Enciklopedike

Legjenda metropolitane

Janë histori krejtësisht të sajuara, por struktura e tyre narrative i bën shumë të vërteta. Aq sa ndonjëherë botohen edhe prej të përditshmeve. Eshtë shumë e kollajtë të kapesh pas legjendave urbane. Sepse ato konfirmojnë stereotipe dhe frikëra që i kemi patur gjithmonë

Screen Shot 2015-08-12 at 14.28.29
Kur autostopinë e bën një fantazmë
Legjenda e “autostopistit fantazmë” është një prej legjendave urbane më të famshme: i ka dhënë madje edhe titullin librit të parë të shkrimtarit amerikan Jan Harold Brunvand, në vitin 1981: The Vanishing Hitchiker. Ekzistojnë disa versione, por ideja është që ka gjithmonë një burrë që merr në makinën e tij një vajzë e cila ka vdekur shumë vite më parë. Fillon kështu: në mesin e natës, dërkohë që udhëtonte me makinë në një rrugë dytësore, një tip sheh një vajzë e cila bën autostop. I kërkon ta marrë me vete dhe ai e çon deri në shtëpi. Ditën tjetër vëren se në makinë i ka mbetur xhaketa e saj dhe vendos t’ia japë. Kur mbërrin në destinacion, derën ia hap një zonjë e moshuar. “Më falni – i thotë burri – i kam sjellë vajzës suaj xhaketën që ka harruar në makinën time”. Zonja i përgjigjet duke qarë: “Ime bijë ka vdekur dhjetë vjet më parë në një aksident rrugor”. Por ndodh edhe e kundërta. Në librin “Riding the bullet” të vitit 2001, shkrimtari amerikan Stephen King përmbys gjithçka: është një kufomë që merr në makinë një autostopist.
Flokë shumë voluminozë apo koloni merimangash?
Gjatë një leksioni biologjie një vajzë amerikane në vitet pesëdhjetë me flokët e kapur në mënyrë shumë, shumë voluminoze nis të humbasë gjak nga koka. Pak më pas i bie të fikët dhe më vonë ndërron jetë në autoambulancë ndërkohë që është duke u transportuar për në spital. Ja çfarë i kishte ndodhur: një koloni merimangash i kishte pushtuar asgjë më pak se sa …trurin. Si ishte e mundur që e shkreta vajzë nuk e kishte vënë re? Sepse, për të ndjekur modën në ata vite mes vajzave të reja, ishte bërë normë që flokët të kapeshin lart fare, shumë voluminozë dhe me kaq shumë llak flokësh saqë vajzat nuk arrinin asnjëherë t’i lëshonin apo t’i lanin. Kjo legjendë urbane është e përhapur mbi të gjitha në Shtetet e Bashkuara dhe ka lindur pikërisht në vitet pesëdhjetë, ndoshta për shkak të mospëlqimit të prindërve dhe të gjyshërve ndaj kësaj mode kaq shumë të dashur prej vajzave dhe mbesave të tyre. Si mund të bënin që të hiqej dorë nga kjo modë? Duke krijuar histori si ajo e merimangave.
Kërcënime të rrezikshëm
Duhet bërë shumë kujdes kur u flitet fëmijëve të vegjël! Ja çfarë i ndodhi një nëne të hidhëruar sepse i biri i lagte gjithmonë krevatin. Një mbrëmje, pasi kish urinuar për të disatën herë në krevat, ajo e kërcënoi: “Nëse e bën prapë, do të ta pres!” Babai nuk tha asgjë dhe buzëqeshi; ndërsa motra më e madhe, dëgjoi me shumë vëmendje. Disa ditë më vonë, nëna doli për të dorëzuar komisionin në Kishë dhe i kërkoi vajzës që të kujdesej për të vëllanë gjatë gjumit të drekës. Kur nëna u largua, djali nisi të qajë dhe e motra kuptoi që kishte lagur edhe një herë krevatin. Kështu, pa hezituar aspak, mori gërshërët dhe a preu. Kur u kthye, nën gjeti të bijën me gërshërë në duar, të gjakosura dhe të birin të vdekur në shtrat. Edhe për këtë legjendë ekzistojnë versione të ndryshëm, të gjithë versione makthi, padyshim (sigurisht, për meshkujt). Si ajo e nënës që kërcënoi djalin e saj më të madh: “Nëse nuk pushon së luajturi do të ta pres!” Në fund, ai, ashtu si në këtë histori, e humbet prej të motrës dhe vdes.
