Nga Joel Hickman
“Center for European Policy Analysis”
Shumica e atyre që kanë privilegjin të zënë postin më të lartë civil të NATO-s, kanë shijuar një rrugëtim shumë të lehtë gjatë viteve. Qëndrimi i tyre si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s përkoi kryesisht me ruajtjen e stabilitetit strategjik dhe me një qasje ushtarake të sprovuar mirë gjatë gjithë Luftës së Ftohtë.
Më vonë, atyre iu kërkua të shtrinin dorën e miqësisë ndaj demokracive të reja që lindën pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Megjithatë gjatë viteve 2020, një dekadë që ka të ngjarë të përfaqësojë një nga periudhat më sfiduese në historinë 74-vjeçare të NATO-s, pasardhësi i Sekretarit të Përgjithshëm në detyrë, Jens Stoltenberg, do të përballet me një detyrë serioze në udhëheqjen e një aleance prej 31 vendesh dhe mbrojtjen kolektive të mbi 1 miliardë njerëzve. Udhëheqësi i aleancës ka pak pushtet ekzekutiv. Por si fytyra dhe zëri i NATO-s, ai ose ajo ka një rol publik shumë me peshë. Sidomos tani që Rusia po zhvillon një luftë në Evropë dhe kur demokracitë janë vazhdimisht nën sulm nga fushatat e dezinformimit të sponsorizuara nga shteti, që kërkojnë të ndryshojnë ndërgjegjen e publikut.
Stoltenberg, një norvegjez, ka bërë një punë të admirueshme për ta mbajtur të bashkuar aleancën gjatë krizës, po përpiqet që të arrijë një audiencë më të gjerë, veçanërisht të rinjtë. Samiti i Rinisë i NATO-s i mbajtur më 5 qershor është një përpjekje për të adresuar këtë çështje.
Megjithatë, Stoltenberg ka shfaqur një qasje të suksesshme menaxheriale të përshtatshme për t’u marrë me disa nga sfidat e dekadës së mëparshme, përfshirë aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe pushtimin e Ukrainës, një tërheqje kaotike nga Afganistani dhe pranimin e disa anëtarëve të rinj.
Por sfidat e dekadës së ardhshme do të jenë edhe më të mëdha, dhe NATO duhet të jetë e guximshme kur të vendosë se kush duhet ta pasojë Stoltenberg deri në fund të këtij viti. Në krye kërkohet një komunikues shumë i aftë për të tubuar fraksione politike, diplomatike dhe ushtarake rreth një vizioni të përbashkët.
Gjithashtu, ai ose ajo duhet të jetë në gjendje të kryejë një sërë reformash institucionale të nevojshme për të qëndruar të palëkundur dhe të bashkuar kundër agresionit ushtarak rus dhe rreziqeve hibride, ndërsa duhet të përshtatet me një mjedis të ri kërcënimi strategjik në Indo-Paqësor dhe të vendosë në përdorim teknologjitë përçarëse në zemër të aftësive operacionale e NATO-s.
Puna tashmë e vështirë për të udhëhequr një aleancë të gjerë me interesa dhe prioritete të ndryshme në fushën e sigurisë, ndërlikohet më tej nga nevoja për një unanimitet të plotë vendimmarrës midis anëtarëve të saj.
Sigurisht, në praktikë, Shtetet e Bashkuara mbetet anëtari kryesor i NATO-s dhe mbajtësi i përhershëm i rolit më të rëndësishëm operacional të Komandantit Suprem të Aleatëve në Evropë (SACEUR). Ndërkohë, roli kryesisht diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm i rezervohet zakonisht një evropiani.
Ai ka detyrën e palakmueshme të të përballurit me një rrjet kompleks aktorësh irritues dhe me jo pak lojëra politike, për të përmbushur një sfidë që kërkon gjithnjë e më shumë konsensus (mendoni pak për Hungarinë dhe Turqinë).
