. Me fjalë të tjera, ardhja e Khorasanit, një zonë e cila aktualisht përfshin një territor të barabartë me Afganistanin do të sjellë një ushtri që përfshin Mahdiun, shpëtimtarin Islamik të botës.
Organizim të ngjashëm me ISIS-in kishte Al-Kaeda, e cila sigurisht ishte me seli në Afganistan në kohën e sulmeve të 11 Shtatorit. Vitin e kaluar, lideri i ISIS Ebu Bekr El-Bagdadi e quajti veten Kalif, që do të thotë se në mendjen e tij dhe në sytë e pasuesve të tij ai nuk është vetëm lideri i Shtetit Islamik, por udhëheqësi i përgjithshëm i myslimanëve kudo në botë.
Këto besime mund të duken si një iluzion i çmendur për shumicën prej nesh, por është e rëndësishme të kuptohet se ato janë të rënjosura teologjikisht tek islami ultra-fondamentalist. ISIS-i e sheh veten si pararojë e ushtrisë që po sjell sërish Islamin e vërtetë në botë. Ky projekt është i një rëndësie të tillë kozmike, sa ata do të thyejnë çdo numër vezësh për të bërë këtë “omëletë”, e cila është përgjegjëse për fushatën e tyre vrasëse kundër çdo grup etnik apo kombësie fetare, të cilën ata e perceptojnë se i pengon në rrugën e tyre.
Rekrutët e Shtetit Islamik gjithashtu besojnë se ne jemi në fundin e kohës, dhe se ata po e kuptojnë këtë më mirë, si anëtarë të një kulti islamik të vdekjes apokaliptike. Çfarë do të thotë kjo për politikëbërësit? Kjo do të thotë se sfidat e vërteta në këtë arsyetim duhet të vijnë nga udhëheqësit islamë dhe dijetarët, që mund ta katandisin rastin teologjik të ISIS-it, në nivelin e një lajthitjeje. Ky gjithashtu është një projekt islamik, nuk është një një projekt pune. /CNN/
Analist për Sigurinë i CNN
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button