Histori

Kush e vrau Aleksandrin e Madh?

aleksandri

Nga Xhejms Rom

Në 10 qershor të vitit 323 P.E.S, rreth orës 5 të pasdites, vdiq në moshën 32-vjeçare në Babiloni Aleksandri i Madh, njeriu që krijoi një perandori gjigande që shtrihej nga Shqipëria e sotme deri në Pakistanin Lindor. Pyetja se çfarë ose kush e vrau mbretin e Maqedonisë, nuk ka marrë asnjëherë një përgjigje të saktë.

Historianët e lashtë nuk arritën dot asnjë konsensus mbi shkakun e vdekjes së Aleksandrit, edhe pse shumë ia atribuojnë atë sëmundjes. Në vitin 1996 Eugjen Borza, një dijetar i specializuar mbi Maqedoninë e Lashtë, mori pjesë në një bord mjekësor hetimi në Universitetin e Merilendit, që mbërriti në një diagnozë:sëmundja e tifos, të cilën Borza e ka mbrojtur vazhdimisht. Hipoteteza të tjera si malaria, lija dhe leuçemia, alkoolizmi apo infeksioni në mushkri dhe pikëllimi për shkak të vdekjes pak muaj më herët të mikut të tij të ngushtë Hefestit, shpesh shihen si faktorë të komplikuar. Por disa historianë janë të gatshëm për të identifikuar një sëmundje të caktuar, apo edhe të zgjedhin mes sëmundjes ose vrasjes:dy ekspertë mbi Aleksandrin dikur bënë këtë zgjedhje (njëri zgjodhi secilin nga opsionet) më vonë ndryshuan mendimet duke u shprehur të pavendosur.

Me hulumtimet historike në një rrugë pa krye, ekspertët e armatosur me raportet e toksikologëve dhe patologëve mjeko-ligjorë, si dhe të pajisur me njohuri mbi psikologjinë kriminale, e kanë ri-hapur dosjen me dyshimin e vrasjes.

Kjo ide fitoi vëmendje të gjerë në vitin 2004, në sajë të filmit të rregjizorit amerikan Oliver Stoun. Në epilogun e tij, gjenerali kryesor i Aleksandrit, Ptolemeu (i luajtur nga Entoni Hopkins), kur u kthye shumë pas në vite tek vdekja e komandantit të tij, thotë: “E vërteta është se ne e vramë atë. Në heshtje, ne ramë dakord… Sepse s’mund të ecnim dot përpara”.

Ptolemeu pastaj udhëzon skribët e alarmuar të fshijnë atë që sapo tha, dhe të shkruanin nga e para. “Ju do të shkruani:Ai vdiq nga sëmundja, dhe në një gjendje të dobësuar”. Ideja se gjeneralët e Aleksandrit, që kishin ndjerë se kishin shkuar shumë larg prej komandantit të tyre, komplotuan për vrasjen e tij në mënyrë ta ndalnin, nuk del jashtë imagjinatës së prirur për konsipiracione të Stoun.

Ka disa prova, se komandantët kryesorë nuk qenë të gatshëm për ta ndjekur kudo Aleksandrin.

Në Indi në vitin 325 para Krishtit, në skajin lindor të lumit Indus, ushtria e Aleksandrit organizoi një grevë përmes uljes përtokë, kur u urdhërua të marshojë në lindje drejt lumit Gang. Edhe zyrtarët e nivelit më të lartë morën pjesë në këtë rebelim.

Stoun e cilëson këtë episode, si një paralajmërim të konspiracionit të mëvonshëm për vrasjen, në kushtet kur Aleksandri po plafinikonte sërish fushata të tjera të mëdha. “Unë nuk mund ta besoj se këta njerëz do të shkonin me Aleksandrin” në Arabi dhe Kartagë, tha ai në një intervistë të vitit 2008 në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.

Deklarata që Ptolemeu i dikton shkruesit e tij për vdekjen e Aleksandrit, me sa duket përbën një dokument të diskutueshëm të lashtë të quajtur ‘Gazeta Mbretërore’. Edhe pse tashmë e humbur, ajo ishte përmbledhur (në versione të ndryshme) nga Arriani dhe Plutarku, dy shkrimtarët grekë të Perandorisë Romake, të cilët thoshin se ajo jepte të dhënat më të besueshme të ditëve të fundit Aleksandrit.

Disa studiues, të udhëhequr nga historiani australian Brajan Bosuorth, besojnë se shkrimet ishin falsifikuar për ta bërë vdekjen e Aleksandrit të dukej e natyrshme. Të tjerët nuk bien dakord, duke e cilësuar atë që Arriani dhe Plutarku mendonin se ishte një ditar i përditshëm jomjekësor, mbi ditët e fundit të mbretit.

