Analiza

Ku po shkon Afrika?

Serge Michailof

Studjues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, ish Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë franceze të Zhvillimit (AFD)

africa

Sipas raportit të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (FNUAP), ulja e përqindjes së pjellorisë do të përbëjë një përshpejtues për ekonominë e kontinentit afrikan. A e ndani ju këtë optimizëm?

Eshtë e saktë kur thuhet që ulja e përqindjes së pjellorisë përfaqson një faktor të rëndësishëm të rritjes ekonomike për banor. Megjithë një rritje ekonomike prej 5 % në vëndet e Sahelit – të cilën me të drejtë do ta kishim zili, përqindja e rritjes së tyre demografike është 3,5 %, do të kenë nevojë për rreth 45 vjet që të dyfishojnë të ardhurat e tyre për banor …Për fat të keq, përqindja e pjellorisë në kontinentin afrikan nuk ndjek modelin klasik, që një ulje e vdekshmërisë ndiqet nga një ulje e pjellorisë. Përkundrazi më duket se përqindja e pjellorisë, përfshirë këtu dhe në vëndet afrikane më të urbanizuara dhe të zhvilluara ka tendencë të qëndrojë në vend, rreth 4 fëmijë për femër. Mesatarja ende është në rreth 4,7 fëmijë për të gjithë Afrikën subsahariane dhe nuk i kalon 7 fëmijë për vëndet më të varfëra dhe rurale, si Nigeria dhe Çadi. Afrika me vështirësi ka nisur tranzicionin e saj demografik. Në këtë kontekst, kjo është shqetësuese sepse rritja e madhe demografike si dhe një popullsi e re rëndojnë shumë në buxhetet sociale të shteteve, në veçanti në fushën e arsimit dhe shtrojnë probleme të frikshme punësimi.

Raporti vë në dukje vështirësinë e rinisë për t’u futur në tregun e punës. Çfarë sfidash përbën për Afrikën kjo rini?

Dividendi demografik që aktualisht na vret veshët për Afrikën, është mjaft teorik, parë në vështirësitë e ndeshura nga të rinjtë për për t’u futur në tregun e punës. Bujqësia e cila në afat shkurtër duhej të ishte furnizuesi kryesor potencial për punësim është lënë shumë pas dore, si nga pushtetet publike lokale, ashtu dhe për donatorët ndërkombëtarë, të cilët nuk i kanë përfshirë këto çështje në objektivave e mileniumit. Ajo krijon për rrjedhojë pak punë dhe praktikisht pak punë të kualifikuar. Punësimet e krijuara nga bumi i naftës dhe i minierave janë anësore. Krijimi i punësimit në shërbimet është i kufizuar nga fryrja e tepërt e burokracive dhe dobësia e krijimit të punësimit në sektorin e teknologjive të informacionit. Përsa i përket industrisë, e cila duhej të ishte furnizuese e madhe punësimi, ka mbetur në vënd, madje dhe vërehet një stanjacion i saj, apo edhe regres për një periudhë të gjatë sepse pjesa e vlerës së shtuar nga sektori i manifakturës në Afrikë është zvogluar këto 20 vitet e fundit, duke arritur në një nivel shumë të ulët, në masën 10 % të GDP. Në total, rritja ekonomike afrikane është mjaft sipërfaqësore në atë që ajo nuk krijon punë në masën e sfidës demografike aktuale. Në krijim e sipër kemi një bombë të vërtetë sociale dhe politike.

A do të ketë nevojë për përshtatje serioze dhe investime ky ndryshim demografik. Cilat janë sipas jush çelësat e këtyre investimeve të ardhshme për t’ju përshtatur këtyre ndryshimeve? A ka kontinenti afrikan burime për t’u bërë ballë këtyre sfidave?

Sigurisht që burimet nuk i mungojnë kontinetit afrikan. Janë politikat sektoriale të përshtatshme që i mungojnë atij, sidomos për të shëndoshur mjedisin e biznesit, të rigjallërohet bujqësia fshatare, etj. Afrika ka treguar në të kaluarën se ajo din të pastrojë përpara portës së saj dhe ka ditur të vërë në zbatim, qysh prej fundit të viteve ‘90, politika makroekonomike të arsyeshme, të cilat të kombinuara me çmimet e larta të lëndëve të para, shpjegojnë në një pjesë të mirë shifrat mikluese të rritjes ekonomike. Por këto politika sektoriale janë të vështira për t’i vënë në zbatim, sepse ato sfidojnë njëkohësisht ekuilibrat politike komplekse midis qyteteve dhe fshatrave dhe të ekonomive kryesisht të bazuara të bazuara në rentën që grupet drejtuese kanë përvetësuar.

Pergatiti: S.METANI/bota.al

Leave a Reply

Back to top button