Horizonti.al

Kush e zbuloi Neptunin?

Nga observatori i astronomisë në Berlin, astronomi Johann G. Galle zbuloi planetin Neptun në 23shtator 1846.

Për zbulimin e tij gjermani Johann Galle (1812-1910) ndoqi përllogaritjet e matematikanit francez,  Le Verrier (1811-1877) që kishin ardhur me letër dy ditë më parë se të konfirmohej zbulimi i të kaltrit. Francezi Le Verrier punonte në observatorin e Parisit dhe ia kaloi parashikimet e veta astronomit të observatorit të Berlinit, Johann Galle. Në letër Le Verrier i kërkonte që të observonte një rajon të caktuar të qiellit që sipas përllogaritjeve të tij duhet të gjendej një planet i ri që do të shpjegonte turbullimet e vëna re në orbitën e Uranit. Po atë natë u gjet një objekt me karakteristikat e përshkruara duke konfirmuar se bëhej fjalë për një planet të ri. Galle përdori një refraktor të ndërtuar nga fizikanti gjerman Joseph von Fraunhofer (1787-1826)  dhe lokalizoi shumë shpejt pozicionin e parashikuar nga llogaritjet e Le Verrier. Në të njëjtën kohë në Cambridge, matematikani John Couch Adams (1819-1892) pa u njohur me punën e francezit Le Verrier  kishte kohë që po punonte mbi të njëjtin problem. Në 1843 Adams kishte llogaritur një pozicion për planetin e panjohur, por nuk i saktësoi rezultatet e para deri në shtator të 1845. Adams vetëm 26 vjeç u përpoq ta komunikonte përfundimin e tij tek astronomi mbretëror, drejtori i Grenuiçit, Georg Biddell Airy (1801-1892, por pas një sërë peripecish Adams nuk arriti të takohej personalisht me Airy-n dhe vetëm i la një shënim. Në javët e zbulimit të Neptunit lindi një debat i ashpër mes Francës dhe Anglisë mbi autorësinë e zbulimit. Në këtë debat Adams u soll si një kavalier i vërtetë duke i njohur meritat e Le Verrier, ndërsa ky i fundit u soll në mënyrë arrogante. Sot të dyve u njihet merita e zbulimit të Neptunit, si Adamsit dhe Le Verrier-it dhe natyrisht Galle-s. Për shkak të ngjyrës blu në jeshile që kishte planeti Galle e pagëzoi me emrin e perëndisë së detit, Neptunit.  Në 1838 Johann Gottfried Galle kishte bërë një zbulim tjetër; një pjesë të unazave të errëta të Saturnit, unazat C. Përgjatë karrierës së tij studioi kometat dhe në 1894 me ndihmën e të birit, Andreas Galle publikoi një listë me 414 kometa.

Shekuj më parë…

Ka të dhëna që Neptuni të jetë parë dhe regjistruar nga Galileo Galilei në vitin 1613, Jérôme Lalande në 1795 dhe John Herschel në 1830, por që asnjëri nuk e njohu planetin si të tillë deri në momentin e zbulimit të tij. Vizatimet e Galileos tregojnë që ka observuar Neptunin në 28 dhjetor të 1612 dhe sërish në 27 janar të 1613. Ai e ngatërroi Neptunin me një yll të kaltër të qëndrueshëm  dhe për këtë nuk i atribuohet atij ky zbulim. Neptuni është i padukshëm për t’u parë me sy të lirë sepse është shumë i errët. Observimet e para të tij u bënë të mundur vetëm pas zbulimit të teleskopit. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button