Analiza

Kush duhet t’i drejtojë institucionet ndërkombëtare?

screen-shot-2016-10-18-at-10-24-54-am

Nga Ngaire Woods

Oksford – Kombet e Bashkuara janë duke kërkuar Sekretarit e ri të Përgjithshëm. Presidenca e Bankës Botërore ndodhet në të njëjtat ujëra. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nevojë për një drejtues të ri. E njëjta gjë vlen edhe për disa organizata të tjera ndërkombëtare. Në një kohë kur konfliktet e interesit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, së bashku me rritjen e Kinës dhe Rusisë, janë duke minuar bashkëpunimin global, pyetja se kush do të plotësojë këto vende të lira, s’mund të jetë mos më e rëndësishme se sa sot.

Në të shkuarën, procesi i zgjedhjes së kandidatit të duhur ka pasqyruar rivalitetet midis vendeve dhe një konkurrencë ndërmjet qeverive, OJQ-ve dhe mediave. Qartazi kjo s’ka qenë qasja më e mirë. Por, me një SHBA hegjemonike, të gatshme dhe të aftë për të mbajtur bashkë institucionet ndërkombëtare, bashkëpunimi ka mbetur i qëndrueshëm. Sot, deklaratat e paparashikueshme të kandidati presidencial Donald Tramp, dhe vizioni më izolacionist që ai është duke inkurajuar në mesin e mbështetësve të tij, e ka bërë pjesën tjetër të botës nervoze mbi natyrën e ndryshueshme të rolit të Amerikës në botë.

Dhe aleatët e Amerikës në Evropë, nuk janë tamam në pozicionin e tyre më të qëndrueshëm, për shkak të një kombinimi të sfidave thellësisht ekonomike, kërcënimeve nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, dhe rritjes së mbështetjes për forcat populiste politike në shumë vende. Për më tepër, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve e saj nuk u mungon vetëm vullneti për të përforcuar bashkëpunimin global, por ato nuk zotërojnë as kapacitetet për ta provuar diçka të tillë.

Raporti i fundit mbi situatën ekonomike botërore nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, vëren se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të përbëjnë vetëm 39 përqind të prodhimit global në vitin 2020, duke pësuar një ulje të ndjeshme nga 64 përqind që është sot, me pjesën amerikane që do të bjerë nga 22 në 15 përqind. Për institucionet ndërkombëtare, kjo do të thotë se komunikimi, kompromisi dhe konsensusi janë më të rëndësishme se kurrë më parë – dhe jo vetëm ndërmjet vendeve.

Duke pasur parasysh ndjenjat e forta nacionaliste dhe kundër lidershipeve politike tradicionale në shumë vende, institucionet ndërkombëtare duhet të jetë më të hapura e më të përgjegjshme ndaj publikut global, të cilit mendohet t’i shërbejnë. E gjitha kjo kërkon një qasje më meritokratike dhe të paanshme gjatë zgjedhjes së drejtuesve në institucionet ndërkombëtare. Për të vlerësuar kandidatët në mënyrë të drejtë dhe efektive, lipset të përdoren 5 kritere kryesore.

Së pari, kandidatët duhet të kenë një aftësi të provuar jo vetëm për të përcaktuar një mision, por edhe për të marrë përsipër detyrën më të vështirë të mobilizimit të një koalicioni të gjerë të palëve të interesuara për ta përmbushur atë. Për shembull Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Mun, pati pak probleme në identifikimin e çështjeve kritike, nga krizat e veçanta humanitare në vende si Haiti, Mianmari dhe Pakistani deri tek sfidat më të mëdha si ndryshimi i klimës dhe varfëria globale. Por, suksesi i tij në nxitjen e vendeve për të punuar së bashku në adresimin e këtyre çështjeve, është i dyshimtë.

Së dyti, udhëheqësit duhet të jenë në gjendje të bindin vendet anëtare të financojnë organizatat e tyre. Ish-Presidenti i Bankës për Zhvillim në Afrikë Donald P. Kaberuka, ia doli të bindë vendet të dyfishojnë kontributet e tyre gjatë qëndrimit të tij në detyrë; gjatë të njëjtës periudhë, burimet e Bankës Botërore u rritën me vetëm një të tretën.

