Analiza

Kuba-SHBA: Nga udhëtimet tek purot, ja çfarë ndryshon

2014-04-07-cuba_usa_flags_ap_img-thumbNdryshimet kryesore pas ndërrimit të kursit mes dy armiqve historikë. Para së gjithash do të rifillojnë bisedimet midis përfaqësuesve të të dy vendeve për një normalizim të marrëdhënieve dhe do të shkohet drejt rihapjes së ambasadës amerikane në Havanë. Për momentin nuk është hequr embargo amerikane ndaj ishullit: Obama nuk e ka autoritetin për ta eleminuar këtë sanksion. Vetëm Kongresi ka një kompetencë të tillë, por Presidenti duket të jetë pro vendimit per heqjen e embargos. Bëhet fjalë për një hap epokal.

Obama i ka dhënë udhëzim Sekretarit të Shtetit, John Kerry, të fillojë diskutimet e menjëhershme me Kubën, me qëllim restaurimin e marrëdhënieve diplomatike Havanë-Uashington. Lidhjet midis dy vendeve ishin ndëprerë në janar të vitit 1961. Si pjesë e procesit të normalizimit, rifillimi i marrëdhënieve diplomatike parashikon gjithashtu, rihapjen e ambasadës amerikane në Havanë dhe realizimin e shkëmbimeve të nivelit të lartë dhe vizitave mes zyrtarëve të qeverive të dy vendeve.
Udhëtimet në Kubë. SHBA do të ndërmarrin nisma për të lehtësuar udhëtimin në Kubë për 12 kategori të ndryshme parashikuar nga ligji amerikan. Ato janë: vizitat familjare; vizita për punët zyrtare të Qeverisë Amerikane, të qeverive të huaja dhe disa organizatave ndërqeveritare; gazetaria; kërkimet shkencore dhe takimet profesionale; aktivitetet edukative; aktivitetet fetare; shfaqjet publike, workshop-e, dhe konkurse atletike e të tjera, ekspozita; mbështetje për popullin kuban; projektet humanitare; aktivitetet e fondacioneve private apo institucioneve arsimore ose kërkimore; eksporti, importi, transmetim informacioni; disa transaksione të eksportit që mund të vlerësohen dhe të miratohen në përputhje me rregullat dhe udhëzimet ekzistuese.
Purot kubane. Udhëtarët amerikanë të autorizuar (kjo ka qenë praktika e deritanishme) do të mund të kthehen në shtëpi duke marrë me vete mallra kubanë deri në shumën 400 USD, duke përfshirë duhanin dhe produktet e alkoolit, për një vlerë jo përtej 100 USD-ve. Por puro kubane të sjella në Shtetet e Bashkuara duhet të jenë ekskluzivisht për përdorim personal. Në praktikë kjo do të thotë fundin e ndalimit të importit të purove kubane, edhe pse do të ketë ende kufizime, kjo referuar një zyrtari nga Uashingtoni.
Kulmi i remitancave. Shuma që do të mund t’u dërgohet qytetarëve kubanë, nga njerëzit që gjenden në Shtetet e Bashkuara (përveç në rastet kur përfituesit janë zyrtarë të qeverisë apo funksionarë të Partisë Komuniste), do të rritet nga 500 në 2000 dollarë për një tremujor. Në fillim të mandatit të tij të parë, Obama lejoi pa kufizime, vizitat mes familjarësh të ndarë mes dy vendeve dhe eliminoi kufizimin vjetor prej 1200 USD, në dërgesat e emigrantëve.
Transaksionet financiare. Institucionet e SHBA do të jetë në gjendje të hapin llogaritë correspondence pranë institucioneve financiare kubane për të lehtësuar transaksionet e autorizuara. Udhëtarët do të mund të përdorin kartat amerikane e kreditit dhe debitit në Kubë.
Komunikimi. Administrata Obama do të autorizojë eksportet tregtare të disa mallrave të cilat do të rrisin aftësinë e kubanëve për të komunikuar me njerëz në Shtetet e Bashkuara apo dhe nëpër botë. Masa përfshin edhe shitje e të pajisjeve të komunikimit, si software, aplikacacione, pajisje, shërbime dhe objekte të përdorura për të krijuar dhe për të ruajtur sisteme komunikimi. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Kuba është një nga vendet në botë më pak të lidhur në internet. Kostoja e telekomunikacionit në ishull është gjithashtu jashtëzakonisht e lartë dhe shërbimet e ofruara janë shumë të kufizuara.
Terrorizmi. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të nisë rishikimin e çështjes  dhe do t’i paraqesë konkluzionet e tij, Presidentit Obama brenda gjashtë muajve. Që prej vitit 1982, Shtetet e Bashkuara e kishin shtuar Kubën në listën e vendeve që sponsorizojnë  terrorizmin.
Përgatiti: Andi Qinami/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button