Analiza

Kur thua SHBA, ke thënë CIA…

Screen Shot 2015-05-20 at 17.40.54

E përmuajshmja amerikane, Foreign Policy, i ka kushtuar një speciale të gjatë rolit gjithnjë e më të madh që Central Intelligence Agency (CIA), ka marrë që nga 11 shtatori 2001, jo vetëm në brendësi të komunitetit amerikan të shërbimeve të inteligjencës (janë shumë agjenci brenda këtij komuniteti), por edhe në formësimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Gjë që ka bërë që sot, jashtë Amerikës, kur ke thënë SHBA, praktikisht ke thënë CIA, dhe kur ke thënë CIA…

“Që nga dita e krijimit të saj në vitin 1947”, shkruan Foreign Policy në numrin e fundit”, CIA është transformuar në mënyrë të vazhdueshme, nga një agjenci e kushtuar misionit të saj të spiunimit të qeverive të huaja, në një agjenci, prioriteti kryesor i të cilës sot është të gjurmojë dhe të vrasë militantë të organizatave terroriste në një numër shtetesh, që sa vjen e rritet”.

Eshtë mirëdokumentuar tashmë, sipas Foreign Policy, se rritja e shtrirjes së influencës që agjencia ka në luftën kundër terrorizmit, reflekton në pjesën më të madhe rritjen e aftësive të saj në gjurmimin e armiqve të Amerikës, nga Pakistani në Jemen.

Sipas Foreign Policy, ajo që befason shumëkënd, është “aftësia e CIA-s për të lundruar nëpër skandale publikë dhe për të manovruar duke nxjerrë jashtë loje, apo shmangur, Drejtorinë e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës, Shtëpinë e Bardhë, Kongresin, Departamentin e Mbrojtjes, si dhe pjesën tjetër të komunitetit të shërbimeve të fshehtë. Përmes të tilla makinacioneve, CIA ia ka dalë mbanë që të eleminojë kundërpeshat e tjera ndaj fuqisë së saj”.

Nuk ka dyshim se një agjenci me të tilla përmasa dhe kompetenca ka pasojat e veta edhe në nivel global, vijon në special e saj Foreign Policy. Pjesa dërrmuese e gjërave që bota i lidh me politikën e jashtme të SHBA që pas 11 shtatorit – që nga sulmet me avionë pa pilot në Lindjen e Mesme, deri tek të burgosurit e fshehtë përreth botës, apo torturat që ndodhën brenda mureve të tyre – e ka fillesën në Langley, qendrën e CIA-s. Dhe duke parë dominimin e agjencisë, shkruan Foreign Policy, të gjithë gjasat janë që CIA të vazhdojë të luajë rolin e vet, për mënyrën se si SHBA perceptohet në botë. Shembulli më i mirë sipas revistës amerikane, është fakti që sot CIA është maja e shtizës së përpjekjeve të administratës Obama për të luftuar Shtetin Islamik, teksa oficerë të CIA-s vazhdojnë të shërbejnë në baza të vogla në Siri dhe Irak, për të përgatitur dhe stërvitur luftëtarë të grupeve të moderuar anti Asadiste. Kur thua SHBA, ke thënë CIA… /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button