
Sipas disa zyrtarëve amerikanë, administrata ka hartuar disa alternativa për një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë, përfshirë edhe sulme të drejtpërdrejta kundër njësive që sigurojnë presidentin Nicolás Maduro, si dhe masa për të marrë nën kontroll vendburimet e naftës së vendit. Trump nuk ka marrë ende një vendim se si, ose nëse, do të veprojë. Zyrtarët theksojnë se ai nuk dëshiron të miratojë operacione që mund të rrezikojnë trupat amerikane ose të rezultojnë në një dështim të turpshëm.
Megjithatë, shumë prej këshilltarëve të tij po shtyjnë drejt njërit prej opsioneve më agresive: rrëzimit të Maduros. Ata i kanë kërkuar Departamentit të Drejtësisë udhëzime që të ofrojnë një bazë ligjore për veprime ushtarake që shkojnë përtej sulmeve ndaj anijeve të akuzuara nga Uashingtoni, pa prova, se janë të përfshira në trafikun e narkotikëve. Këto udhëzime mund të krijonin një kornizë ligjore që do t’i lejonte Shtetet e Bashkuara të goditnin Maduron, pa pasur nevojë për një autorizim të Kongresit për përdorimin e forcës ushtarake.
Udhëzimet ligjore janë ende në fazë hartimi, por sipas disa zyrtarëve, argumenti që pritet të mbështetet është se Maduro dhe drejtuesit e aparatit të sigurisë janë figura qendrore të kartelit Los Soles, të cilin Shtetet e Bashkuara e klasifikojnë si grup narkoterrorist. Departamenti i Drejtësisë mund të konkludojë se ky kategorizim e bën presidentin venezuelan një objektiv legjitim, pavarësisht se ligji amerikan ndalon vrasjen e liderëve të vendeve të tjera.
Departamenti i Drejtësisë ka refuzuar të komentojë. Përpjekja për të justifikuar një goditje kundër Maduros do të ishte një hap tjetër i administratës amerikane për të zgjeruar kompetencat e saj ligjore. Uashingtoni ka ndërmarrë tashmë vrasje të shënjestruara të personave të dyshuar si narkotrafikantë, të cilët deri në shtator zakonisht ndiqeshin penalisht dhe arrestoheshin në det, dhe nuk eliminoheshin me sulme dronësh. Çdo operacion që synon rrëzimin e Maduros do ta ekspozonte administratën ndaj një shqyrtimi edhe më të rreptë të bazave ligjore të veprimeve të saj, sidomos duke pasur parasysh arsyetimet e paqarta të përdorura deri tani: trafikun e drogës, interesin amerikan për naftën venezuelane, dhe pretendimet e Trump-it se Maduro ka liruar të burgosur, për t’i dërguar drejt kufijve të SHBA.
Trumpi ka dhënë një seri deklaratash të ndërlikuara e shpesh kontradiktore lidhur me qëllimet, objektivat dhe legjitimitetin e mundshëm të një veprimi ushtarak. Ai ka njoftuar se sulmet kundër anijeve në Karaibe dhe në Paqësorin lindor, ku deri tani kanë humbur jetën më shumë se shtatëdhjetë persona, do të zgjeroheshin për të përfshirë edhe objektiva tokësorë. Por ky zgjerim ende nuk është bërë.
Më 3 nëntor, kur CBS News e pyeti nëse Shtetet e Bashkuara po shkonin drejt një lufte kundër Venezuelës, ai u përgjigj: “Nuk e besoj. Nuk mendoj, por na kanë trajtuar shumë keq, dhe jo vetëm për çështjen e drogës”. Trumpi përsëriti akuzën e tij të pambështetur se Maduro ka hapur burgjet dhe institucionet psikiatrike për të dërguar në SHBA persona të lidhur me bandën kriminale Tren de Aragua. Kur u pyet nëse ditët e Maduros në pushtet janë të numëruara, ai u përgjigj: “Besoj se po”.
