Analiza

Leksione futbolli për ekonominë e Europës

Harold James
germany world cupNdonëse udhëheqësit europianë vazhdojnë të mos gjejnë dot një zgjidhje për krizën e Euros, themelet për të nuk është e vështirë t’i dallosh. Në fakt, përvoja më e fundit e futbollit për Europën – sidomos në turneun Euro 2012 dhe në Kupën e Botës këtë vit – ofron mësime se si të rigjallërohet ekonomia e Europës si dhe të zgjidhet problemi më i thellë që ajo ka, ai i identitetit.
Në 28 qershor 2012, teksa udhëheqësit politikë mblidheshin në Bruksel, mes rritjes së pasigurisë për mbijetesën e eurozonës, për të negociuar projektin e Mekanizmit Europian të Stabilitetit, Gjermania po luante kundër Italisë në ndeshjen gjysmëfinale në Varshavë. Dy gola të Mario Balotelit i dhanë fitoren Italisë – dhe e ngjitën Balotelin në statusin e superyllit të futbollit.
Në një moment me ndjeshmëri kaq të madhe politike, një fitore e Gjermanisë do të kishte shkaktuar një reagim të hidhur nacionalist në Europën jugore. Në vend të kësaj, i inkurajuar edhe prej fitores së vendit të tij, kryeministri i ri teknokrat italian, Mario Monti në aleancë me Kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy, e nxitën Angela Merkelin për një hyrje më të lehtë në Mekanizëm – dhe arriti një tjetër fitore të madhe për vendin e tij.
Për pak momente, Monti iu bashkua Balotelit si hero kombëtar. Media italiane shkruajti për dy SuperMariot, me fotomontazhe që tregonin kryeministrin me prerjen e flokëve të sulmuesit të Italisë. Mesazhi, si nga fusha e futbollit, ashtu edhe nga salla e negociatave, ishte se ka një rrugë të shpejtë dhe të lehtë drejt fitores, problemet kompleksë mund të zgjidhen përmes një argumentimi brilant, dhe se superyjet individualë ishin kyçë për suksesin.
Kupa e Botës në Brazil ishte diçka krejt tjetër. Këtë herë, gjermanët fituan, me një shfaqje spektakolare të fuqisë së tyre në fitoren 7-1 në gjysmëfinale kundër vendit organizator, Brazilit, si dhe një triumf 1-0 kundër Argjentinës në finale.
Tifozët e zhgënjyer të skuadrave që humbën i panë ndeshjet nga këndvështrimi i personaliteteve. Brazili dhe Argjentina kishin histori të gjata superyjesh: Pele, Garinça, Ronaldo, di Stefano, dhe Diego Maradona. Në gjysmëfinale, Brazili u duk i paralizuar pa heroin e tij, Neimarin, i cili mbajti të njëjtin numër në shpinë si Peleja, por ishte dëmtuar rëndë në ndeshjen e mëparshme. Në finale, argjentinasit besuan se futbollisti më i mirë në botë, Leo Messi, me siguri do ta udhëhiqte skuadrën kombëtare drejt fitores.
Sigurisht, skuadra gjermane kishte plot futbollistë të mirë. Por në vend të silleshin si superyje, ata punuan së bashku, duke pasuar vazhdimisht dhe krijuar shanse shënimi për njëri-tjetrin.
Fitorja e Kupës së Botës nga Gjermania ishte një demonstrim brilant i rëndësisë së reformave të thella dhe kohëgjata. Në fillimin e viteve 2000, futbolli gjerman ishte i mërzitshëm. Heronjtë e Gjermanisë i përkisnin të kaluarës së largët.
Ishte e lehtë të bëje analogjinë mes performancës së rëndomtë dhe joefikase në stadium dhe gjendjes së përgjithshme të vendit. Në atë kohë, Gjermania shihej si i sëmuri i Europës, me tregje të punës që kishin një mungesë të theksuar elasticiteti. Diçka duhej shkundur.
Në vitin 2004, traineri i ri i Gjermanisë, Jurgen Klinsman bëri pikërisht këtë gjë. Përtej taktikave më agresive, strategjia e tij e re sillte një revolucion themelor në edukimin sportiv dhe në stërvitje, me programe që identifikonin dhe nxisnin lojtarë të rinj premtues në skuadrat e kampionatit të Gjermanisë. Me fjalë të tjera, ishte një strategji afatgjatë.
Fatmirësisht, drejtuesit e kuptuan dhe duruan, pavarësisht se nuk pati rezultate kohëshkurtër. Ndihmësi i Klinsmanit, Joachim Loev e pasoi atë, dhe u shndërrua në arkitektin e fitores së Kupës së Botës 2014.
Revolucioni në futbollin gjerman u pasqyrua në ekonomi. Duke filluar nga viti 2003, Kancelari Gerhard Schroeder, një socialdemokrat, nisi një seri reformash që synonin rritjen e fleksibilitetit të tregjeve të punës, dhe në përgjithësi hedhjen e themeleve për begatinë afatgjatë.
Por kjo qasje me orientim nga e ardhmja pati pasoja afatshkurtëra, pasi Schroederi i humbi zgjedhjet e radhës dhe popullariteti i partisë së tij pësoi rënie të madhe. As Schroederi dhe as Klinsmani nuk siguruan statusin e superyllit, por ata kryen reformat që kishin rëndësi.
Ka edhe të tjerë mësime që gjermanët dhe europianët mund të nxjerrin prej këtyre eksperiencave. Njëri ka të bëjë me integrimin e të huajve. Të gjithë skuadrat e mëdha europiane, përfshirë atë të Gjermanisë, kanë varësi nga lojtarë me prejardhje të huaj. Në ndeshjen ndaj Brazilit, Miroslav Klose, familje e të cilit e ka prejardhjen nga Polonia, u bë lojtari që ka shënuar më shumë në historinë e Kupave të Botës. Jerome Boateng, gjysmë ganez, ishte shtylla e mbrojtjes gjermane. Edhe Baloteli, superylli i Italisë në Europianin 2012 është bir i imigrantëve nga Gana.
Por mësimi më i rëndësishëm është se nuk ka zgjidhje të shpejta apo plumba magjikë. Një ndeshje e jashtëzakonshme nga një futbollist i madh mund të jetë e bukur – edhe frymëzuese – ashtu sikurse dhe mekanizmat e shpëtimit dhe paketat e stimulit mund të rrisin shpresat për tregjet. Por impakti i tyre është i rrufeshëm.
Suksesi i qëndrueshëm, i besueshëm dhe afatgjatë kërkon masa largpamëse që fokusohen në hedhjen e themeleve të fuqishëm. Europa ka nevojë për një qasje të tillë, një që përfshin përshtatje mikroekonomike dhe programe që inkurajojnë lëvizshmërinë, fleksibilitetin dhe inovacionin. Nëse europianët e tjerë do të ndiqnin modelin gjerman, atëherë Europa do të fillonte të dukej si një skuadër kampione. /Project Syndicate/
Profesor i Historisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit

Leave a Reply

Back to top button