Debati mbi “Gazetat Mbretërore”, ka implikime të mëdha në të kuptuarit tonë të vdekjes së Aleksandrit, sepse Arriani dhe Plutarku e përshkruajnë atë ngjarje shumë ndryshe se burime

të tjera të lashta. Të dy autorët thonë se Aleksandri u sëmur nga ethet, pasi u largua nga një festë në shtëpinë e një miku të quajtur Medius.

Ethet iu shtuan gjatë 10-12 ditëve që pasuan, duke e çuar më në fund në një gjendje paralitike, në

të cilën mbreti nuk mund të lëvizte dhe as fliste. Teksa trupat e tij parakaluar në shtratin e sëmundjes, raporton Arriani, Aleksandri mundi vetëm të lëvizte sytë për t’i thënë lamtumirë secilit prej tyre. Ditën tjetër ai ndërroi jetë.

Në një version alternativ, Aleksandri u godit për herë të parë në mes të festës, teksa ai po konsumonte një gotë të madhe me verë. Sipas këtyre shkrimeve, Aleksandri pati ndjesinë e një therrje të fortë në shpinë dhe pasi hodhi kupën bërtiti me zë të lartë. Kjo do të sugjeronte qartazi idenë e helmimit, dhe kjo është arsyeja pse Plutarku, në biografinë e tij mbi Aleksandrin, e mohon me force këtë mundësi.

Për përkrahësit e skenarit të helmimit, pyetja qëndrore është:kush e kreu atë? Filmi i Stoun është shumë i heshtur mbi këtë pyetjeje. Në skenën që portretizon banketin fatal, shikime të errëta shkëmbehen mes gjeneralëve, për të treguar se ata e dinë se kupa e Aleksandrit përmban helm, por nuk e thotë se si përfundoi ajo atje.

Pëkundrazi, shumë shkrimtarë greke dhe romakë, qenë të sigurtë se e dinin që  ai jo vetëm që e piu kupën e helmuar, por edhe llojin e helmit. Ata njëzëri vënë gishtin tek Antipateri, gjenerali që Aleksandri e kishte lënë në krye të atdheut të Maqedonisë, dhe dy prej djemve të tij, Kasandri dhe Iolasi. Antipateri mund të kishte realisht arsye ta donte Aleksandrin e vdekur në pranverën e vitit 323, pasi mbreti sapo e kishte hequr nga posti i tij, dhe më pas e urdhëroi të shkonte në Babiloni, ndoshta me një qëllim armiqësor.

Antipateri nuk shkoi, ndërsa dërgoi në vend të tij Kasandrin. Sipas disa shënimeve të lashta, Antipati i dha të birit me vete një enë me ujë toksik, të mbledhur nga lumi legjendar i Stiksit (besohet se rridhte në veri të Peloponezit, para se të zhytej në botën e nëndheshme).

Uji duhej të transportohej përmes thundrës së gërryer të një mushke, pasi thuhej se gërryente çdo gjë tjetër përveç bririt. Në Babiloni, vazhdon historia, Kasandri ia dha thundrën e mushkës vëllait të tij Iolasit, i cili më pas e derdhi ujin e helmuar në pijen e mbretit. Elementët themelorë të kësaj historie janë të njëjtë në çdo ritregim të lashtë, por detajet ndryshojnë.

Disa versione e përmendin filozofin Aristotel si një bashkë-konspirator; ai qe një mik i njohur i Antipaterit dhe ndihej ndoshta i përdhosur asokohe nga ish-nxënësit e tij Aleksandër, i cili kishte vendosur dënimin më vdekje të të afërmes së tij, Kalistenit. Të tjerë përfshijnë në komplot Mediusin, mirëpritësin e darkës së fundit dhe fatale për Aleksandrin, dhe që besohej

se qe dashnori i Iolasit.

Një variant shumë i hershëm i kësaj historie, i botuar në një pamflet anonim grek, tashmë i njohur si ‘Ditët e Fundit dhe Testamenti i Aleksandrit’, e bën Iolasin dyfish fajtor:doza e parë e helmit nuk e vrau dot Aleksandrin, Iolasi e hodhi sërish, duke njomur me ujin e Stiksit një pendë që ai përdori për të ndihmuar mbretin të villte.

Ndërkohë, kohët e fundit historianët e hodhën poshtë historinë e ujit të helmuar të Stiksit si një fantazi, apo ndoshta një shpifje politike e projektuar për të dëmtuar Antipaterin dhe Kasandrin. Të dy ishin konkurrentë për pushtet pas vdekjes së Aleksandrit dhe kishin shumë armiq, sidomos Olimpian, nënën hakmarrëse të Aleksandrit (që ndoshta për të ndihmuar nxitjen e idesë së fajit të familjes së Antipaterit, nxorri nga varri hirin e Iolasit dhe e shpërndau në erë).

Edhe ideja se ujrat e lumenjve të zakonshëm grekë mund të kishin veti toksike, dukej absurde. Në vitin 1913, historiani i shquar J.G. Frazer deklaroi se ujërat që grekët i refereheshin si Stiks, në kohën moderne quhen Uji i Zi ose Mavronero, dhe nuk përmbanin asnjë toksinë, ndaj dhe kjo çështje ra në qetësi për gati një shekull.

