Analiza

Kush përfiton realisht nga paketat e shpëtimit?

5856653867_fc6bde98ed_b

Nga Barry Ritholtz “Bloombergview”

Unë gjithnjë e cilësoj diçka zbavitëse, sa herë që dikush shpreh habi, sesi ka mundësi që nga paketat financiare të shpëtimit për Greqinë, nuk kanë përfituar qytetarët grekë. “Ndihma në para shkon në Greqi, vetëm për të ikur sërish prej andej”- shkruante së fundmi gazeta “New York Times”.
“Eksodi i parave, është vetëm një pjesë e vogël e një misteri të madh, mbi arsyen se pse përkundër dy paketave të mëdha ndërkombëtare të shpëtimit, ekonomia greke ndodhet ende në një gjendje të keqe dhe e zhytur më thellë në borxhe”. Mjerisht, ky është një tipar i paketës së shpëtimit, dhe jo një anomali.
Bollëku financiar gjatë dekadave të fundit, ka dëshmuar mjaft bindshëm, se kjo nuk është një lajthitje. Ndiqni paratë, në vend të titujve mediatikë. Vetëm në këtë mënyrë, ju do të mësoni se kush përfiton realisht nga një paketë shpëtimi.
Hidhni sytë nëpër gjithë botën – Japoninë, Suedinë, Brazilin, Meksikën, Irlandën, SHBA-në dhe tanimë Greqinë, për të mësuar se kush u ndihmua dhe kush jo nga këto ndihma të mëdha financiare, të mbështetura nga qeverite. Jo, kjo nuk është populli grek edhe as bankat e tyre.
Ata nuk kanë qenë kurrë përfituesit e synuar të paketave të shpëtimit, dhe nuk nuk ishin më herët as qytetarë irlandezë.
Në fakt, pronarët e shtëpive në SHBA, ishin vetëm pak më shumë sesa përfitues aksidentalë të ndihmës ekonomike, si përqindje e shpenzimeve totale të paketës së shpëtimit. Ju ndoshta e keni mësuar shprehjen “rrezik moral”, gjatë krizës financiare. Me pak fjalë, paketat e shpëtimit kanë nxjerrë nga balta spekullatorët e pamatur, nga pasojat e marrëzisë së tyre, duke i nxitur kësisoj që të veprojnë po kështu sërish. Ata pra ishin subjektet që duheshin shpëtuar.
Mendoni se unë po e teproj? Merrni në shqyrtim paketat e shumta të shpëtimit në SHBA, në format e saj të shumta nga TARP tek ZIRP në QE (lehtësimi sasior). Sa prej zotëruesve të bonove pësuan humbje, nga vendimet e tyre të dobëta për investime? Me përjashtim të huadhënësve si “Lehman Brothers”, dhe një pjese të vogël të bankave, që nuk u konsideruan aq shumë të mëdha për të dështuar, thuajse çdo mbajtës tjetër obligacionesh e rimori veten, duke rikuperuar 100 cent për çdo dollar.
Në sajë të planeve të tilla të shpëtimit si “Trouble Asset Relief Program”, mbajtësit e obligacioneve nga një shumëllojshmëri e ndryshme të kompanive të dështuara apo që po dështonin, nuk pësuan asnjë humbje. “American International Group”? Zero humbje. Kompani të financuara nga qeveria si “Fannie Mae” dhe “Freddie Mac”? Zero humbje. Gjigandët bankare “Citigroup” dhe Banka e Amerikës? Zero humbje. Morgan Stanley, Merrill Lynch, Goldman Sachs, Bear Stearns? Zero humbje.
Veprimet e “Federal Deposit Insurance Corp”, ishin përjashtime të rralla nga ky rregull:nga paketa e saj e shpëtimit, përfituan në fakt konsumatorët. Kur banka të tilla si Indy Mac, Wachovia, Washington Mutual patën probleme , FDIC u garantoi likuditetet e nevojshme, përmes shkrirjes me kompani të tjera. WaMu u bashkua me JPMorgan Chase, Wachovia me Wells Fargo dhe Indy Mac në “Onewest Bank”.
