Analiza

Ku jemi me luftën kundër ISIS?

Nga Karim Pakzad

isis war

Ndërkohë që koalicioni ndërkombëtar kundër organizatës së shtetit islamik deklaroi se përparimi i saj nëpërmjet Sirisë dhe Irakut ishte duke u ndalur, kjo deklaratë a ju duket realiste? A ka filluar të japë frutet e saj fushata e filluar nga koalicioni ndërkombëtar kundër organizatës së shtetit islamik?

Ndërhyrja e koalicionit ndërkombëtar, e cila filloi para dy muajve, (goditjet ajrore, lëvrimi i pajisjeve ushtarake për luftëtarët kurdë sirian, iraken dhe ushtrinë irakene), e lidhur me kundër ofensivën e filluar nga forcat kurde dhe irakene të mbështetura nga milicët shiitë dhe pasdaranët iranianë, kanë lejuar të ndalohej përparimi i Shtetit islamik, i cili njihet gjithashtu me emrin e Daesh, dhe të stabilizojnë situatën në Irak. Shteti Islamik sot nuk është në gjendje të ndërmarrë një ofensivë madhore kundër Bagdadit. Kundër-ofensiva e bërë nga trupat në tokë në territorin iraken nuk ka arritur ndonjë sukses: një sulm i forcave xhihadiste mbi qytetin e Ramadit, kryeqytet i provincës së Al-Anbarit, u shty për në fund të muajit nëntor. Forcat irakene të mbështetura nga milicët shiitë (si iraniane ashtu dhe irakene) si dhe kurdët, arritën me sukses të thyejnë rrethimin dhe të çlirojnë qytetin e Amerli më 1 shtator, të mbështetur mirë për këtë nga bombardimet amerikane. Nëse këto fitore të para janë inkurajuese, megjithatë nuk duhet harruar që Shteti islamik nuk e ka thënë akoma fjalën e tij të fundit: grupi xhihadist kontrollon gjithmonë Mosulin – qyteti i dytë i vendit – si dhe pjesë të mëdha të Perëndimit dhe të veriut të territorit iraken.

Në Siri, bombardimet e koalicionit kanë lejuar të shmanget rënia e qytetit kurd të Kobanës në duart e Shtetit islamik, një pikë strategjike në kufi me Turqinë. Tashmë u bënë dy muaj që luftëtarët kurdë rezistojnë ndaj sulmeve xhihadiste. Edhe pse përparimet e Shtetit islamik janë ndalur, megjithatë nuk vërehet një kundër-ofensivë e gjerë në Siri dhe në Irak. Eventualisht kjo do të mund të vihet në zbatim kur ushtria irakene do të jetë e gatshme, e reformuar dhe e pajisur për disa muaj. Ushtria e re irakene, e mbështetur nga milicët shiitë dhe luftëtarët kurdë, do të jetë me të vërtetë në gjëndje të ndërmarrë një aksion më konseguent. Problemi thelbësor mbetet Siria, sepse në territorin e saj gjenden forcat kryesore të Shtetit islamik dhe atje vetëm minoriteti kurd i reziston atij. Pra koalicioni nuk disponon një forcë të armatosur në tokë, e aftë për të mundur xhihadistët. Shumë ekspertë pyesin dhe dyshojnë për mundësinë e mundjes së Shtetit islamik pa një ndërhyrje të gjerë në tokë. Bashar al-Assadi, po përfiton qysh prej disa javësh për t’u paraqitur si mbrojtje kundra Shtetit Islamik, pra aleati potencial i koalicionit.

Çfarë roli luan sot Irani në luftën kundra Shtetit islamik? Lufta kundra këtij armiku të përbashkët, a do të sjellë që amerikanët dhe iranianët të afrojnë qëndrimet e tyre?

Irani e ka rritur mjaft influencën e tij në Irak, qysh me përmbysjen e Saddam Husseinit nga amerikanët në vitin 2003, situatë e cila konsiderohet të jetë një shans i shkëlqyer për Iranin. Në fakt, zgjedhjet e para demokratike në Irak sollën fitoren e partive shiite – shiitët përbëjnë 60% të popullsisë irakene. Por këto parti deri asokohe kishin gjetur strehë në Iran, për t’iu shmangur persekutimeve të regjimit të ish diktatorit iraken, gjë që shpjegon sot influencën e tyre në lojën politike aktuale.Iranianët janë angazhuar në planin ushtarak qysh në përballjet e para me Shtetin Islamik. Qysh me sukseset e para të organizimit siç ishte marrja e Mosulit, iranianët i dhanë një asistencë ushtarake forcave irakene, madje duke i lëvruar ushtrisë edhe avionë luftimi. Në momentin e ofensivës të Daesh-it kundra qyeteteve kurde, kristiane dhe jazide në muajin gusht, Irani ndihmoi autoritetin e Kurdistanit iraken. Presidenti i Kurdistanit iraken, Marzouk Barzani, njoftoi publikisht se Irani ishte fuqia e parë që pranoi t’i lëvrojë armë kurdëve – para Francës dhe madje para Shteteve të Bashkuara.

