HistoriMAIN

Kur historia bëhet në Krishtlindje

Nga rikrijimi i Lindjes së Krishtit prej Shën Françeskut të Asisit, tek kurorëzimi i Uilliam Pushtuesit. Nga krijimi i një fenomeni muzikor si “Silent night”, nga një prift në një qytezë të vogël austriake, tek transmetimi i parë nga hapësira prej astronautëve amerikanë. Për Krishtlindje është bërë gjithmonë histori

25 DHJETOR 1223

Kur Shën Françesku i Asizit rikrijoi Krishtlindjen

Sot, qyteti i Greçios, në Apeninet e Italisë Qendrore, është një vend i qetë dhe i përgjumur. Por në Krishtlindjet e vitit 1223, ai priti një nga njerëzit më të njohur të botës mesjetare: Françeskun e Asizit, fratin katolik dhe themeluesin e Urdhrit Françeskan. Dhe ishte pikërisht Françesku ai që vendosi se Greçio duhej të shfaqte skenën e parë të lindjes së Krishtit në botë.

Atëherë në fillim të të dyzetave, Françesku ishte i vendosur t’u kujtonte banorëve të Greçios se Krishtlindja kishte më shumë kuptim sesa ushqimet e shtrenjta dhe dhuratat e bukura. Asokohe, ashtu si sot, njerëzit shpesh ankoheshin se kuptimi i vërtetë i festës ishte humbur.

Prandaj, i vendosur të “përkujtonte lindjen e Foshnjës Jezus me përkushtim të madh [dhe] me gjithë solemnitetin e mundshëm”, Françesku i kërkoi Papës Honor III leje për të vënë në skenë një shfaqje të vogël për popullin e Greçios.

Françesku kishte qenë në Tokën e Shenjtë disa vite më parë dhe ka shumë gjasa të jetë frymëzuar nga vendet e lidhura me Ungjijtë. Sipas Shën Bonaventurës, ai “përgatiti një grazhd dhe solli sanë, një ka dhe një gomar në vendin e caktuar”. Më pas, ndërsa mesnata e Natës së Krishtlindjes po afrohej, “vëllezërit u thirrën, njerëzit u mblodhën me vrap, pylli ushtoi nga zërat e tyre dhe ajo natë e nderuar u bë e lavdishme nga dritat e shumta dhe psalmet kumbues të lavdisë”.

Skena e lindjes së Krishtit pati një sukses të jashtëzakonshëm. Një burrë, ish-ushtar që ishte bërë një nga shokët më të afërt të Françeskut, madje pretendoi se kishte parë një vegim të “një Foshnje mrekullisht të bukur, duke fjetur në grazhd”. Që nga ai çast, nuk kishte më kthim pas.

25 DHJETOR 1066

Kurorëzimi i Pushtuesit

Në mëngjesin e Ditës së Krishtlindjes, Uilliami i Normandisë kalëroi nëpër rrugët e Westminster-it drejt kurorëzimit të tij. Destinacioni ishte abacia madhështore e re, e nisur nga kushëriri i tij i largët, Eduard. Kishin kaluar pak më shumë se dy muaj që nga Beteja e Hastings.

Në mbarë vendin, rezistenca ende vlonte nën sipërfaqe dhe masat e sigurisë rreth abacisë ishin të rrepta.

Kurorëzimi i Uilliamit ishte planifikuar si një grusht propagandistik përfundimtar. Në një çast tejet simbolik, pushtuesi u kurorëzua mbret nga Kryepeshkopi i Jorkut, më parë një nga mbështetësit kryesorë të Haroldit II, mbretit të fundit anglo-sakson. Përpara se t’i vendoste kurorën mbi kokë Uilliamit, Ealdredi e pyeti turmën, në anglisht, nëse e donin atë si mbret. Dhe, siç ishte pa dyshim e organizuar, shpërthyen brohoritje të forta miratimi.

Por më pas erdhi katastrofa. Në një shenjë domethënëse të ankthit të asaj dite, trupat normane të Uilliamit i keqkuptuan thirrjet e turmës angleze.

Sipas kronikanit Orderic Vitalis, “roja e armatosur jashtë, duke dëgjuar zhurmën e turmës së gëzuar brenda kishës dhe theksin e ashpër të një gjuhe të huaj, imagjinoi se po kurdisej ndonjë tradhti dhe, me nxitim, u vuri zjarrin disa ndërtesave”. Zjarri u përhap, turma u kaplua nga paniku dhe, siç shkroi Vitalisi, “turma burrash e grash të çdo rangu e gjendjeje vërshuan jashtë kishës me nxitim të tërbuar. Vetëm peshkopët dhe pak klerikë e murgj mbetën, të tmerruar, në shenjtërore dhe, me shumë vështirësi, e përfunduan shugurimin e mbretit, i cili dridhej nga koka te këmbët.”