Por kjo nuk është vetëm një çështje e gjetjes së më shumë parave. Organizatat duhet të përqëndrohen në zgjerimin e burimeve të tyre kryesore, të cilat nuk janë të lidhura me ndonjë detyrë të veçantë, porse të tërheqin më shumë burime diskrecionale apo të rezervuara. Përndryshe, ato rrezikojnë të shndërrohen në punëtore me mëditje për disa projekte të preferuara, në vend te platformave kritike për një bashkëpunim më të gjerë.

Mjerisht gjatë viteve të fundit, kanë mbizotëruar financimet e fshehta, dhe që tani përbëjnë më shumë se 90 përqind të burimeve në disa agjensi. Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin, rëndësia e së cilës është theksuar nga kriza e vazhdueshme e refugjatëve, mbështetet tërësisht në financimet e fshehta. Për të ndryshuar këtë, organizatat ndërkombëtare kanë nevojë për liderë të cilët janë tregtarë të bindur, çka do të thotë që ato duhet të perceptohen gjerësisht si të vërteta dhe atë besueshme.

Kriteri i tretë për udhëheqjen efektive të një institucioni ndërkombëtar, është menaxhimi i fortë dhe i orientuar drejt rezultateve. Kandidatët e suksesshëm, duhet të kenë një përvojë drejtuese në një organizatë me një rendiment të lartë, duke arritur rezultatet që ata përcaktuan të arrijnë. Duhet të ekzistojnë dëshmi që kandidati mund të përkthejë një vizion në një plan, me prova të qarta përkundër të cilit mund të matet progresi. Kjo mungon në listat aktuale të kandidatëve, çka mund të ketë pasoja të rënda.

Presidenti i Bankës Botërore Jim Jong Kim, është përballur me kritika të konsiderueshme në trajtimin e iniciativës së tij kryesore: ristrukturimin e brendshëm të institucionit. Ky proçes është zvarritur për 4 vite, dhe shumë anëtarë të stafit të pretendojnë se kjo po minon efikasitetin e operacioneve të kreditimit. Ndërsa është e vështirë të vlerësohet besueshmëria e këtyre pretendimeve, një studim i brendshëm i punonjësve të organizatës, tregon se së paku kultura e menaxhimit ka nevojë të përmirësohet.

Kjo është e lidhur ngushtë me kriterin e katërt:punësimin (dhe mbajtjen) e stafit të duhur. Asnjë lider nuk mund të bëjë gjithçka i vetëm, kështu që zgjedhja e një ekipi me cilësi të lartë është tepër e rëndësishme. Nëse ata që punojnë në organizatë janë të pakënaqur, rekrutimi i njerëzve më të talentuar dhe të motivuar do të jetë gati i pamundur.

Përtej krijimit të një kulture të hapur, sfiduese dhe mbështetëse – e pasqyruar në sondazhet e brendshme që janë publike – udhëheqësit e organizatave ndërkombëtare, duhet t’i rezistojnë presionit nga vendet anëtare për të punësuar zyrtarë të veçantë të lartë, që nuk janë domosdoshmërisht kandidatët me performancën më të mirë për atë detyrë.

Mbi të gjitha, ata duhet të jenë të gatshëm dhe të aftë për të identifikuar dhe larguar menaxherët kryesorë të organizate, që janë aty prej një kohë të gjatë por nuk i përshtaten më standarteve të përcaktuara. Fjalët kyçe duhet të jenë meritokracia dhe morali. Kriteri i fundit për udhëheqjen efektive të një organizate ndërkombëtare, ka të bëjë me përgjegjshmërinë.

Në dekadat e fundit, krerët e FMN-së, Bankës Botërore dhe Agjensisë së së OKB për Refugjatët UNHCR, kanë lënë detyrën mes shumë hijesh dyshimi. Disa udhëheqës kanë krijuar kohët e fundit kode më të rrepta të sjelljes; dhe u takon drejtuesve të rinj të garantojnë vazhdimin e zbatimit të tyre. Përshëndetja e vlerësimeve të pavarura – dhe publikimi i rezultateve – është thelbësor.

Bota ka nevojë më shumë se kurrë për institucione të forta ndërkombëtare. Dhe këto të fundit për liderë të shquar, të cilët mund të ndërtojnë konsensus ndërmjet qeverive gjithnjë e më të nevrastenike, duke tërhequr burime të mjaftueshme financiare dhe mobilizuar njerëz të talentuar për të kryer detyrat e përcaktuara. Kjo nuk është koha e kompromiseve për motive politike afatshkurtra. 

www.bota.al / Botuar ekskluzivisht nga bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Who Should Lead International Institutions?

Leave a Reply

Back to top button