Sot forcat e armatosura iraniane nuk e fshehin praninë e tyre në Irak. Shtypi iranian ka botuar fotografi të Kassem Sulejmanit, shef i ushtrisë Al-Qods (degë e ushtrisë të Pasdaranëve e cila merret me ndërhyrjet jashtë territorit iranian) në fushën e betejës irakene. Irani mendon kështu të mbrojë një qeveri mike, shiite si ajo, dhe të shmangë marrjen në kontroll nga Shteti islamik të territoreve në kufijtë e tij, që mund t’i lejonin atyre të krijojnë lidhje në Iran. Përveç kësaj, Irani e paraqet mirë rrezikun e madh që përbëjnë xhihadistët e Shtetit islamik të cilët nuk i konsiderojnë shiitët si myslimanë. Në këtë logjikë Teherani nuk ka hezituar të ndërhyjë me avionë luftimi iranian Fantom 4, që kanë sulmuar pozicionet e oragnizatës në Lindje të Irakut, sidomos në anën e Khanaqinit, ndërkohë që Perëndimi përqëndron goditjet e tij ajrore në Perëndim dhe në Veri të vendit.

Sot gjendemi në një situatë të paparë, ku Shtete e Bashkuara dhe Irani, dy vende në konflikt qysh në ditët e para të Republikës islamike, ndodhen përbri njëri-tjetrit duke luftuar përballë një armiku të përbashkët. Marrëdhëniet amerikano-iraniane nga kjo situatë veçse do të përmirësohen. Ne jemi në një fazë mjaft të favorshme për një normalizim të marrëdhënieve të Iranit me Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë me fuqitë perëndimore.

Njëkohësisht për dosjen e çështjeve bërthamore dhe për situatën në Irak, pikat e bashkimit po rriten midis dy vendeve. Ky afrim është interesant për Shtetet e Bashkuara, për një periudhë kur ato kërkojnë të mos angazhohen në afat mesëm nga Lindja e Mesme, për t’i dhënë prioritet Azisë dhe rajonit të Paqësorit, ndërsa iranianët kanë ambicje që të zejnë vëndin e tyre si një fuqi rajonale. Amerikanët mendojnë gjithashtu se Irani është thelbësor në stabilizimin dhe zgjidhjen e konflikteve në rajon.

Si po bëhet marrja në dorë e administratës nga qeveria e re irakene? Haidar al-Abadi, Kryeministri iraken, a ka pasur sukses në përfshirjen përsëri të kurdëve dhe sunitëve në lojën politike irakene?

Pritej që kryeministri i ri iraken, Haidar al-Abadi – edhe pse ai i përket të njëjtës parti si Nouri al-Maliki, kryeministri i mëparshëm – të bënte gjeste qetësimi dhe dhe pajtimi vis-à-vis komunitetit arab sunit, shumë i pakënaqur nga politika e përjashtimit e bërë kundrejt tyre nga parardhësi i tij. Sot komuniteti arab sunit është integruar sërish në lojën politike irakene: pothuaj një e treta e posteve ministeriale janë mbajtur nga sunitët, ku partitë që përfaqësojnë ato kanë fituar vetëm 20% të votave gjatë zgjedhjeve të fundit legjislative.

Ministria e Mbrojtjes, simbolike, i është besuar ta drejtojë një sunit. Rritja e gjesteve të afrimit – sidomos derdhja e pagave të pa paguara për ish anëtarët e milicëve kundra al-Qaïdas, të cilët i ishin bashkuar ushtrisë irakene – lejoi kthimin e disa fiseve sunite, të cilët sot luftojnë xhihadistët e Shtetit Islamik pranë ushtrisë irakene. Haidar al-Abadi ka nisur gjithashtu rindërtimin e ushtrisë irakene, me qëllim që ta modernizojë, ta reformojë dhe ta bëjë sa më racionale. Gjatë përballjeve të para me al-Quaidën gjatë verës, u vu re efikasiteti i saj i dobët si dhe mungesa e trajnimit të saj. Kontrata blerje janë përfunduar për të përmirësuar situatën. Qysh me marrjen e funksionit të tij al-Abadi ka qetësuar dhe normalizuar marrëdhëniet me kurdët. Ai ka premtuar sidomos që fati i qytetit të Kirkoukut, që shumica e kurdëve e kërkojnë për kryeqytet të Kurdistanit, do të rregullohet së shpejti. Haidar al-Abadi i ka rritur provat për të siguruar partnerët e Irakut dhe t’i inkurajojë ata të angazhohen kundra Shtetit islamik.

* Studjues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

SHQIPERUAR NGA SALI METANI/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button