Për Uilliamin, ishte fillimi më i keq i mundshëm; për nënshtetasit e tij të rinj, ndërkohë, ishte një shenjë e asaj që do të pasonte. Anglezët, shkruan Vitalisi, “nuk u besuan më kurrë normanëve, që u dukeshin se i kishin tradhtuar, por e mbajtën gjallë zemërimin dhe pritën momentin e duhur për t’u hakmarrë”.

24 DHJETOR 1818

Një prift austriak zbulon këngën e tij: “Silent night”. Dhe lindi një fenomen muzikor

Në dhjetor të vitit 1818, qyteti i vogël Oberndorf, pak në veri të Salzburg-ut, ende po mjekonte plagët e veta. Dy vjet më parë, pas traktateve që shënuan fundin e Luftërave Napoleonike, qyteti ishte ndarë më dysh: pjesa veriore, përtej lumit Salzach, iu dha Bavarisë. Kufiri i ri i kishte dhënë një goditje të rëndë ekonomisë vendase; papunësia dhe pakënaqësia kishin arritur kulmin.

Mes këtyre tronditjeve, pak kush i kushtoi vëmendje mbërritjes së një prifti të ri, Josef Mohr, djali jashtëmartese i një mercenari austriak. Me vete, Mohr kishte sjellë skicën e një poezie me gjashtë strofa, të hedhur me dorë teksa shërbente në një kishë në Alpe. Dhe kur Mohr mori vesh se organoja e kishës ishte prishur, çka do të thoshte se mesha e mesnatës së Natës së Krishtlindjes mund të mbetej pa muzikë, ai i sugjeroi organistit, Franz Gruber, se poezia e tij mund të bëhej një këngë e bukur Krishtlindjeje. Gruberi iu përvesh menjëherë punës për melodinë.

Ndërsa besimtarët çanin borën drejt Kishës së St Nicholas atë mbrëmje Krishtlindjeje, askush nuk e dinte se po bëhej dëshmitar i lindjes së një fenomeni muzikor. Sot, Silent Night është ndoshta kënga e Krishtlindjes më e njohur në botë, e përkthyer në rreth 300 gjuhë dhe dialekte. Famën në botën anglishtfolëse ia detyron shumë një prifti amerikan, John Freeman Young, i cili e përktheu këngën për besimtarët e famullisë së tij në Nju Jork në vitin 1859 dhe më pas u bë peshkop i Floridës.

Megjithatë, kënga që këndojmë sot nuk është krejt e njëjtë me versionin origjinal të Mohr-it dhe Gruber-it. Në fillimet e saj, ajo ishte më e shpejtë dhe më e gjallë, një këngë për t’u dhënë zemër besimtarëve të një qyteti të vogël, të lodhur dhe të rrënuar, shumë larg baladës së butë që njohim dhe duam në shekullin XXI.

24 DHJETOR 1968

Ekuipazhi i Apollo 8 jep transmetimin e parë të Krishtlindjes nga hapësira

Qindra miliona njerëz në mbarë botën dëgjuan fjalimin historik të astronautëve në Natën e Krishtlindjes së vitit 1968. Frank Borman, James Lovell dhe William Anders kishin qenë në hapësirë prej tre ditësh. Si ekuipazhi i misionit Apollo 8 të NASA-s, tre astronautët amerikanë u bënë qeniet e para njerëzore që dolën jashtë orbitës së Tokës, që udhëtuan rreth Hënës dhe që panë planetin e tyre të lindjes në errësirën kozmike. Dhe ata ishin gjithashtu protagonistët e një tjetër momenti historik: transmetimit të parë të Krishtlindjes nga hapësira.

Pasi anija e tyre ishte sjellë nëntë herë rrotull Hënës, astronautët dolën drejtpërdrejt përpara një audience globale, e vlerësuar në qindra miliona shikues. “Tani po i afrohemi lindjes së diellit hënor,” tha William Anders, “dhe për të gjithë njerëzit në Tokë, ekuipazhi i Apollo 8 ka një mesazh që do të donte t’ua dërgonte.” Më pas ai citoi fillimin e Librit të Zanafillës: “Në fillim, Perëndia krijoi qiellin dhe tokën” dhe, njëri pas tjetrit, astronautët lexuan dhjetë vargjet e para të Biblës.

Sipas çdo standardi, ishte një moment i jashtëzakonshëm. “Oh, kjo është paksa e tepruar, paksa shumë dramatike,” mendoi prezantuesi veteran amerikan i lajmeve Walter Cronkite, teksa astronautët nisën leximin. Por, kur ata përfunduan, edhe vetë Cronkite, ashtu si dhjetëra miliona të tjerë, u duk qartësisht i prekur. “Në momentin që Borman përfundoi leximin e atij fragmenti nga Bibla, e pranoj se m’u mbushën sytë me lot,” tha Cronkite më vonë. “Ishte vërtet mbresëlënëse dhe pikërisht gjëja e duhur për t’u bërë në atë çast. Pikërisht gjëja e duhur.” / bota.al

Back to top button