Aktualisht për këtë rol ka një grup kandidatësh të besueshëm, përfshirë kryeministren aktuale të Danimarkës Mette Frederiksen, e cila është shfaqur si një favorite e hershme për këtë post dhe ka lobuar tek presidentin Joe Biden gjatë vizitës që kreu të hënën në Uashington.
Si udhëheqëse e një vendi mesatar të NATO-s dhe potencialisht gruaja e parë Sekretare e Përgjithshme në historinë e aleancës, Frederiksen është një zgjedhje popullore për shumë njerëz. Megjithatë, kandidatura e saj do të nënkuptonte gjithashtu një Sekretar të Përgjithshëm të tretë radhazi që vjen nga një vend nordik.
Për më tepërm, asnjëri prej tyre nuk përmbush aktualisht objektivin e shpenzimeve prej 2 për qind të NATO-s, apo të konsiderohet si një lojtar kryesor brenda aleancës. (Ndoshta nuk është rastësi që më 29 maj, qeveria e saj njoftoi akordimin e 2.59 miliardë dollarëve ndihmë shtesë për Ukrainën këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
Ndërsa kandidatët e tjerë mburren me kredenciale të ngjashme të lidershipit me Frederiksen, duket se ka vetëm një persona që mund të kombinojë mendjen e shkëlqyer politike dhe karizmën me përvojën e fundit të nivelit të lartë të mbrojtjes dhe popullaritetin që shtrihet në të gjithë aleancën.
Si një ministër mbrojtjeje jetëgjatë i një vendi udhëheqës të NATO-s, që ka zbatuar një program të madh modernizimi në këtë sektor dhe që është i angazhuar ta tejkalojë objektivin prej 2 për qind, Ben Wallace duket i kualifikuar për t’i kryer reformat kryesore dhe për t’u përballur me sukses me sfidat e së ardhmes.
Kur Rusia grumbulloi forcat e saj para pushtimit të Ukrainës, Sekretari Britanik i Mbrojtjes ishte praktikisht përpara të gjitha figurave kryesore politike në thirrjen që i bëri Kremlini dhe në thirrjen e NATO-s për të reaguar. Ai është popullor dhe i respektuar në të dyja anët e Atlantikut, si në Ukrainë po ashtu edhe në Baltik, sepse ishte një nga ministrat e parë të mbrojtjes që ofroi ndihmë vdekjeprurëse për Ukrainën, dhe ka ofruar më shumë ndihmë ushtarake se çdo vend tjetër pas Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë Wallace ka gjithashtu një histori të fortë në mbështetjen e NATO-s, përfshirë kontributin e tij madhor në misionet e NATO-s, Prezencën e Përparuar të aleancës në krahun e saj lindor dhe zgjerimin e Forcave të Përbashkëta Ekspeditore prej 10 vendesh (JEF) miqësore me NATO-n, të udhëhequra nga Britania.
Po ashtu, ai ka integruar strategji dhe struktura të reja komanduese brenda Ministrisë britanike të Mbrojtjes, për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ardhshme, duke filluar nga ndryshimet klimatike tek hapësira, dhe përvoja e tij si ushtarak i Ushtrisë Britanike gëzon respektin e kolegëve ushtarakë dhe politikë.
Në fakt, ai është i vetmi ministër i kabinetit aktual që mban të njëjtën detyrë për tre kryeministra radhazi të Mbretërisë së Bashkuar, pjesërisht falë popullaritetit në mesin e kolegëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kushdo që do të pasojë Stoltenberg si Sekretari i ri i Përgjithshëm NATO-s, duhet të jetë po aq i aftë në komunikimin me botën e jashtme, ndërsa po punohet për rekrutimin e aleatëve të rinj. Megjithatë, ai ose ajo duhet të ndihet mbi të gjitha komod në udhëheqjen me një axhendë transformuese duke marrë përsipër shumë interesa që e kanë mbajtur në këmbë për një kohë të gjatë. Është një mision i vështirë, të cilin NATO duhet ta kryejë siç duhet.