I marri Ozzy Osbourne
Edhe Ozzy Osbourne, ose më saktë John Michael Osbourne, 62 vjeç, artisti anglez i konsideruar “kumbari i heavy metal” është i lidhur me një legjendë urbane. Në 20 janar të vitit 1982, gjatë një koncerti në Des Moines, në Iowa, dikush lëshon një lakuriq nate të gjallë mbi skenë: Ozzy e merr në dorë duke menduar që është një kukull prej plastike dhe me një lëvizje i këput kokën me gojë. E dërgojnë menjëherë në spital për vaksinim, por Ozzy Osboourne do të kish vdekur gjithësesi. Në funeralin e tij do të kishin shkuar 10 mijë fansa. Falë kësaj historie, Ozzy Osbourne fitoi famën e artistit të marrë dhe të mallkuar. Dhe kopertina e albumit të po atij viti, “Speak of the devil”, e shfaq me gojën e gjakosur dhe me një lakuriq nate në dorë. Pikërisht nga kjo legjendë u frymëzua albumi i publikuar në vitin 2000 me pjesëmarrjen e shumë artistëve dhe me titullin: “Supë me kokë lakuriqi nate”.
Vajza që transmeton AIDS-in
E lindur në Shtetet e Bashkuara në kohën kur nisi të përhapej frika nga AIDS, por e treguar shpesh edhe në Europë, kjo është legjenda e gruas misterioze që transmeton AIDS-in tek burrat që janë mësuar të “rimorkiojnë” vajza në takime rastësorë. Edhe në këtë rast, historia ka bërë xhiron e botës duke u transmetuar në versione të ndryshëm. Versioni më i përhapur në Shtetet e Bashkuara është i tillë: “Një djalë takon një vajzë të panjohur, por shumë të bukur në një lokal për beqarë dhe kalon me të një natë seksi. Kur zgjohet, vëren se gruaja ka ikur por i ka lënë një mesazh ogurzi në pasqyrë, të shkruajtur me buzëkuq: “Mirëseerdhe në botën e AIDS…” Ndërkohë, në Itali është më i përhapur versioni sipas të cilit të dy bëjnë seks në makinë. Mëngjesin tjetër djali gjendet në gjendje të fikëti dhe mjekët konstatojnë se i është hequr nje veshkë. Sipas sociologut amerikan Gary Alan Fine, kjo histori pasqyron frikërat e të gjithëve kundrejt jo vetëm AIDS, por kontakteve seksualë rastësorë dhe në përgjithësi dhunës seksuale.
Nuk dihet kurrë kush fshihet prapa sediljes
Shikoni gjithmonë sediljen e pasme të makinës tuaj: mund të jetë fshehur dikush i gatshëm që t’ju vrasë. Siç i ndodhi asaj gruas e cila një natë po kthehej në shtëpi pas një darke me miqtë. Vuri re një burrë që po e ndiqte, dhe u fut menjëherë në makinë, e trembur. I panjohuri e ndoqi me makinën e tij nga shumë afër për t’i penguar shikimin me dritat e forta, por gruaja arriti në shtëpi dhe e terrorizuar thërriti bashkëshortin. Që më në fund doli dhe, bashkë me bashkëshorten shkoi tek ndjekësi misterioz të cilit i kërkoi të zbresë nga makina. Ky vazhdonte t’u kërkonte të dyve që të mbyllnin derën dhe bagazhin e automobilit por ata nuk kuptonin. Më në fund, pas këmbënguljes së gjatë, bashkëshorti mbylli makinën. I panjohuri pushoi së ulërituri dhe u shpjegua: që në fillim ishte përpjekur të lajmëronte gruan se kishte vënë re një burrë në sediljen e pasme të makinës. Në fakt, ai ishte vërtetë dhe bëhej fjalë për një agresor të gatshëm të godiste.
