Histori

Kurrë mos e fyej një Viking, ose “Gjëja” mund të vendosë fatin tënd

Nëse ofendonit një Viking, një reagim normal do të ishte vrasja në vend. Nëse vrasja ndodhte ditën për diell me dëshmitarë të pranishëm dhe pa u përpjekur vrasësi, që ta fshihte veprimin e tij, dënimi për krimin po ishte pagimi i gjobës.

Vikingët kishin një sistem kompleks nderi dhe gjyqësor që ndoshta u zhvillua gjatë shumë shekujsh, shumë kohë para Epokës së Vikingëve.

Shumica e konflikteve zgjidheshin midis familjeve të përfshira. Nëse ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje, Gjëja (gjuha e vjetër e vikingëve, anglishtja e vjetër dhe islandishtja e vjetër: þing, kuvendi qeverisës i njerëzve të lirë), kishte fjalën e fundit.

Të thirrej Gjëja, konsiderohej si një akt shumë armiqësor dhe për këtë arsye palët gjithmonë përpiqeshin të arrinin një marrëveshje. Mbledhjet mund të ishin gjithashtu mënyra për t’i detyruar kundërshtarët të arrinin një zgjidhje të mosmarrëveshjes.

Një Viking mund të gjobitej, dënohej me vdekje ose të shpallej i jashtëligjshëm. Kjo e fundit do të thoshte se dikush mund të të vriste pa asnjë pasojë, diçka që konsiderohej më e keqe se një dënim me vdekje.

Një metodë tjetër për zgjidhjen e çështjeve mes tyre ishte një duel: një sfidë ku dy burra luftonin me shpata ose me armë të tjera, shpesh për gratë apo pronën.

Vrasjet e Hakmarrjes

Në shoqërinë Vikinge, të gjithë burrat dhe gratë e lira kishin të drejtën të bënin vrasje për hakmarrje.

Mund të vrisje dikë në publik pa patur pasoja serioze, sepse ishe i ndershëm dhe nuk i fshihje veprimet tuaja dhe ua jepje të tjerëve mundësinë për të reaguar.

Ishte e rëndësishme që të merrje përgjegjësinë për vrasjen dhe të mos ikje, dhe të paguaje gjobat. E njëjta gjë vlente për të vrarë dikë në një luftë.

Zjarrvënia ose vrasja e dikujt gjatë natës konsiderohej jashtëzakonisht e neveritshme, sepse nuk i jepje njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur. Veprat ishin të dënueshme me dënim me vdekje, ose kryerësi shpallej jashtë ligjit.

Gjobat

Vikingët mund të ishin jashtëzakonisht të dhunshëm kur bastisnin Ishujt Britanikë dhe Evropën kontinentale, por në shtëpi në Skandinavi kishte dënime të ashpra për kryerjen e krimeve të dhunshme.

E gjithë familja ishte përgjegjëse nëse një i afërm bënte një shkelje, të tilla si vrasjet e hakmarrjes dhe ata duhej të paguanin pjesë të konsiderueshme të gjobave të tij ose të saj.

Një shembull: Nga vrasja e një personi të lirë, familja duhej të paguante ekuivalentin e 189 lopëve. Në krahasim, një skllav mashkull kishte të njëjtën vlerë si dymbëdhjetë lopë dhe një skllave femër, tetë lopë.

Konvertuar në vlerën e sotme 189 lopë i korrespondojnë përafërsisht:

Vrasësi duhej të paguante 120,470 dollarë.

Vëllai i vrasësit duhej të paguante 43,058 dollarë.

Xhaxhai i vrasësit duhej të paguante 11,765 dollarë amerikanë.

Kushëriri i vrasësit duhej të paguante 22,235 dollarë amerikanë.

Të afërmit e largët duhej të paguanin gjoba që varionin nga 188-5059 dollarë.

Qëllimi i gjobave ishte për t’u kujdesur për familjen e viktimës.

Sistemi i ndëshkimit në shoqërinë norvegjeze i bëri njerëzit të mendonin dy herë para se të fyenin një Viking. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button