Psikologji

Kur nuk bën punën që të pëlqen…

Studimet tregojnë se 85% e njerëzve në mbarë botën e urrejnë punën e tyre dhe duke marrë parasysh faktin se njerëzit kalojnë rreth 90.000 orë në punë përgjatë gjithë jetës, mendoj se kjo tematikë duhet të diskutohet. Një punë që nuk e pëlqejmë, ndikon në mjaft aspekte të jetës sonë. 25% e të punësuarve thonë se puna është shkaku kryesor i stresit tek ta dhe 40% e pranojnë se punët e tyre janë tepër stresuese. Në një punë që nuk e pëlqen, mund të kalosh orë të tëra stresi dhe trishtimi. Lodhja që merr, do të jetë shumë herë më e madhe.

Nga ana tjetër, mund të kalosh, ditë, muaj apo vite të tëra me orë pune shtesë dhe sërish të ndihesh mirë dhe entuziast/e për të punuar akoma më tepër. Kjo ndodh në punët që të pëlqejnë dhe i bën me qejf. Duke e ditur se çfarë pëlqen, se çfarë do të bënte të lumtur, pse nuk e bën?

Përgjigjen tënde e di edhe unë, pasi edhe unë kam qenë në të njëjtat situata në jetë. Arsyeja se pse nuk vendos është frika nga dështimi, frika për të bërë diçka të re, frika për të ndërmarrë risqe. Nga ana tjetër, në vendin tonë ka edhe një arsye akoma më madhore nga këto. Guximi për të ndërmarrë risqe mund të ekzistojë, por mund të bjerë në kundërshtim me të ardhurat që të ofrohen nga puna që të pëlqen. Jo çdo punë të siguron të ardhura të mira, ndaj edhe ne bëjmë punë që nuk na pëlqejnë. Na duhen të ardhura të mira për ta përballuar jetesën dhe nuk mund t’ia dalim dot me një rrogë shumë më të ulët. Kjo është diçka normale, pasi edhe kostoja e jetesës është rritur kohët e fundit.

Ndaj, duke i vendosur gjërat në peshore, zgjedhja normalisht të takon ty. Nëse vendos të bësh punën që pëlqen, ke për t’u ndjerë shumë më mirë përbrenda. Nëse vazhdon të mbash punën që po bën aktualisht, të paktën mos u ndal së bëri gjërat që të pëlqejnë. Gjatë fundjavës, gjatë kohës së lirë bëj çfarë të pëlqen. Gjeje edhe kohën për ta argëtuar veten pas një punë që duket sikur të mbyt dita ditës. Krijoji vetes kushte për t’u ndjerë mirë… / bota.al

Leave a Reply

Back to top button