Filmi i regjisorit italian Paolo Sorrentino gëzon deri tani 21 çmime ndërkombëtare (mes të cilëve një golden Globe si filmi më i mirë i huaj’) dhe 24 nominime. Për natën e 2 marsit, tifozët që ky realizim ka krijuar deri tani, përfshirë dhe të nënshkruarin, urojnë çmimin “Oscar”. Në një artikull shfaqur në janar në gazetën “Corriere della Sera”, gazetari Beppe Severgnini shpjegonte… Pse “La Grande Bellezza”, (Bukuria e Madhe) u pëlqen aq shumë të huajve (e pse le të shtangur disa italiane)?
1. Se ofron një interpretim të Romës dhe të Italisë. Por cdokush ka një imazh të tijin, e mjerë kush e prek …
2. Se ofron një përmbledhje. E dobishme, si çdo përmbledhje. Për ata që e njohin këtë temë prej kohësh, mund të duket edhe thjeshtësuese.
3. Se është një përmbledhje njëkohësisht e mëshirshme dhe e pamëshirshme. Imazhi i Romës ofruar nga Sorrentino është dekadent, prekës, i ashpër. Dhembshuri dhe dënim sëbashku: Për disa prej nesh, është e tepërt. Dhembshuria e masës ka caqe relative që ndryshojne nga vendi në vend. Është normale…lidhet me dramat e paradokset apo absurditet e secilit vend. Dënim? …aq më tepër. Po patjetër që do të ndihmonte në perceptim një eksperiencë jete të paktën disa vjeçare në këtë qytet.
4. Se është një citim i gjatë i Fellini-t, Flaiano-s, Pasolini-it, De Chirico-s e të tjerëve. Evokues! Përsëritës! Gëzohen të huajt, që gjejnë aty pika referimi. Siç pëshpërisin dhe ca bashkëatdhetarë, për të cilët e shkuara ka qenë më e mirë.
5. Se paraqet një Itali sensuale, plot ngjyra, shije, aroma, dhe drita. Vendi ynë thote – gazetari – shihet nga bota si “palestra” e ndjeshmërisë, si një përzierje emocionesh, si gjithë tundimet e botës mbledhur bashkë. Ne jemi ajo që të tjerët do të donin të ishin, të paktën një herë: dhe nuk guxojnë. (Tek flet me shqiptarët për Italinë ….dëgjon për ushqim të mirë ….shopping. Ndjeshmëri apo emocion…nuk do dija ta thoja).
6. Se ai shpjegon se si bukuria (e madhe) mund të bëhet një barrë (e madhe). Por edhe një rrugëdalje. Është e vështirë të bësh një jetë si ajo e JEP Gambardella-s, në Zyrih. Me kthimin në shtëpi në pesë të mëngjesit, një gjashtëdhjetëvjecar do të gjente vetëm vështrime mosmiratues, e jo një surprizë në çdo cep, apo një dyzetëvjeçare në shtrat. (Tek ne Jep-i do të ishte një biznesmen me bark të fryrë që shkon me shumë femra…po jo festa mondane….restorante gjymëstil e apartamente akoma pashitur ndërtuar nga ai vetë apo ndonjë mik. Ky po që do të lakmohej. Për më të shumtët, admirimi e zilia do ta shpjegonte tamam situatën. Nga ambjente disi më fisnike mund të vinte ndonje mosaprovim apo kritikë nën zë).
7. Se rrefen që në Itali pas çdo dobësie është fshehur një cilësi, dhe anasjelltas. Po ta zhvendosnit personazhin e Sabrina Ferilli-it, nga Via Veneto (Romë) ne St. Pauli (Hamburg), do të humbte pesë kilogramë dhe të gjithë poezinë. (Edhe tek ne kanonet e sexappeal-it – seksllekut – janë të ngjashëm, por poezia, me shumë gjasa, do të humbte).
8. Se këto personazhe të tepruar, te pasigurt, të shqetësuar, te eksituar dhe humoral janë në thelb të njeriut…. Dhe, si shkroi në vitet pesëdhjetë një udhëtar amerikan, Italia është “toka e natyrës njerëzore”. E Roma, është pra natyrisht, kryeqyteti i saj.
Edhe pa këto arsye, nuk duhen humbur xhirimet mbi Italinë “…. ku çdo pallat, plot me kryevepra, është vetë një kryevepër, ku mermeri, druri bronzi, hekuri, metalet dhe gurët dëshmojnë për gjeniun e njeriut….. është për të gjithë ne, atdheu i shenjtë, që e duam, sepse na tregon përpjekjen, madhështinë, fuqinë dhe triumfin e inteligjencës krijuese…”.
As Jep-i, ky viveur në pamje te parë i pakorrigjueshëm, me monologun e tij, nuk duhet humbur: “Kur arrita në Romë, në moshën 26 vjeçare, precipitova, krejt pa e kuptuar, në atë që mund të quhet vorbulla e mondanitetit. Po nuk doja thjesht të isha një mondan, unë doja të bëhesha mbreti i mondanëve. Unë nuk doja vetëm të shkoja në festa, doja të kisha fuqinë t’i bëja festat të dështonin”.
Përgatiti:
Andi Qinami