Vajza e vogël në kërkim të biskotave
Kësaj legjende i jep më shumë dramacitet (si në rastin e autostopistes së vdekur) prania e një viktime të pafajshme: një vajzë e vdekur para kohe, një fantazmë që lëviz mes të gjallëve. Kjo histori rrëfehet mbi të gjitha në kampet e scout-ëve, mbi të gjitha mes djemve. Bëhet fjalë për vajzën flokëverdhë, të heshtur, të ndrojtur, që shfaqej çdo ditë në kamp e veshur me të bardha. U kërkonte gjithmonë djemve biskota për të ngrënë, dhe tashmë ishte bërë një mikeshë e të gjithëve, aq sa djemtë që më përpara i bënin gati biskotat për t’ia dhënë. Një ditë, krerët e scout-istëve shkuan në fshatin më të afërt për t’u furnizuar me ushqime dhe hynë në merkatë për të bërë pazarin. Në momentin që do të paguanin vunë re se prapa banakut, në mur ishte e varur fotografia e vajzës që u kërkonte gjithmonë biskota. Kuriozë, pyetën dyqanxhiun se kush ishte ajo vajzë: “Eshtë vajza juaj? Eshtë e njëjta që vjen gjithmonë tek ne për të ngrënë biskota”. Dyqanxhiu zverdhet i tëri në fytyrë dhe përgjigjet: “Nuk ka mundësi. Kjo është ime bijë, por ajo ka vdekur shtatë vjet më parë”.
Të paktën një qen bën rojë
Ashtu si në legjendën e vrasësit në sediljen e pasme, edhe në këtë legjendë ka një njeri të rrezikshëm. Këtë herë është fshehur në shtëpi dhe në vendin e ndjekësit që shpëton gruan në këtë rast është një veteriner. Ja historia. Një grua kthehet në shtëpi dhe gjen qenin e saj Dobermann tek hyrja që është duke ngordhur i mbytur: e transporton menjëherë tek veterineri. Mjeku viziton qenin dhe e këshillon pronaren që të kthehet në shtëpi sepse do ta operonte. Kur mbërrin në destinacion, gruaja merr telefonatën e mjekut që e këshillon të dalë menjëherë, të shkojë tek fqinjët dhe të thërrasë policinë. Gruaja, duke i dhënë të drejtë veterinerit, shpëton jetën e saj. Cfarë kish ndodhur? Mjeku kishte gjetur dy gishtërnj në fytin e qenit dhe kishte kuptuar që dikush kish hyrë në shtëpine e gruas gjatë mungesës së saj. Dobermanni e kishte sulmuar dhe kafshuar gishtërinjtë: ndoshta agresori ishte ende aty. Në fakt, më vonë u gjet i gjakosur në bodrum. Mes versioneve, më argëtuesi është ndoshta ai i bashkëshortit që, duke ndjekur gjurmët e gjakut gjen poshtë shtratit bashkëshortor të dashurin e gruas, i sulmuar nga qeni.
