Analiza

Kufiri nervoz i Europës

MEMO: Shtetet balltike – të gjithë ish-anëtarë të BRSS – pyesin veten se çfarë ka rezervuar Putini për ta

Screen Shot 2015-03-12 at 2.36.51 PMA ka gjasa të sulmojë Moska?

Duket e pamendueshme që, 24 vite pas rifitimit të pavarësisë nga BRSS, Letonia, Estonia dhe Lituania të përfundojnë në një konflikt të armatosur me Rusinë. Por duhet thënë se po kështu mendohej edhe për Ukrainën 15 vjet më parë; por dallimi thelbësor mes fqinjëve veriorë të Rusisë dhe fqinjit të saj shumë më të varfër në jug (të ardhurat mesatare në shtetet balltike janë 21 mijë dollarë; në Ukrainë janë 7400) është se ata janë të integruar fort në rendin politik europiano perëndimor. Që nga viti 2004, të tre janë bërë anëtarë të NE dhe NATO-s. “Të thuash që ne na pret i njëjti fat si i Ukrainës, është njësoj si të thuash se jemi përballë Luftës së Tretë Botërore”, thotë Ivars Zarins, deputet i Harmony, një prej partive proruse të Letonisë.

Atëherë, me çfarë lloj rreziku përballen ata?

Ndërkohë që rreziku i një pushtimi ushtarak nga Rusia duket i largët, nuk ka dyshim se tashmë është radha e shteteve balltike që të përjetojnë atë që Kremlini e quan “luftë hibride” – ajo që The Economist e quan një “kombinim instrumentash, ushtarakë dhe joushtarakë, të koreografuar për të befasuar, hutuar dhe ulur në gjunjë një kundërshtar”. Që nga viti 2013, të tre këta vende kanë parë një seri stërvitjesh ushtarake në kufijtë e tyre; inkursione të panumërt në hapësirën e tyre ajrore dhe në ujërat territorialë; si dhe përpjekje për të nxitur popullsinë proruse në brendësi të tyre. “Ne nuk mund të shuajmë kujtimet tona”, thotë Marko Mihkelson, një deputet estonez. “Ne e dimë nga e kaluara se sa agresivë mund të jenë rusët”.

Për çfarë kujtimesh e kishte fjalën?

Trauma që shtetet balltike nuk e kanë harruar asnjëherë është pushtimi dhe aneksimi i tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas paktit nazisto-sovjetik të mos-sulmimit të firmosur në 1939, Hitleri i lëshoi heshturazi vendet në veri të kufirit të Polonisë, në”sferën ruse të influencës”. Letonia e vogël, Lituania dhe Estonia u gjendën nën një presion të fortë nga Moska që të firmosnin “marrëveshje të ndihmës së ndërsjellë”, më pas të pranonin bazat ushtarake ruse, dhe në fund pushtimin. Mes 3 dhe 6 gushtit 1940, Lituania, Letonia dhe Estonia u pranuan formalisht në BRSS – fillimi i një faze dëbimesh dhe spastrimesh kaq brutalë, saqë shumëkush e pranoi pushtimin nazist një vit më vonë si një çlirim. Pas nazistët u dëbuan në vitin 1944, shtetet balltike iu nënshtruan dekadave “sovjetizim”, që përfshinin migrimin masiv të rusëve etnikë si dhe një prani të madhe ushtarake. Ushtarët e fundit rusë u tërhoqën formalisht në tetor 1999, 60 vjet pasi kishin mbërritur.

Cfarë kërkon Rusia tani?

“Jemi në një situatë ku presim çdo lloj gjëje”, tha për FT ministri i jashtëm Linas Linkevicius. Vitin që kaloi pati një seri incidentesh që kishin për qëllim të testonin vendosmërinë e shteteve balltike, që nga rrëmbimi i një polici në kufirin rus (më vonë atë e parakaluan në Moskë si spiun) deri në bllokimin e anijeve lituaneze të peshkimit në ujëra ndërkombëtarë. Viti që kaloi, anije ushtarake ruse u gjendën më shumë se 50 herë në ujërat letoneze, ndërkohë që avionët e NATO-s janë ngritur në fluturim 200 herë për të dëbuar avionët rusë nga hapësira ajrore letoneze. Moska ka gjithashtu kanale në gjuhën ruse, me përmbajtje antiperëndimore në rajon, të cilët u kushtohen veçanërisht rusëve etnikë.

