Analiza

Kush do ta fitojë betejën për lirinë e fjalës?

censureTimothy Garton Ash

The Guardian

25 vjet më parë ndodhën katër ngjarje të mëdha, që vazhdojnë t’i japin formë botës ku jetojmë sot. U shemb Muri i Berlinit, dhe bashkë me të Perandoria që Vladimir Putini do të donte ta rikthente. Masakra e sheshit Tiananmen e futi Kinën në një trajektore krejtësisht të ndryshme. Një shkencëtar britanik, shumë pak i njohur në atë kohë dhe që quhet Tim Berner-Lee shpiku atë që do të bëhej world wide web (interneti). Dhe Ajatollah Khomeini nxorri fetvanë kundër Salman Rushdies.

Kohët e fundit, u takova me Rushdien në New York, për të diskutuar për pasojat që ato ngjarje kanë patur për lirinë e shprehjes përreth botës. E pyeta se si i kishte përjetuar revolucionet e vitit 1989 dhe ku kishte qenë kur u shemb muri. Nuk e mbante mend me saktësi, dhe më rrëfeu që kishte ndjerë pak zili, tek shihte të tjerët, përfshirë Nelson Mandelën, që shkonin drejt lirisë ndërkohë që ai ndodhej ende në një izolim të neveritshëm.

Sot, nuk ka asnjë shenjë të kësaj. Ky normalitet i jetës së një shkrimtari, që për një kohë të gjatë ngjante si ëndërr e paarritshme, është në fakt një fitore. Pyetja është nëse lufta për lirinë e fjalës kundër fanatikëve dhe regjimeve tiranikë të të gjithë llojeve po shkon në drejtimin e duhur, apo në drejtimin e gabuar.

Në Britani, dhe më përgjithësisht në Europë, shumica e myslimanëve i kanë pranuar në një mënyrë apo një tjetër rregullat bazë të bashkëjetesës në paqe, në një shoqëri pluraliste liberale. Ata nuk thonë më “vdekja është pak për Rushdien” – siç deklaronte në vitin 1989 një mysliman britanik, Iqbal Sacranie, ndërkohë që bashkë me disa besimtarë të tjerë digjnin kopje të “Vargjeve Satanikë”.

Në shumë shtete me shumicë myslimane, kufizimet e lirisë së fjalës mbeten të tmerrshëm. Arabia Saudite ka miratuar këtë vit ligje të rinj, që i trajtojnë ateistët njësoj si terroristët. “New York Times” ka shkruajtur për Alexander Aan, i cili ka qëndruar më shumë se 19 muaj në burg në Indonezi, nën akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare. Krimi i tij? Thjeshtë sepse u vetëshpall në internet se ishte ateist.

Një kanosje e tillë nuk është aspak një monopol mysliman. Në Indi, vendlindja e Rushdies, “Penguin India” tërhoqi nga botimi kohët e fundit një histori alternative të Hinduve me autor studiuesen e respektuar Wendy Doniger, nën presionin e një grupi proteste hindush, të udhëhequr nga një ish drejtor shkolle. Ndërkohë, përtej kufirit në Birmani janë njerëz që e quajnë veten budistë, që kanë linçuar myslimanët Rohingya. Pershtatur ne shqip nga bota.al

Në Kinë, sistemi i pas 1989-ës ka prodhuar edhe atë që pritet së shpejti të bëhet ekonomia më e madhe e botës, por edhe atë që sot është aparati më i madh i censurës në botë. Por, ndërkohë që gjetkë pushtet-mbajtësit fetarë persekutojnë ateistët apo ata që u përkasin besimeve të tjerë, partia-shtet komuniste i qepet nga pas kujtdo që përpiqet të organizohet sipas linjave fetare, pa miratimin e saj.

Një arsye përse aparati kinez i censurës është kaq i madh, ështe sepse ka më shumë “fjalë” që duhen monitoruar se sa 25 vjet më parë, për shkak të internetit. Fituesi i këtij viti i Cmimit të Lirisë Dixhitale, Drejtori i Përgjithshëm i Twitter Dick Costolo na kujtoi se i vijnë 500 milionë tweet-e në ditë. Eshtë një fitore e madhe sasiore për fjalën e lirë, por mbart edhe rreziqe. Nuk janë vetëm regjimet autoritarë që abuzojnë me internetin si mjet për survejimin në masë.

Një studim i bërë mes shkrimtarëve amerikanë zbuloi se ata janë jo vetëm të shqetësuar për survejimin nga NSA, që u bë publik prej Eduard Snoudenit, por si rezultat ndiejnë edhe nevojën që të vetëcensurohen. Me fjalë të tjera, ka patur një efekt të frikshëm.

“Sa për luftën mbi Vargjet Satanike”, ka shkruajtur Rushdie në librin e tij Joseph Anton, “ishte ende e vështirë të thoje nëse po përfundonte me fitore apo me humbje”. E njëjta gjë mund të thuhet për pasojat e atyre ngjarjeve në vitin 1989. Por kështu ndodh me betejën për lirinë e fjalës – as nuk e humbet asnjëherë plotësisht, as nuk mund të shpallësh fitoren totale.

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button