Analiza

Ky njeri është një ishull

David Rothkopf

obama-alone

Pas zgjedhjeve të të martës, Presidenti i SHBA, Barack Obama, është një figurë e vetmuar. Në fakt, ai mund ta përfundojë mandatin e tij, si presidenti më i izoluar që ka pasur Amerika, që nga koha e Richard NIxonit. Nëse ndodh, është një telash që ia ka krijuar vetë vetes.
Izolimi fillon me faktin që, qysh në krye të herës, për presidentin dhe ekipin e fushatës së tij nuk bëhej gjithçka për Partinë Demokratike. Nuk bëhej gjithçka për pjesën tjetër të ekipit të atyre në administratë. Nuk bëhej gjithçka për rrjetin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Që në krye të herës, gjithçka bëhej vetëm për një njeri, i cili ishte produkti, mesazheri, misioni dhe arsyeja e ekzistencës, të cila të mbështjella në një të vetme. Dhe për dy vitet e ardhshëm, Obama do të korrë frytet e narcizizmit të tij politik në një mënyrë që do të jetë e vështirë jo vetëm për atë vetë, por do të jetë e keqe edhe për Amerikën dhe rolin e saj në botë.
Humbjet e rënda të Partisë Demokratike në Senat, Kongres dhe në zgjedhjet për guvernatorë në të gjithë Amerikën ishin jo vetëm shembulli më i fundit i një modeli historik të përsëritur të zgjedhjeve të mesit të mandatit. Për nga numri total i vendeve që kaluan në anën e opozitës, ato përbëjnë një prej humbjeve më të rënda të të gjitha kohërave, për një parti prej të cilës ka dalë presidenti në detyrë. Dhe ndërkohë që ishin, pjesërisht, një mospranim i statusquo-së jofunksionale në Uashington, ato ishin, në thelb, edhe një mospranim ndaj Presidentit.
Ndërkohë që disa do të thonë se këto zgjedhje nuk kishin aspak të bënin me të metat e mëdha të politikës së jashtme të Obamës, këta persona injorojnë në një masë të madhe se sa shumë e kanë dëmtuar perceptimin që ka publiku për Obamën, gabimet e tij në skenën ndërkombëtare.
Duke lënë mënjanë debatet individualë për zgjedhjet e politikave, publiku dëshiron që Amerika dhe udhëheqësit e saj të jenë të fortë. Në Krime apo në Siri, në Irak apo në Afganistan, në grindjet me aleatët apo në manipulimin prej rivalëve, Obama nuk ka projektuar aspak një imazh të tillë. Dobësia dhe mungesa e efikasitetit të tij në politikën e jashtme pa dyshim që kanë luajtur një rol në këtë rezultat. Dhe prandaj, janë një arsye përse në dy vitet e ardhshëm, me shumë gjasë do të shohim një Amerikë e cila ngjan shumë me presidentin e saj, gjithnjë e më joefikase ndërkombëtarisht – teksa bota pret pasardhësin e tij dhe shpreson për një ndryshim në karakterin e udhëheqjes së SHBA.
Ndërkohë që presidentët me dy mandate si Bushi 43, Clintoni dhe Reagani të gjithë e përfunduan kohën e tyre në Shtëpinë e Bardhë si më të fortë në politikën e jashtme në krahasim me fillimet, kjo duket se nuk do të ndodhë me Obamën – pavarësisht faktit se të tre paraardhësit e tij, ashtu si Obama, ishin të dobësuar prej politikës së brendshme si dhe faktorë të tjerë, teksa përfundonin çerekun e katërt të mandateve të tyre. Pjesërisht, kjo vjen prej faktit se humbjet e Demokratëve të martën ishin shumë të rënda. Pjesërisht vjen prej faktit se Obama dhe rrethi i tij i ngushtë, shihen brenda partisë së tij, si shkaku i kësaj humbjeje të rëndë. Jo vetëm duhej fajësuar Obama për atë që ka bërë si President, por sërish, ashtu si në 2012-ën dhe 2010-ën, mungesa e mbështetjes energjike të tij për kandidatët e partisë që i përket ka ushqyer një farë armiqësie. Një ilustrim i tillë është dhe komenti që ka bërë për Uashington Post shefi i Kabinetit i udhëheqësit në largim të shumicës së demookratëve në Senat, Harry Reid, i cili tha: “Nuk mendoj se ekipi politik në Shtëpinë e Bardhë kishte shpejtësinë e duhur dhe vullnetin e duhur për të bërë atë që duhej bërë” dhe “përqindja e mbështetjes popullore për presidentin nuk është as 40%. Cfarë mund të thuash më shumë?”
