Analiza

La Repubblica / Papa, përqafim mes lotësh me priftin e persekutuar

Udhëtimi i parë në një shtet europian për Papën: “Një vend që ka vuajtur shumë, por që më pas ka ditur të gjejë paqen mes feve të ndryshme”. Apeli për të rinjtë: “Thuajini jo idhujtarisë së parasë”. Mesazhi i Napolitanos për Bergoglion: “Vizita e tij është ngushëlluese për ata që duan dialogun”. Përqafimi me priftin viktimë të torturave

pope albania 2“Askush të mos mendojë se mund të gjejë mburojë tek Zoti ndërkohë që projekton dhe kryen akte dhune dhe abuzimi. Askush të mos përdorë si pretekst fenë për veprimet e tij, që bien ndesh me dinjitetin e njeriut dhe të drejtave të tij themelore, para së gjithash ato të jetës dhe lirisë fetarë të të gjithëve!” Papa Francesku, në Tiranë, gjatë udhëtimit të tij të katërt ndërkombëtar, por të parin në një vend europian, në një udhëtim pastoral i cili vjen në një moment tensioni të lartë prej kërcënimeve të Shtetit Islamik, në takimin me autoritetet shqiptarë ka akuzuar ekstremistët se shtrembërojnë fenë dhe ka treguar Shqipëriinë si shembull të bashkëjetesës paqësore. Më pas, gjatë meshës, u është drejtuar të rinjve: “Duhet të dini t’i thoni jo idhujtarisë së parasë, jo lirisë false individualiste, jo varësive dhe dhunës”. Duhet, ka shtuar Papa, “që t’i thoni Po kulturës së takimit dhe solidaritetit. Kështu do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë dhe një botë më të mirë”. Francesko u ka bërë thirrje edhe të moshuarve, duke u rekomanduar që të përfshihen në ndërtimin e një të ardhmeje e cila ka nevojë për urtësinë e tyre.
“Kur përjashtohet Zoti për ideologjinë, njeriu zvetnohet”. Një temë, kjo e zgjedhur nga Francesku, e cila është rikthyer në pasdite gjatë takimit me udhëheqësit e feve të tjera në Universitetin Zonja e Këshillit të Mirë. “Feja autentike është burim paqeje dhe jo dhune! Askush nuk mund të përdorë emrin e Zotit për të kryer akte dhune! Vrasja në emër të Zotit është një sakrilegj i madh! Diskriminimi në emër të Zotit është cnjerëzor!”, ka thënë ai. “Mungesa e tolerancës ndaj atyre që kanë bindje fetare të ndryshme, përbën një armik tinzar i cili sot fatkeqësisht po demonstrohet në shumë rajone të botës”, ka shtuar Papa.
Më pas ka folur për lirinë fetare kundër totalitarizmave. “Shqipëria ka qenë dëshmitare e dhunës dhe dramave që mund të shkaktojë përjashtimi i detyruar i Zotit nga jeta personale dhe komunitare. Kur, në emër të një ideologjie, kërkohet të përjashtohet Zoti nga shoqëria, përfundohet duke adhuruar idhuj, dhe shumë shpejt njeriu humbet edhe vetë, humbet dinjitetin e tij, të drejtat e tij shkelen”, tha Papa.
Lotë dhe përqafim
Gjithnjë në pasdite, Papa Francesku ka qarë teksa ka përqafuar në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, një prift të moshuar i cili ishte torturuar gjatë viteve të gjatë të burgosjes së tij. Pasi dëgjoi dëshmitë e “martirëve”, Papa ka shtuar: “Mjerë priftërinjtë, peshkopët dhe religjozet që kërkojnë ngushëllim larg Zotit”.
Vizitë rrufe
Pavarësisht tensioneve, Papa nuk ka dashur të heqë dorë nga ky udhëtim i shkurtër (pak më pak se dhjetë orë) me objektivin për të inkurajuar bashkëpunimin mes feve. “Bashkëjetesa fetare e feve në Shqipëri është një shenjë e mirë për botën. Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë – ka nënvizuar ai – por që më pas ia ka dalë të gjejë paqen me dallimet fetarë. Dhe kjo është një shenjë e mirë për botën, dialogu, paqja dhe ekuilibri janë në favor të qeverisjes”.
Festë e madhe
Një klimë shumë festive ka pritur Papën në një vend me shumicë myslimane. Katolikët përbëjnë vetëm 15% të popullsisë. Qindra-mijëra vetë u vunë në radhë përgjatë rrugëve të Tiranës në pritje të kalimit të Franceskut. Pjesa më e madhe e rrugëve u dekoruan me flamuj të Vatikanit dhe të Shqipërisë. Në rrugën kryesore ishin varur edhe fotografitë e 40 martirëve shqiptarë të vrarë për shkak të besimit të tyre.
Mesazhi i Napolitanos
Përpara udhëtimit, presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano i ka dërguar një mesazh Papës: “Shenjtëria Juaj, dëshiroj t’ju përcjell falënderimin tim më të sinqertë për mesazhin që keni dashur të më dërgoni në momentin kur përgatiteni për Udhëtimin tuaj Apostolik në Republikën e Shqipërisë. Komuniteti ndërkombëtar sheh me interes të madh misionin tuaj, i pari në 21 vite në një vend i cili, që atëherë ka patur një rrugë virtuoze konsolidimi të demokracisë dhe të afrimit me familjen europiane dhe vlerat e saj. Jam i sigurtë se vizita juaj do të ofrojë ngushëllim të madh për të gjithë ata që në Shqipëri, dhe jo vetëm, ia kushtojnë jetën e tyre, edhe me koston e sakrificave të dhimbshme, nxitjes së dialogut dhe paqes në një rajon ende të përshkuar prej tensioneve”. /La Repubblica/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button