Shkeljet e fundit të hapësirës ajrore evropiane nga avionë luftarakë dhe dronë rusë kanë ngjallur frikën se Moska po teston gatishmërinë e mbrojtjes ajrore të NATO-s. Por në kufirin lindor të Estonisë, aty ku ndodhet qyteti Narva – me një popullsi 98% rusishtfolëse – zgjedhjet vendore dhe planet për ndërtimin e një baze të re ushtarake kanë krijuar një klimë pasigurie dhe frike.
Ishte ndoshta e pashmangshme që një propozim për të ndërtuar një bazë ushtarake në periferi të Narvës, qyteti i tretë më i madh në Estoni dhe që ndodhet drejtpërdrejt në kufi me Rusinë, të bëhej temë e debatit televiziv mes kandidatëve për kryetar bashkie.
Vetëm pak ditë më parë, tre avionë rusë MiG-31 kishin hyrë dhe kishin qëndruar në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës për 12 minuta, duke e detyruar qeverinë e Talinit të kërkonte një konsultim të Nenit 4 të NATO-s, që parashikon reagim kur kërcënohet integriteti territorial apo pavarësia politike e një vendi anëtar.
Estonia e ngriti çështjen edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, ku aleatët perëndimorë paralajmëruan pasoja të rënda për çdo shkelje të mëtejshme.
Donald Trump sinjalizoi mbështetjen e tij për rrëzimin e avionëve rusë, nëse do të përsëritej incidenti.
Klima e tensionuar gjeopolitike u përkeqësua më tej nga një seri dronësh të paidentifikuar që fluturuan mbi aeroportet daneze, duke detyruar edhe mbylljen e aeroportit më të madh të vendit, në Kopenhagë. Kjo pasoi incidente të ngjashme me dronë rusë në Poloni dhe Rumani.
“Është vetëm fillimi i një lufte hibride kundër Europës,” deklaroi kryeministrja daneze Mette Frederiksen në një fjalim drejtuar kombit.
Një qytet në kufi të nervave
Dikush mund të mendonte se një bazë ushtarake në Narva, e ndarë nga Rusia vetëm nga një lumë 101 metra i gjerë, do të pritej me entuziazëm. Por realiteti është shumë më i ndërlikuar.
Lumi përshkohet nga “Ura e Miqësisë”, mbi të cilën estonezët kanë vendosur pengesa betoni antitanke dhe po ndërtojnë një portë të rëndë sigurie.
Por Narva, që është më afër Shën Petërburgut se sa Talinit, është një vend me identitet të përzier. 98% e popullsisë flet rusisht dhe shumë prej tyre ndjekin kanalet televizive ruse, edhe pse janë të ndaluara në Estoni.
Sipas Kremlinit, shkelja ajrore “nuk ka ndodhur kurrë”; “nazistët në Talin”, siç i quan propaganda ruse, janë ata që “bëjnë atë që bën partia globale e luftës”.
Të tjerë në Narva e kuptojnë se këto janë lajme të rreme, por prapë kanë frikë “të ngacmojnë ariun rus”. Shumë thonë se trupat estoneze janë të mirëpritura, por jo ushtarët e NATO-s. Kandidatët për kryetar bashkie në debat pranuan se baza është tashmë një vendim i marrë, por kritikuan mënyrën si u komunikua, duke e parë si burim frike, jo sigurie, për 53 mijë banorët e qytetit.
Një provë për NATO-n dhe për vetë Baltikun
Shkelja e hapësirës ajrore dhe përfshirja e dyshuar e Rusisë në sulmet me dronë janë një test për NATO-n – por edhe për kohezionin e vetë vendeve baltike, ku komunitetet rusishtfolëse janë të mëdha dhe shpesh të ndjeshme ndaj propagandës ruse.
Në prag të zgjedhjeve vendore, situata në Estoni është “plot rrezik”, thotë Katri Raik, ish-ministre e Brendshme dhe aktualisht kryetare e bashkisë së Narvës.
Ajo përshkruan qytetin si të varfër e të lënë pas dore, të goditur rëndë nga mbyllja e minierave të shistit bituminoz, dhe për dekada i harruar nga qeveria qendrore. “Për ne ishte në rregull, sepse ndiheshim si një ishull,” thotë ajo. “Por tani shteti është afruar shumë më pranë nesh.”
Pas pushtimit rus të Ukrainës, qeveria estoneze urdhëroi heqjen e rreth 400 monumenteve sovjetike, të cilat sipas saj përkujtonin pushtimin, jo çlirimin e vendit.
Më e diskutueshme ishte heqja e një tanku sovjetik në hyrje të Narvës, që shkaktoi protesta të forta. Raik – një nga vetëm 2% e banorëve që kanë estonishten si gjuhë amtare – mori kërcënime me vdekje pasi u përpoq të ndërmjetësonte mes qeverisë dhe qytetarëve.