Presioni psikologjik
Ndër shtytësit kryesorë të opsioneve më agresive janë sekretari i Shtetit Marco Rubio, i cili shërben edhe si këshilltar i përkohshëm për sigurinë kombëtare, dhe Stephen Miller, zëvendësshef i stafit dhe këshilltar për sigurinë kombëtare. Rubio dhe Miller, në biseda private, argumentojnë se Maduro duhet detyruar të largohet nga pushteti. Sipas bashkëpunëtorëve të tij, Trumpi ka shprehur disa rezerva, pjesërisht nga frika se operacioni mund të dështojë. Presidenti nuk ka ngut për të marrë një vendim dhe ka kërkuar të dijë cilat do të ishin përfitimet konkrete për Shtetet e Bashkuara, duke u përqendruar sidomos tek mundësia që Uashingtoni të sigurojë një pjesë të naftës venezuelane.
“Presidenti Trump i ka dërguar një mesazh të qartë Maduros: ndalo së dërguari drogë dhe kriminelë në vendin tonë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly. “Presidenti ka qenë i qartë se do të vazhdojë të godasë narkoterroristët e përfshirë në trafikun e drogës. Çdo gjë tjetër është spekulim dhe duhet trajtuar si i tillë”.
Pritet që Trumpi të marrë një vendim pas mbërritjes më 11 nëntor në Karaibe të aeroplanmbajtëses gjigante Gerald R. Ford, me rreth pesë mijë marinarë dhe më shumë se 75 avionë luftarakë dhe mbështetës, përfshirë F/A-18. Që nga fundi i gushtit, numri i trupave amerikane në rajon është rritur. Edhe pa aeroplanmbajtësen, në zonë ndodhen rreth dhjetë mijë ushtarë, të dislokuar në anije luftarake dhe në bazat amerikane në Porto Riko.
Në javët e fundit, Pentagoni ka dërguar bombardues B-52 dhe B-1 nga bazat në Luiziana dhe Teksas për misione fluturimi pranë brigjeve venezuelane, të cilat përshkruhen nga ushtria si “demonstrim force”. B-52 mund të mbajnë dhjetëra bomba precizioni, ndërsa B-1 kanë kapacitet ngarkese prej 34 mijë kilogramësh municione.
Edhe Regjimenti i 160-të i Operacioneve Speciale Ajrore, i njohur për misionet e tij të gjera antiterroriste në Afganistan, Irak dhe Siri, së fundmi ka kryer stërvitje pranë ujërave venezuelane.
Ky dislokim i shpejtë dhe i hapur i forcave sugjeron një fushatë presioni psikologjik ndaj Maduros. Trumpi ka përmendur mundësinë e miratimit të një dokumenti që do t’i jepte CIA-s autorizim për operacione të fshehta në Venezuelë, një veprim që presidentët rrallë e bëjnë publikisht.
Nëse Trumpi do të urdhëronte një ndërhyrje tokësore në Venezuelë, ai do të ekspozohej ndaj rreziqeve të mëdha ushtarake, ligjore dhe politike. Edhe pse autorizoi bombardimin e tre impianteve bërthamore në Iran në qershor, qëllimi atëherë nuk ishte rrëzimi i regjimit në Teheranit. Në Venezuelë, nuk do të kishte asnjë garanci suksesi, dhe aq më pak siguri se rrëzimi i Maduros do të sillte një qeveri më të afërt me Shtetet e Bashkuara.
Sipas bashkëpunëtorëve të tij, shumë më tepër energji i është kushtuar planifikimit të një sulmi kundër qeverisë së Maduros sesa asaj që do të ndodhte më pas, në rast se operacioni do të kishte sukses. Disa prej aleatëve më të përkushtuar politikë të Trumpit e kanë paralajmëruar atë kundër nisjes së një operacioni të tillë, duke i kujtuar se ai është zgjedhur për t’i dhënë fund “luftërave të pafundme”, jo për të nisur të reja.
Një plan me tre faza
CIA do të mund të ndërmerrte disa lloje aktivitetesh: misione të inteligjencës, mbështetje për krijimin e një opozite të brendshme, sabotim aktiv të qeverisë apo edhe kapjen e Maduros. Megjithatë, sipas disa zyrtarëve amerikanë të sigurisë, nëse operacione të tilla do të kishin pasur mundësi reale të largonin presidentin venezuelan, kjo do të kishte ndodhur prej vitesh. Pikërisht për këtë arsye Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake. Në tryezë ndodhen tre propozime.