Mund të vdesësh prej frikës? Ndoshta në një varrezë
Varreza: në imagjinatën kolektive është vendi i frikës. Për këtë arsye është vendi i preferuar për romanet dhe filmat horror. Dhe për këtë legjendë e cila qarkullonte në Europë që në Mesjetë. Disa vajza, mysafire në shtëpinë e një mikeshës së tyre një natë fillojnë të tregojnë historinë e varrimit të një të moshuari në varrezën aty pranë. Thuhej se ai ndoshta qe varrosur i gjallë dhe që dikush e kish dëgjuar të thërriste në përpjekje për ta nxjerrë nga varri. Një prej vajzave qeshi me këtë histori kështu që të tjerat e sfiduan që të shkonte tek ai varr, dhe duhej të sillte një provë. Vajza shkoi, por orët kalonin e ajo nuk po kthehej. Mikeshat gjithnjë e më të terrorizuara e pritën më kot gjithë natën. Në mëngjes shkuan ta kërkojnë tek varreza: e gjetën të vdekur mbi varr. Cfarë kish ndodhur? Si provë duhej të vendoste një copë druri në tokë. Kur ishte ulur, i ishte kapur tek fundi dhe e kish rrëzuar përtokë. Kur ishte përpjekur të ngrihej dhe nuk kish mundur, kish menduar që i vdekuri donte ta mbante mbërthyer, dhe kish vdekur në vend nga frika.
Nëse të marrin për prostitutë
Ka edhe legjenda metropolitane argëtuese: si ajo e zonjës së nderuar amerikane që në një vend të huaj e morën për prostitutë. Një turiste amerikane në Qytetin e Meksikos është duke pritur bashkëshortin në qoshen e një rruge. Dy agjentë  emarrin për prostitutë dhe duke qenë se as nuk flet gjuhën dhe as nuk ka me vete dokumentat, e dërgojnë në komisariat. Duhet të kalojnë disa orë përpara se bashkëshorti ta gjejë dhe të sqarojë ngatërresën, por denoncimi është bërë. Komicariati i këshillon që të shkojnë mëngjesin jetër në gjykatë për ta zgjidhur problemin e për të shmangur procesin gjyqësor. Mëngjesin tjetër gjykatësi është i qartë: kostoja për anulimin e denoncimit të policit është dhjetë herë më e lartë, se sa kostoja e marrjes së lejës për prostitucion. Dhe nëse zonja do të zgjidhte versionin e prostitutës, denoncimi do të rrëzohej menjëherë pa shpenzime të mëtejshme. Dhe kështu, zonja zgjodhi versionin më ekonomik: “prostitutë me patentë”. Morali? Më mirë të informohesh paraprakisht për zakontet e vendit ku shkon.
Brenda thesit është veç një mace e ngordhur
Legjenda metropolitane e maces së ngordhur bën xhiron e botës. Një prej varianteve është ky: Një çifti në Jefferson City në Missouri, u ngordh macja dhe i biri ofrohet të bëjë një varrim të denjë: e fut në një thes, hipën në makinë dhe niset drejt fshatit. Ndërkohë kujtohet që duhet të blejë disa gjëra dhe ndalet në një qendër tregtare duke e lënë makinën të hapur dhe thesin me macen e ngordhur në sedilje. Kur kthehet në vendparkim pas disa minutash vëren një hajdute që hap makinën e tij, merr thesin dhe largohet me shpejtësi me një fuoristradë. Pas pak, vajza kurioze për të parë se çfarë ka grabitur vendos të hedhë një sy: brenda thesit shikon macen e gjorë. Për shkak të surprizës së shëmtuar humbet kontrollin e makinës dhe përplaset me një pemë. Infermierët e ndihmës së shpejtë që e marrin në ambulancë e hipin në barrelë dhe ia vendosin thesin mbi bark. Kur mbërrin në spital, vajza zgjohet, shikon thesin, nis të ulërasë dhe i bie të fikët. Kryeinfermierja, bëhet kurioze dhe shikon brenda thesit. I bie edhe asaj të fikët dhe përplas kokën pas hekurit të krevatit. Rezultati? Të dyja të shtruara për traumë.  Ndërsa macja vazhdon të rrijë në thes.
PERSHTATI: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button