Speciale

“Kur Henri takoi Karlin”. Pas New York Times, edhe BBC per operacionin e pazakonte ne Tirane

image

Pas jehonës së jashtëzakonshme që pati në mediat ndërkombëtare ndërhyrja e kirurgjisë zgjuar të trurit (Awaken Craniotomy), e cila u zhvillua në Shërbimin e Neurokirurgjisë në QSU “Nënë Tereza”, dhe që u përcoll në mënyrë mjeshtërore në mediat ndërkombëtare, si New York Times në SHBA apo “Internazionale” në Itali, përmes reportazhit brilant të shkrimtarit norvegjez Karl Ove Knausgaard, tashmë radhën e ka patur rrjeti prestigjoz britanik, BBC.

Emisioni “Artsnight” që transmetohet në BBC 2 është ndër më të ndjekurit nga publiku britanik, dhe njërin prej episodeve të tij të fundit, titulluar “Kur Henri takoi Karlin”, ia ka kushtuar tërësisht takimit mes dy personaliteteve të jashtëzakonshëm në fushat e tyre, kirurgut me famë botërore Henry Marsh, dhe shkrimtarit ndër më të njohurit sot në botë, Karl Ove Knausgard. Një takim mes dy personaliteteve, që zanafillën e ka pikërisht në Tiranë.

“Karl Ove Knausgard është një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore”, është prezantimi që i bën BBC. “Librat e tij autobiografikë janë krahasuar me Proustin dhe James Joyce-n”.

“Ndërsa Henry Marsh është një prej neurokirurgëve më të zotë, libri bestseller i të cilit, “Mos bëj dëm” hapi përpara syve të lexuesve botën e kirurgjisë së trurit, dhe u prit në mënyrë të jashtëzakonshme”.

Në specialen e Artsnight në BBC, Henry interviston shkrimtarin norvegjez, në një shkëmbim rolesh mes të dyve.

Një hapësirë të rëndësishme në emision i është kushtuar ndërhyrjes që u zhvillua në Shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT në gusht të vitit 2015.

Prof. Mentor Petrela, Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, pas një bashkëpunimi të gjatë me Profesor Henry Marsh, e ftoi këtë të fundit për të kryer së bashku ndërhyrjet tejet të pazakonta në tru, në të cilat pacienti qëndron zgjuar dhe ndërvepron me ekipin mjekësor, gjatë të gjithë kohëzgjatjes së ndërhyrjes. Falë këtij ndërveprimi, gjatë ndërhyrjes bëhet i mundur vlerësimi dhe respektimi gjatë manipulimeve milimetrike i zonave funksionale të trurit, me rëndësi jetike për funksionet e pacientit, si shikimi, dëgjimi, të folurit, lëvizjet etj.

“Kur Henri takoi Karlin” ka vënë përballë njëri-tjetrit, në një diskutim tejet interesant letrar, shkencor e kulturor, dy personalitetet – pikëvështrimin e tyre për trurin, materien, mendjen dhe shpirtin, duke e lidhur herë pas here me eksperiencën e tyre në Tiranë, pak muaj më parë.

Të dy protagonistët e “Artsnight” në BBC kanë folur gjerësisht në lidhje me përparimin e neurokirurgjisë bashkëkohore, duke zgjedhur një këndvështrim pothuaj filozofik të luftës së përditshme mes jetës dhe vdekjes.

“Secili prej nesh në kokën tonë, vetë qenia jonë, ndërgjegja jonë, janë në fakt një mister më i madh se sa Big Bangu dhe kozmosi, apo edhe vetë Universi”, konkludojnë dy shkrimtarët. “Sepse në fakt ne kuptojmë shumë më tepër për universin, se sa për vetë ndërgjegjen tonë”.

Megjithatë, qoftë me syrin tek teleskopi, qoftë me bisturinë në duar dhe pacientin zgjuar, misteret një ditë do të zgjidhen… .

Leave a Reply

Back to top button