Sa është numri i tyre?

Në Estoni dhe Letoni ata janë afro një e katërta e popullsisë. Moska është fokusuar pa pushim tek të drejtat e këtyre pakicave, duke financuar parti politike proruse si dhe duke vënë theksin tek mosmarrëveshjet – shumë prej tyre një trashëgimi i pushtimit. Në tetor të vitit që kaloi, Vladimir Putini përmendi “manifestime të hapur të neonazizmit” në Letoni dhe në po të njëjtin muaj, Harmony fitoi numrin më të madhe të votave në zgjedhjet parlamentare. “Kur shohim atë që ndodhi në Krime dhe Ukrainë”, deklaroi udhëheqësi i saj, Nils Usakovs, “mendoj se është një shans unik për të ndryshuar disa gjëra që i kemi bërë gabim në dekadat e fundit”. Në Lituani, ku rusët përbëjnë 6% të popullsisë, enklava e Kaliningradit – një pjesë e izoluar territori rus në brigjet e Balltikut – ka përqëndrim më të lartë tensioni. Në vitin 2013, Rusia dhe Bjellorusia organizuan aty stërvitjet ushtarake “Zapad”, në të cilat simuluan pushtimin e një shteti të NATO-s.

Cfarë po bën NATO?

Ka hartuar plane emergjence në rast të një pushtimi nga Rusia, dhe në verë të vitit që kaloi organizoi stërvitjen e vet “Saber Strike” në tre shtete, me 4700 trupa nga dhjetë shtete. Por një zëdhënës i NATO-s deklaroi vitin që kaloi se ka një “mospërputhje serioze mes detyrimeve të NATO-s dhe burimeve të saj”. Ndërkohë që rifreskimi që Rusia po u bën forcave të armatosura ka një kosto 300 miliardë dollarë, vetëm 9 nga anëtarët e NATO-s i plotësojnë detyrimet e tyre financiare. Mes tyre, Britania, Gjermania, Italia dhe Kanadaja do të shpenzojnë 6.7 miliardë dollarë më pak për ushtritë e tyre këtë vit, krahasuar me vitin që kaloi. Por edhe nëse do i kish burimet, NATO pengohet prej Nenit 5 të statutit të saj, që NATO angazhohet vetëm në rast të një sulmi ndaj një prej anëtarëve.

Përse ky është problem?

Sepse shfrytëzimi me aftësi nga Rusia i luftës hibride është një nivel më poshtë se sa ai që qeveritë e shteteve anëtarë do ta përshkruanin si “sulm”. As Letonia, as Lituania dhe as Estonia nuk kanë raportuar në NATO ndonjë nga aksionet e Rusisë, dhe disa ekspertë ushtarakë shqetësohen se çfarë do të ndodhte nëse do ta raportonin. A do të ishte e gatshme SHBA të riskonte një sulm ushtarak në një tjetër Krime, apo në qytetin kufitar estonez të Narvas, ku katër të pestat janë rusë?

Andrew Michta, i Qendrës për Studime Ndërkombëtare Strategjike në Uashington, thotë se mund të jetë pjesë e planit të Putinit provokimi i një prej shteteve balltike, që këta të kërkojnë ndihmë. Më pas, “NATO do të nisë një debat brenda saj nëse kjo është vërtetë situatë ku duhet përmendur Neni 5”, paralajmëron ai, “dhe menjëherë, në mesin e zhurmës së debatit, e gjithë besueshmëria e Aleancës do të avullojë”./THE WEEK/

www.bota.al

 

 

 

 

Leave a Reply

Back to top button