Faza e parë parashikon sulme ajrore kundër instalimeve ushtarake, disa prej të cilave lidhen me trafikun e drogës, me synimin për të dobësuar mbështetjen e ushtrisë ndaj Maduros. Nëse presidenti venezuelan do të besonte se nuk ka më mbrojtjen e forcave të armatosura, ai mund të përpiqej të arratisej.
Kritikët paralajmërojnë se një veprim i tillë mund të prodhojë efektin e kundërt: forcimin e mbështetjes popullore rreth një lideri të vendosur nën rrethim.
Opsioni i dytë parashikon përdorimin e forcave speciale amerikane, si Delta Force ose Seal Team 6, për të arrestuar ose eliminuar Maduron. Administrata Trump do të përpiqej të anashkalonte ndalimin ligjor për vrasjen e krerëve të shteteve të huaja duke argumentuar se Maduro është mbi të gjitha kreu i një karteli narkoterrorist; një argument i ngjashëm me atë që u përdor për të justifikuar sulmet ajrore ndaj anijeve të akuzuara për trafik droge.
Departamenti i Shtetit ka vendosur një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për arrestimin ose dënimin e Maduros, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 25 milionët e ofruar nga administrata Biden. Shtëpia e Bardhë mund të mbështesë gjithashtu idenë se, për shkak të represionit ndaj opozitës dhe manipulimit të zgjedhjeve të fundit, Maduro nuk është më një udhëheqës legjitim i shtetit.
Opsioni i tretë, më kompleks, do të përfshinte dislokimin e forcave amerikane kundër terrorizmit për të marrë nën kontroll aeroportet dhe disa prej vendburimeve kryesore të naftës dhe infrastrukturave strategjike të Venezuelës.
Dy opsionet e fundit mbartin rreziqe të mëdha për forcat amerikane në terren, pa përmendur edhe rrezikun e qartë për civilët, sidomos nëse objektivi do të ishte kapja ose neutralizimi i Maduros brenda një mjedisi urban, siç është Karakasi.
Trumpi është treguar hezitues për të konsideruar operacione që vënë në rrezik jetën e ushtarëve amerikanë. Për këtë arsye, shumë prej planeve që po shqyrtohen parashikojnë përdorimin e dronëve detarë dhe armëve me rreze të gjatë veprimi.
Dilema e naftës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara është i interesuar për rezervat gjigante të naftës së Venezuelës, më të mëdhatë në botë. Menaxhimi i atyre burimeve ka qenë prej dhjetë muajsh një çështje e pazgjidhur për administratën, e cila nuk ka vendosur nëse duhet të ndërpresë importet amerikane apo t’i mbajë ato, me shpresën për të ruajtur një pozicion të privilegjuar në rast të rrëzimit të Maduros. Edhe pasi Trumpi dyfishoi shpërblimin për kapjen e liderit venezuelan dhe e quajti “narkoterrorist”, ai e anuloi, dhe më pas rinovoi, licencën që i lejon Chevron-it, gjigantit amerikan të naftës, të vazhdojë operacionet në vendin latino-amerikan.
Nën presionin e sekretarit të Shtetit, Rubio, licenca e Chevron-it u revokua në mars, dhe gjatë verës eksportet venezuelane drejt SHBA ranë në mënyrë drastike. Një licencë e re, detajet e së cilës nuk janë bërë publike, duket se i ndalon kompanisë të transferojë valutë të huaj në sistemin bankar venezuelan. Megjithatë, eksportet e naftës së Chevron-it vijojnë të përbëjnë një mbështetje të rëndësishme ekonomike për Maduron.
Chevron-i është përjashtim: shumica e aseteve të kompanive të tjera amerikane të naftës që operonin në Venezuelë janë konfiskuar ose kaluar nën kontrollin e ndërmarrjeve shtetërore venezuelane vite më parë. Chevron është ndër të paktat që ka ditur të manovrojë mes Trump-it dhe Maduros, i cili ka deklaruar: “Chevron ka qenë në Venezuelë prej 102 vitesh dhe dua të qëndrojë edhe njëqind të tjera”. Kompania ka angazhuar në Uashington një lobist të rëndësishëm, donator të madh të fushatës së Trump-it.