Pasi ishte e sigurtë, se mbajtësit e aksioneve e rimorën veten tërësisht, kapitalet që u kishin mbetur, shkuan tek kreditorët kryesorë- zakonisht mbajtësit e obligacioneve. (Aksionerët e thjeshtë zakonisht mbetën me gisht në gojë). Në rastin e “Washington Mutual”, pronarët e bonove morrën midis 20-28 cent për çdo dollar të humbur. Edhe në raste të tjera, FDIC akordoi shuma të ngjashme.
Edhe politika e interesit zero të Reaservës Federale (ZIRP), në zbatim për kaq kohësh, saqë nuk ka pasur rritje të normës prej më shumë se 9 vjetësh, është në funksion të bankave për të shpëtuar nga falimenti. Për vite të tëra pas krizës financiare, bilancet e tyre mbeten shqetësuese, me shumë kolaterale dhe kredi të këqija të përkeqësuara, saqë një rritje e shpejtë e normave të interesit, do t’i vendoste portofolet e tyre në rrezik të madh.
Tashmë që çmimet janë kthyer kryesisht në nivelet e para krizës, cilësohet si diçka e sigurtë rritja e sasisë së fondeve në dispozicion, të cilat ne të gjithë e dimë se kenë një ndikim të rëndësishëm në normat e huasë.
Me ndërhyrjen e përmbarimit dhe shitjen e kolateralit të humamarrësve të këqinj që ka mbërritur kulmin, bankat mund të tolerojnë rritjen e interesit. Pavarësisht nga shumë dëshmi, se ekonomia mund të kishte përthithur rritjen e normave të interesit, pothuajse dy vite më parë – ekonomia u rrit sipas parshikimeve të vetë FED-it atë vit – portofolet e hipotekave bankare ishin ende në luhatje të madhe, dhe jo në formën e duhur për të përballuar rritjen e normës. Ka të ngjarë që më shumë humbje, mund të kompromentonin “shëndetin” e industrisë bankare .
Pra, nëse ju mendoni se është vetëm një rastësi, që normat ka të ngjarë të rriten vetëm tani, kur bilancet e bankave mund ta tolerojnë atë, ju nuk keni patur vëmëndjen e duhur. Historia na mëson, se kur kompanitë dështojnë, ato paraqesin në gjykatë ose falimentin ose një riorganizim total.
Përjashtimet ka, kur drejtuesit kanë marrëdhënie tejet miqësore me Kongresin (Chrysler 1980) apo pjesëtarëve të shefave të përbashkët të Shtabit (Lockheed 1972) apo sekretarë të thesarit (gjithë Wall Street përveç Dick Fuld në 2008-09). Pasja e drejtuesve të korporatave me lidhje të forta ose me një nivel të lartë menaxhimi, vjen shumë në ndihmë gjatë një emergjence.
E gjitha kjo na sjell përsëri tek rasti grek.
Udhëheqësit e saj nuk e mësuan kurrë leksionin që zbuloi Irlanda, dhe që Islanda e vogël e kuptoi që në fillim. Togfjalëshi “rreziku sistemik”, nuk është asgjë më shumë sesa një kod;që në fakt do të thotë se një bankier i lidhur politikisht, kërkon që qeveria t’i mbulojë humbjet e veta, për shkak të investimeve të këqija.
Në rastin e Greqisë, paratë vijnë në pjesën dërrmuese nga qeveritë evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe pastaj përmes Athinës kalojnë tek huadhënësit e ndryshme në sektorin privat.
Ne të gjithë e quajmë atë një plan shpëtimit për Greqinë, sepse nëse do të ishte quajtur “shpëtimi i bankierëve gjermanë, nga rezultatet e marrëzisë së huamarrësve të tyre athinas”, kush do të mundte vallë ta mbështeste atë?
Busulla jonë morale, na bën me dije se paketat e shpëtimit nuk duhet të funksionojnë për të mirën e spekulantëve dhe të papërgjegjshmëve. Por, realiteti na jep një leksion tërësisht ndryshe.

Shqipëroi: Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button