Përveç kësaj, mbyllja e Urës së Miqësisë për automjetet dhe mallrat – tani kalojnë vetëm këmbësorët – ka qenë një goditje ekonomike. Edhe pse rusët e mbyllën të parët, rregullat e reja të kontrollit nga pala estoneze kanë krijuar rradhë të gjata dhe pakënaqësi.
Gjuhë, fe dhe zgjedhje të ndaluara
Qeveria estoneze është akuzuar për “shtypje të lirisë fetare”, pasi ka nisur ndarjen e Kishës Ortodokse Ruse në Estoni nga Patriarkana e Moskës, që shihet si e lidhur ngushtë me Kremlinin.
Një tjetër ligj parashikon që shkollat me gjuhë mësimi ruse të mbyllen deri në vitin 2030, duke detyruar mësimin vetëm në estonisht – çka ka shkaktuar pakënaqësi tek familjet që përdorin rusishten në shtëpi.
Për më tepër, është ndaluar e drejta e votës për qytetarët që nuk janë të BE-së, përfshirë rusët dhe bjellorusët që jetojnë në Estoni. “Një e treta e njerëzve në Narva nuk do të mund të votojnë,” thotë Raik. “Kjo është një dhuratë për populistët.”
Kur kultura bëhet front lufte
Maria Smorzevskihh-Smirnova, drejtoresha e Muzeut të Narvës, është një tjetër figurë që u përfshi në këtë spirale tensioni.
Ajo u dënua në mungesë me 10 vjet burg në Rusi, pasi kishte vendosur në muret e kështjellës së muzeut një poster që e quante Vladimir Putinin kriminel lufte, duke e krahasuar me Hitlerin.
Mesazhi i saj i drejtohej turmave që më 9 maj, në Ditën e Fitores (fitorja e Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë naziste), festojnë në anën tjetër të lumit, në qytetin rus Ivangorod, ku shfaqen ekrane gjigante me imazhe të Putinit dhe filma lufte.
“Është kulti i luftës dhe i vdekjes, një glorifikim i pushtimit të Ukrainës,” tha ajo. Pas aktit të saj, u përball me kërcënime me vdekje online: “Do të të vrasim, e dimë ku jeton, e dimë ku ecën.” Por ajo shtoi: “A do të heshtim përgjithmonë? Jo.”
Lufta e përditshme e kufirit
Shefi i policisë kufitare të Estonisë, Egert Belitsev, përshkruan Narvën si një zonë provokimesh të vazhdueshme: balona vëzhgimi që shfaqen papritur, refugjatë që shtyhen përtej urës nga rojet ruse, ndërhyrje GPS që pengojnë operacionet e shpëtimit. “E gjithë kjo bëhet për të parë si reagojmë, sa larg jemi gati të shkojmë, çfarë mund të bëjmë,” thotë ai.
Çdo reagim i autoriteteve estoneze përshkruhet nga propaganda ruse si agresion militarist dhe sulm ndaj të drejtave të rusishtfolësve në Narva. Madje vetë Putini, në vitin 2022, kishte thënë se “do të ishte e justifikueshme të merrej Narva për ta mbrojtur”.
Ndaj frika se mund të shfaqen “njerëzit e vegjël të gjelbër” – ushtarë rusë pa uniformë zyrtare, si në Krime – nuk është më krejt imagjinare.
Përgjigjja e Talinit
Ministri i Brendshëm i Estonisë, Igor Taro, ish-gazetar, është përgjegjës për politikat ndaj zonës kufitare dhe viziton shpesh Narvën.
Ai thotë se çdo vendim i qeverisë ka pasur arsyet e veta: Shkollat në rusisht thellonin ndarjen etnike. Monumentet sovjetike ishin simbole të pushtimit. Dhe votimi nga qytetarë të shtetit agresor nuk ishte më i pranueshëm apo i sigurt.
Por ai pranon se rreziku është real. Javën e kaluar, një banor i Narvës u dënua për spiunazh për FSB-në ruse, që nga viti 2017. “Ishte një njeri i zakonshëm, shumë shoqëror, që mund të mblidhte informacione nga shumë njerëz,” tha Taro.
Estonia ka nxjerrë mësime nga Ukraina, ku aktivistët pro-rusë në Donetsk dhe Luhansk përfunduan duke krijuar republikat separatiste. “Kjo është ajo që duam të shmangim,” thekson ai. “Ata po përgatisin terrenin – në fushën e informacionit dhe në të gjitha nivelet – por ne kemi masa për t’i ndalur.” Dhe shton: “Ne jemi stërvitur për çdo skenar… edhe për këtë urë.” / The Guardian – Bota.al