Motivuese

Kur vështirësitë të bëjnë më të fortë. Historia prekëse e Teas…

Diagnoza e “Çrregullimeve të të nxënit” në shkollën fillore, lodhja, presioni dhe mundimet për t’ia dalë mbanë. Tea është diplomuaar me 99 pikë dhe sot ndihmon fëmijët e tjerë me vështirësi në të mësuar.

Shpjegimi i fjalës “disleksi” në internet, është: “Përfaqëson një nga paaftësitë më të shpeshta të të nxënit dhe prek 3-7% të popullatës, edhe pse rreth 20% e tyre mund të shfaqin simptoma të një natyre të dukshme”. Enciklopedia online flet realisht për një “paaftësi”, jo për çrregullim, edhe pse më poshtë shkruhet: “Disa e konsiderojnë edhe si një mënyrë ndryshe të të nxënit, me avantazhet dhe disavantazhet e saj”.

Tea, 23 vjeçe, pas një rrugëtimi të lodhshëm por të suksesshëm në shkollë, nuk i mohon avantazhet e disleksisë, çrregullimit të  të nxënit, me të cilin është rritur. “Duke i përsëritur shumë herë të njëjtat gjëra për t’i memorizuar, shpesh zhvillon edhe botëkuptime apo mënyra të ndryshme të të mësuarit. Vështirësinë time e kuptoi për herë të parë mamaja ime. Ajo është mësuese dhe përherë dyshonte për disleksinë, por mësueset e fillores e mohonin duke më konsideruar si tepër inteligjente. Duhet të kem qenë në klasë të tretë ose të katërt, kur i shihja e i shihja fjalët në dërrasën e zezë që kishte shkruar në gjermanisht mësuesja, por nuk arrija t’i lexoja. Ndërkohë shokët e shoqet qeshnin me mua. Një mësues pasi mbarova filloren, arriti ta kuptonte realisht që isha disleksike. E shihja ngultazi në buzë dhe ai fillimisht mendoi se isha shurdhe, derisa e kuptoi që unë dëgjoja dhe e diskutoi me mamin mundësinë që mund të isha disleksike. Gjëja e mirë në atë kohë ishte se na jepnin pak detyra dhe kisha shumë kohë në dispozicion për t’i bërë. Bëja shumë gabime ortografike (jo gramatikore) dhe e urreja matematikën, sepse donte shumë përqendrim. Më pëlqenin më tepër lëndët shoqërore, si filozofia, psikologjia, sociologjia etj. Ia dilja të arrija rezultate të larta, edhe pse më duheshin shumë më tepër orë për të studiuar, krahasuar me shokët e klasës.

Vetëm kur u bëra e pavarur dhe nisa të lexoja për çrregullimin tim, arrita të ndryshoja për mirë. Disleksinë nisa ta shihja si një neurodiveristet, me të cilin duhet të jetoja gjithë jetën. Nuk ishte një sëmundje, nga e cila do të shërohesha. Lexova edhe për teknikat më të përshtatshme për të mësuar për një person disleksik. Fillova t’i fshihja figurat në libra dhe në vend të tyre, vizatoja. Përdorja ngjyrat. Fillova të përdorja edhe fjalët që konsideroheshin si më të thjeshtat për t’u mbajtur mend për personat si unë.

Avantazhi i disleksisë është fakti që diçka duhet ta lexosh shumë herë për ta fiksuar në mendje, ama kur e mëson, nuk e harron kurrë. Një anë tjetër e rëndësishme, është të flasësh gjithmonë për vështirësitë që po has, pa u turpëruar. I inkurajoj të gjithë personat që unë, që një çrregullim të tillë të mos e shohin si diçka që duhet të turpërohen.

Pasi mbarova edhe shkollën e lartë me rezultate maksimale, mendoj se kam mjaftueshëm eksperienca për t’i ndarë e për të mësuar edhe të rinj me të njëjtin çrregullim si unë. Kam nisur edhe punë si animatore në një qendër të rinjsh. Përpara kësaj pune e mendoja veten të ndrojtur, kurse tani kam raporte shumë të mira me të tjerët. Pra, kam arritur të njoh aspekte të vetes që nuk i njihja më parë”.

Back to top button