Por, në një prezantim në një konferencë në Barcelonë në vitin 2010, historiani Adrien Mejxhër dhe toksikologia Antoneta Hajes, u shprehën se gurët gëlqeror përrreth Mavronero-s mund të kenë ushqyer lehtësisht një bakter vdekjeprurës të quajtur ‘calicheamicin’. Mejxhër dhe Hajes argumentuan se ‘calicheamicin’,mund të shkaktojë sëmundje dhe vdekje si ajo e përshkruar për Aleksandrin, duke përfshirë edhe ethet e tij të larta, që zakonisht shihen si provë e një vdekje të natyrshme.

Tre investigime të tjera gjatë viteve të fundit, e kombinojnë me tre hipoteza të reja:Ptolemeu, një nga gjeneralët kryesorë të Aleksandrit, e kreu vrasjen me arsenik; Roksana, gruaja e mbretit e helmoi me strikninë; ishin mjekët ata që e vranë Aleksandrin, por aksidentalisht, përmes pluhurit të rrënjeve të heleborës.

Teoria e tretë doli nga bashkëpunimi i pazakontë mes toksikologut nga Zelanda e Re, Leo Ship, dhe detektivit të Scotland Yard-it britanik Xhon Griv. Atë kohë Ship kishte mbëritur në përfundimin se pluhuri i heleborës së bardhë, përdoret në mjekësi nga grekët e lashtë, por ishte vdekjeprurës

në doza të mëdha. Por toksikologjia në të cilën mbështeten Ship dhe Griv për ketë hipotezë,

nuk është dukshëm një shkencë e saktë, sidomos kur praktikohet në një distancë prej 2300 vitesh.

Ndërkohë një tjetër studiues Graham Filips, përmes librit të tij të vitit 2004 “Aleksandri i Madh:Vrasje në Babiloni”, pohon se vetëm striknina mund të kishte shkaktuar një vdekje si ajo e Aleksandrit. Pas një investigimi gjarpërues, Filips përpiqet të identifikojë vrasësin e Aleksandrit, duke gjetur se kush kishte qasje tek striknina. Bima helmuese ishte diçka e rrallë përgjatë rrugës së ndjekur nga Aleksandri, dhe mund të korrej vetëm në rajonet e larta të nënkontinentit (Pakistanin e sotëm).

Jo e gjithë shpura e ndoqi Aleksandrin në ato zona, duke i lejuar Filipsit të eliminonte të dyshuarit e mundshëm. Ai arrin në përfundimin se vetëm një person, që mund të ketë pasur një motiv për ta vrarë Aleksandrin, zotëronte edhe mjetet:Roksana, e para nga 3 gratë e mbretit. Sipas autorit, ajo ishte e xhiondosur me Aleksandrin, nga dy martesat e tij të mëvonshme me 2 princeshat perse, ndaj dhe e vrau.

Arseniku vihet në qendër të vëmendjes në një libër po të vitit 2004, “Vdekja e Aleksandrit të Madh” nga Pol Doherti, novelist dhe historian amator. Ai paraqet një detaj makabër nga provat e përmendura nga Plutarku dhe shkrimtari romak Kuintus Kurtius:trupi i Aleksandrit nuk po dekompozohej, ndaj dhe u ekspozua në vapën e verës së Babilonisë për një javë ose më shumë. Doherti citon studime toksikologjike të shekullit të 19, për të treguar se helmimi me arsenik mund të çojë në balsamimin e trupit.

Mbrojtësit e skenarit të sëmundjes, japin një arsye krejtësisht të ndryshme dhe më shqetësuese për fenomenin e mos dekompozimit:sipas tyre Aleksandri, vetëm u shfaq për të vdekur në 10 qershor; ai në fakt kishte rënë në një gjendje kome të thellë. Dhe mund të ketë qenë ende gjallë kur balsamuesit mbërritën shumë ditë më vonë për t’i hequr të brendshmet.

Nëse trupi i balsamosur i Aleksandrit do të ishte gjetur ndonjëherë – disa studiues vazhdojnë ende të kërkojnë – mund të mësonin më në fund se çfarë e shkaktoi vdekjen e tij, por mumja u zhduk në shekullin III ose IV të Erës Sonë. Me kufomën që mungon dhe dëshmitë e shkruara të paqarta, barra e provës në rastin e Aleksandrit, bie më shumë tek provat rrethanore, dhe shumë nga kjo paraqet një sfidë të vështirë për të gjitha teoritë e konspiracionit.

  • Shënim: Xhejms Rom është profesor i historisë klasike në Bard College në Nju York dhe autor i librit “Fantazma në fron:Vdekja e Aleksandrit të Madh dhe Lufta për Kurorën dhe Perandorinë. / Përgatiti: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button