Në muajt e fundit, Maduro ka tentuar ta tërheqë Trump-in duke ofruar koncesione, përfshirë një pjesëmarrje dominuese në nxjerrjen e naftës dhe burimeve të tjera minerare të vendit. Ai u ka premtuar kompanive amerikane kontrata të privilegjuara për projektet aktuale dhe të ardhshme që lidhen me arin dhe naftën. Madje ka sugjeruar se është i gatshëm të riorientojë eksportet drejt Kinës dhe të kufizojë bashkëpunimet me kompani kineze, iraniane e ruse.
Në fillim të tetorit, Trumpi refuzoi ofertën, dhe përshkallëzimi ushtarak amerikan u shpejtua ndjeshëm.
Nëse regjimi i Maduros do të binte dhe zëvendësohej me një udhëheqje të qëndrueshme e më miqësore ndaj Uashingtonit, Chevron do të ishte ndër përfituesit kryesorë të atij që administrata Trump e imagjinon si një bum të investimeve në rezervat kolosale të naftës venezuelane. Ideja e ka intriguar Trump-in, ashtu si e kishte intriguar edhe kontrolli mbi vendburimet siriane, pavarësisht se rezervat e tyre janë shumë më të kufizuara. “Besojmë se prania jonë mbetet një faktor stabilizues për ekonominë lokale, rajonin dhe sigurinë energjetike të Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar Bill Turenne, zëdhënës i Chevron-it.
Ndërsa bashkëpunëtorët e Trump-it shtyjnë drejt opsionit ushtarak më agresiv, avokatët e Departamentit të Drejtësisë po hartojnë një kornizë ligjore që mbulon të gjitha veprimet e debatuara. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë kërkuar një analizë juridike të përditësuar para se të ndërmerren hapa të tjerë, dhe juristët e qeverisë u kanë deklaruar anëtarëve të Kongresit se presidenti nuk ka nevojë për autorizimin e tyre për goditjet vdekjeprurëse kundër anijeve që vijnë nga Venezuela.
- Elliot Gaiser, drejtor i zyrës së këshillimit ligjor të Departamentit të Drejtësisë, u ka thënë ligjvënësve se sipas interpretimit të qeverisë, operacionet kundër anijeve venezuelane nuk përbëjnë një akt armiqësor në kuptimin e War Powers Resolution të vitit 1973, i cili kërkon autorizimin e Kongresit për veprime ushtarake që zgjasin mbi gjashtëdhjetë ditë. Por si demokratët, ashtu edhe republikanët, kanë shprehur shqetësim për këto sulme.
Kërkimi i një baze ligjore
Ndoshta precedenti më i afërt për të justifikuar goditjen e një kreu shteti është opinioni i përgatitur nga po e njëjta zyrë gjatë mandatit të parë të Trump-it. Sipas tij, presidenti kishte autoritetin të urdhëronte sulmin me raketë që vrau gjeneralin Qassem Soleimani, figurën kryesore të inteligjencës dhe sigurisë iraniane, i cili u eliminua nga dronët amerikanë në vitin 2020. Trumpi e ka përshkruar atë operacion si një nga arritjet madhore të mandatit të tij.
Në atë rast, zyra ligjore vlerësoi se përdorimi i dronëve ishte i justifikuar sepse Soleimani “po zhvillonte aktivisht plane për sulme të reja kundër personelit ushtarak dhe diplomatik amerikan”, sipas një memorandumi të publikuar pas sulmit. “Udhëheqësit ushtarakë që planifikojnë dhe drejtojnë sulme kundër qytetarëve ose interesave të SHBA mund të konsiderohen objektiva të ligjshëm ushtarakë”, thuhej në dokument. Memorandumi theksonte se operacioni ishte hartuar “për të shmangur viktimat civile ose dëmet e konsiderueshme kolaterale” dhe se nuk synonte “të impononte me mjete ushtarake një ndryshim të natyrës politike të regjimit”.
Dokumenti përfundonte se, “duke pasur parasysh natyrën e misionit, informacionin e disponueshëm të zbulimit dhe masat e marra për të shmangur përshkallëzimin”, një sulm me dron ndaj tij “sipas kushtetutës nuk do të konsiderohej si akt lufte”. / The New York Times – Bota.al





