Tek “Shtëpia e acartë”, satira klasike e Charles Dickensit për sistemin ligjor britanik, George Rouncewell, një ushtarak i nderuar dhe me parime, zhytet në borxhe. Zakonisht, ish ushtaraku sillet në përputhje me kodin e tij të rreptë moral, duke strehuar të dobëtit dhe të varfërit nga ligji i korruptuar. Por kur futet në borxh, George zbulon se nuk e ka më luksin për të ndjekur parimet e tij: një mik i ngushtë që i kish dalë garant për borxhin përballet me rrënimin, nëse George nuk gjen paratë.
Dhe kështu, i zhveshur nga të gjithë opsionet, George bie dakord – edhe pse duke rënë ndesh me gjykimin e tij moral – që të shesë diçka e cila ka një vlerë të veçantë personale për të. Praktikisht, ai përfundon duke shitur një pjesë nga vetja e tij.
George nuk është personazhi i vetëm tek Shtëpia e Acartë që është i zhytur në borxh – në fakt, borxhi është i kudondodhur në Londrën Dickensiane. Romani është i mbushur me detyrime – monetare, sociale dhe morale – dhe lexuesi shumë shpejt zbulon se borxhi në të vërtetë ka të bëjë me pushtetin. Ata njerëz të cilëve të tjerët u kanë borxhe, kanë më shumë opsione, dhe një kontroll domethënës mbi jetët e tyre, ndërkohë që ata që kanë borxhe, shohin zgjedhjet e tyre që sa vijnë e ngushtohen, në përpjestim të zhdrejtë me borxhet që rriten.
Efekti shtrëngues i borxhit nuk është i kufizuar tek njerëzit. Bota është gjithashtu e ndarë mes vendeve të cilëve u kanë borxhe, dhe vendeve që kanë borxhe. Për vendet në borxhe, zgjedhjet politike janë tejet të kufizuara. Merrni për shembull Afrikën e Jugut pas Aparteidit, e cila trashëgoi një borxh prej 18.7 miliardë dollarë. Që në krye të herës, qeverisë së sapokrijuar iu desh të devijojë burime të rëndësishme, duke i larguar nga programet për zbutjen e varfërisë, për hir të shlyerjes së borxheve të veta – borxhe të cilat ishin akumuluar prej regjimit të aparteidit.
Ndërkohë që njerëzit ne vendet me barrë borxhesh mund të kenë opinionet e tyre të forta mbi mënyrën se si qeveria duhet të shpenzojë paratë e tyre – për shëndetësinë, për shembull, apo arsimin – e vërteta është se ata, ashtu si George tek Shtëpia e Acartë, nuk kanë luksin të ndjekin parimet e tyre. / bota.al