Analiza

Kush krijon injorancë, krijon ISIS-in

Shkrimtari i njohur Hanif Kureishi: “Kur shikoni dhunën e fëmijëve-xhihadistë, pyesni se çfarë “nuk” keni bërë: Nuk u keni mësuar demokracinë”

Kureshi“Çfarë modelesh dhe çfarë idealesh u ofron atyre shoqëria perëndimore? Konsumizmin, komercializimin, pasurinë si vlerë në vetvete, famën për t’u arritur me goditje prej realit show. Është kaq e habitshme nëse një i ri i varfër e gjen tek feja islamike një model alternativ ndaj këtyre vlerave dhe ndaj këtyre idealeve?”…

«Të rinjtë perëndimorë që rekrutohen në xhihad bëjnë një zgjedhje të përbindshme, por ama jemi ne ata që i kemi gjeneruar këta përbindsha».

Ky është opinioni i Hanif Kureishi, shkrimtarit të madh anglo – pakistanez, autor i shumë romaneve, nga “Buda i periferive” tek “Fjala e fundit”, të cilët trajtojnë temën e identitetit, të konfliktit ndëretnik, të integrimit të minorancave në shoqërinë perëndimore në kohën e globalizimit.

Si është mundur, zoti Kureishi, që të rinj të rritur në Londër, në Angli, në vende të tjera perëndimore, të bëhen xhihadistë të gatshëm që t’u presin kokat pengjeve angleze dhe amerikane?

«Është e mundur për dy arsye. E para është se islami radikal ka lindur si formë çlirimi, kundër kolonializmit dhe kundër diktaturave të mbështetura nga Perëndimi, siç e kemi parë me revolucionin komeinist në Iran dhe me revoltat e Pranverës Arabe, jo të gjithë fondamentaliste këto të fundit, por të paktën pjesërisht po. Kurse arsyeja e dytë është se të rinjtë shpesh janë idealistë. Shumë prej miqve të mi, kur isha i ri në Londër, qenë maoistë, trockistë, leninistë. Por pastaj e dimë sesi përfundojnë shumë herë revolucionet dhe idealizmit: me dhunë, me terrori, me tirani».

Do të thoni se në një farë kuptimi zgjedhja e këtyre të rinjve është e kuptueshme?

«Nuk është e justifikueshme, të paktën nga ana ime, unë kam ide të tjera ideale të tjera. Por nëqoftëse duam të kuptojmë arsyet e tyre, atëhere duhet të investigojmë se nga ku lindin. Këta të rinj besojnë në diçka, në diçka që atyre u duket një ideal fisnik dhe i pastër. Megjithatë, të rinjtë i kanë këto nevoja, dëshirën për të pasur ideale të pastra dhe të luftojnë për t’i realizuar ato. Shekulli i Njëzet është plot me të rinj kështu».

Po pse e urrejnë aq shumë Perëndimin, megjithëse duke qenë të lindur e të rritur mes nesh? Çfarë u kemi bërë që na përbuzin kaq shumë?

«Ndoshta është nevojshme të pyesim se çfarë “nuk” u kemi bërë dhe se çfarë nuk kemi qenë në gjendje t’u themi, t’u mësojmë. Sigurisht, janë rritur mes nesh ose, më saktësisht, përkrah nesh: në përgjithësi në lagje, familje, ambiente më të varfra respektivisht establishmentit kombëtar. Çfarë modelesh dhe çfarë idealesh u ofrojnë atyre shoqëria perëndimore? Konsumizmin, komercializimin, pasurinë si vlerë në vetvete, famën për t’u arritur me goditje prej realit show. Është kaq e habitshme nëse një i ri i varfër na gjen tek feja islamike një model alternativ ndaj këtyre vlerave dhe ndaj këtyre idealeve? ».

Megjithatë nuk janë vetëm konsumimi dhe fama prej reality show në vlerat perëndimore. Pse nuk arrijmë t’u mësojmë atyre rëndësinë, bile bukurinë e lirisë së mendimit, të demokracisë, të tolerancës?

«Pyes sesa përpjekje bëjmë vërtet për të shpjeguar bukurinë e ideale demokratike. E vërteta është se shpesh merren si të mirëqena. Dhe se në më të shumtën e rasteve mbulohen nga “bukuri” të tjera të supozuara, që janë në fakt vlera të dëmshme, si puna e konsumizmit të tërbuar. Pastaj: do të duhet t’u temi të rinjve myslimanë britanikë, francezë, italianë, se demokracia jonë është e bukur dhe se duhet mbrojtur. Le të marrim rastin e vendit tuaj, Italisë: keni pasur për 20 vjet një lider si Silvio Berlusconi, një njeri i turpshëm, imazhi i të cilit i ka përlyer parimet demokratike. Është më e vështirë të ekzaltosh politikën, kur kjo e fundit shfaq një dështim».

Personalisht, keni takuar ndonjëherë të rinj të kësaj natyre?

«Kam shkruar artikuj dhe romane lidhur me këtë temë dhe shumë prej këtyre personazheve i kam njohur vërtet. Të rinj që duke u rritur janë bërë ndjekës të al Qaedas, të fanatizmit destruktiv të 11 shtatorit dhe që janë pastaj vëllezërit e mëdhenj e xhihadistëve të sotëm. Jetojnë mes nesh, pastaj krejt si papritmas bëjnë një zgjedhje radikale dhe të përbindshme në emër të islamit. Por jemi ne që i kemi pjellë këta përbindsha».

Në emër të islamit, thoni ju. Por islami nuk duhet të bëjë më shumë për të dënuar atë që bën thirrje për të vrarë?

«Besimet fetare e mëdha kërkojnë kohë për të reaguar. Le të mendojmë për një çast për kishën katolike, sa kohë është dashur që ajo të denonconte pedofilinë në brendësinë e saj. Sigurisht, islami duhet të bëjë më shumë për të dënuar këdo që ndot emrin e tij, ama nuk është e thjeshtë. Urime atij që do të kërkojë ta transformojë një fanatik në një liberal».

Fytyra tjetër e të rinjve perëndimorë të rekrutuar në xhihad është se tani çdo perëndimor me lëkure me ngjyrë të errët shikohet si një xhihadist potencial?

«Rreziku është ky dhe nganjëherë e ndjej edhe në lëkurën time. Por nuk do të fajësoja vetëm luftën e shenjtë islamike. Europa e sotme është e përshkuar nga një valzë racizmi, urrejtjeje ndaj emigrantëve dhe të ndryshmëve, që mund të quhet vetëm me një emër: fashizëm. Dhe të thuash se mendonim që e kishim shkulur përgjithmonë, por ja ku na është kthyer». /(Nga La Repubblica)/

Përgatiti: ARMIN TIRANA/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button