Me mendime të tillë që, jo vetëm ekzistojnë, por edhe shprehen publikisht, me shumë gjasë presidenti do ta ketë tejet të vështirë të sigurojë ndonjë mbështetje politike për çështjet e brendshme, qoftë edhe nga njerëz që mendohej se duhej ta jepnin atë. Shpresat e tij më të mëdha janë që të çojë përpara çështje ku agjenda e Partisë Republikane dhe e tija përputhen, si përshembull marrëveshje transatlantike për tregtinë, reforma e taksës mbi fitimin, apo projektet infrastrukturorë.
Por për një sërë çështjesh të tjera, duke përfshirë edhe për të fituar mbështetjen për shumë prej nismave të tij në politikën e jashtme (dhe shmangien e pengesave për të tjerat, si marrëveshje për programin bërthamor të Iranit), ky do të jetë një president në kundërshtim edhe me Senatin, edhe me Kongresin dhe një që nuk është në gjendje të sigurojë mbështetje. Por, kjo gjë do u dërgojë një mesazh aleatëve dhe rivalëve në të gjithë botën, se presidenti nuk do të jetë domosdoshmërisht në gjendje të mbajë premtimet që mund të bëjnë ai, apo ekipi i tij.
Sjellja e tij në të kaluarën dhe pasojat e saj me shumë gjasë do e bëjnë më kompleks dobësimin e tij të brendshëm. Ky nuk është një president si Bushi, apo Clintoni, apo Reagani që të ketë një rrjet udhëheqësish të huaj, që të jenë miq të sinqertë, të cilët i besojnë atij, dhe me të cilët ai ka ndërtuar marrëdhënie të rëndësishme. I ftohtë me partinë e tij dhe të emëruarit e kabinetit në Amerikë, marrëdhëniet e Obamës me udhëheqësit ndërkombëtarë kanë qenë gjithmonë të ftohta dhe në disa raste (si ato marrëdhënie të rëndësishme me Erdoganin në Turqi apo Netanjahun në Izrael) janë përkeqësuar shumë. (Dhe le ta themi: nuk të ndihmon shumë kur pjesëtarë të stafit tënd i quajnë aleatët “glasa”). Për një njeri të tillë, organizimi i koalicioneve ndërkombëtarë që të arrijnë rezultate domethënës do të jetë shumë i vështirë, edhe pse sekretari i tij i shtetit përpiqet pafundësisht për ta bërë. Ndonjëherë duhet prekja e presidentit. Por ky president, që garoi në vitin 2008 me një politikë angazhimi me shumë gjasa do të hyjë në histori si praktikuesi i “mosangazhimit serial”, ndonjëherë si rezultat i vendimeve politikë të qëllimshëm, ndonjëherë si rezultat i një mungese gatishmërie për të bërë punën që nevojitet për të menaxhuar dhe ruajtur marrëdhënie jetike.
Shtojini gjithë sa u thanë më sipër, edhe faktin që gjërat nuk po shkojnë shumë mirë për një sërë prej përpjekjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të Obamës – rritjen e tensioneve me Rusinë (mbani vesh Gjeorgjinë, vendet balltike dhe ekonominë e Rusisë teksa çmimet e naftës po bien), Siri dhe Irak (ku na mungon një strategji koherente apo angazhimi ushtarak për të bërë punët që kemi premtuar), Libi (sot në flakë), Izrael-Palestinë (tensionet po rriten), në Afganistan (ku askush nuk beson se arritjet politike të kohëve të fundit do të jenë jetëgjata dhe ku talebanët janë vënë në lëvizje), apo gjetkë.
Merrni parasysh gjithë këta faktorë dhe peisazhi i presidentit i ngjan shumë filmit të famshëm (Rikthim në të Ardhmen), ku para syve tanë mund të shohim imazhin e tij që zbërdhulet drejt hiçit. Në atë film, e vetmja mënyrë për të kthyer mbrapsht procesin është që të rikthehet historia në rendin e saj fillestar. Për Obamën, e vetmja mënyrë për ta bërë do të jetë që të zhbëjë formulën që ka në kokë dhe bashkë me të të zhbëjë historinë e izolimit të vetvetes, nga ata prej të cilëve të gjithë presidentët duhet të varen për suksesin ndërkombëtar – aleatët politikë në vend, pjesëtarë të ekipit të tij që kanë vërtetë nevojë për mbështetje me qëllim që të menaxhojnë problemet e njëkohshëm, si dhe homologët e tij përreth botës. Përndryshe, në dy vitet e ardhshëm do ta shohim botën si një tablo ku ka shumë fytyra të njohura, dhe një hapësirë boshe, aty ku dikur zinte vend presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Foreign Policy/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button