Analiza

Lëreni Kameronin të përfundojë punët e nisura

Screen Shot 2015-04-30 at 20.37.01

Nga Michael R. Bloomberg

Në mbarë SHBA-në, amerikanët janë fiksuar tashmë tek një fushatë presidenciale, e cila do të zgjasë 18 muaj (Zoti na ndihmoftë!). Por, shumë pak vëmendje i është kushtuar zgjedhjeve kombëtare, që do zhvillohen pas 7 ditësh dhe që do të ketë ndikime të thella në ekonominë globale.

Më 7 maj, votuesit britanikë do të shkojnë në kutitë e votimit, për të zgjedhur një qeveri të re. Unë rrallë kam mbështetur publikisht kandidatët kombëtarë. Herën e fundit që e kam bërë këtë, ka qenë në vitin 2012, kur shpreha mbështetjen time për Barak Obamën. Por bizneset e mia, lidhjet qytetare dhe filantropike me Londrën, dhe shqetësimi im për të ardhmen e ekonomisë në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe rëndësinë e saj në tregjet botërore, më shtyjnë drejt një tjetër përjashtimi.

Gjatë 5 viteve të fundit, vendimet e guximshme dhe lidershipi i fortë i Dejdiv Kameronit, e kanë ndihmuar ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar të dalë nga recesioni global, në një formë shumë më të mirë sesa pjesa tjetër e Evropës. Tashmë nuk është koha për t’u kthyer mbrapa. Unë shpresoj se votuesit britanikë, do t’i japin partisë së tij konservatore shumicën që i duhet, për të vazhduar forcimin e ekonomisë dhe mbajtur vendin në drejtimin e duhur.

Politika shumëpartiake e Mbretërisë së Bashkuar

Duke e filluar nga një biznes i vogël dhe drejtuar më pas një qytet të madh si Nju Jorku, unë e di se udhëheqja kërkon nga qeveria, marrjen e vendimeve të vështira dhe shpesh jopopullore. Kur Kameroni u zhvendos në Ten Downing Street në vitin 2010, ekonomia britanike ishte ende në vështirësi. Grupet e interest patën kërkuar më shumë shpenzime, dhe kur Kameroni miratoi një plan fiskal që pakësonte huamarrjen, ata parashikuan një stanjacion të përhershëm ekonomik.

Për të mirën e  tij të madhe, Kameroni nuk u tërhoq. Dhe koha dëshmoi se ai kishte të drejtë.

Nën drejtimin e qeverisë prej tij, Britania e Madhe ka shtuar më shumë vende pune, sesa pjesa tjetër e Evropës e marrë së bashku – një arritje kjo mbresëlënëse – dhe vitin e kaluar ekonomia ishullore, kishte rritjen më të shpejtë se çdo komb tjetër i madh perëndimor. Pak vetë mund të parashikonin, se një sukses i tillë ishte i mundur.

Po, të dhënat e kësaj jave mbi PBB-në, tregojnë se ka ende shumë punë për të bërë. Por kjo është një detyrë, që më së miri mund të përfundohet, nga ekipi që e ndihmoi Britaninë të mbërrijë kaq larg. Kameron, pati guximin t’u qëndronte bindjeve të tij, por ai s’ka qenë ndonjëherë skllav i ideologjisë.

Kreditimi ka rënë ndjeshëm që prej vitit 2010, por në një normë më të vogël sesa kishte planifikuar në fillim Kameron. Ai shkurtoi disa zëra në buxhet me aftësi të madhe, duke iu përshtatur kushteve të ndryshuara dhe siguruar që “anija” e shtetit të lëvizë përpara. Ai dhe partia e tij – së bashku me Nik Klegun e dhe Liberal Demokratët – e balancuan në mënyrë pragmatike nevojën për disiplinë fiskale, me një vlerësim mbi nevojat e qytetarëve;shkurtimin

e taksave për të varfërit, mbrojtjen e Shërbimin Shëndetësor Kombëtar dhe reformimin e arsimit.

Kameron meriton gjithashtu të vlerësohet për ruajtjen e bashkimit. Në referendumin skocez të vitit të kaluar, fushata e qeverisë për unitet, tek e fundit ia doli të parandalojë atë, që do të kishte qenë një gabim me përmasa historike. Një qeveri e përbërë nga laburistët dhe nacionalistët skocezë – pavarësisht garancive nga të parët se nuk do të hyjë në një koalicion të tillë – do të dëmtojë atë fitore dhe, potencialisht, vetë bashkimin.

Partia Laburiste pohon se do të ruajë disiplinën e fortë fiskale të qeverisë aktuale, por rritja e  planifikuar e taksave, nuk do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet e reja, që do të jenë të nevojshme, për të mbajtur premtimet që po bëhen gjatë fushatës. Votuesit (në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe në fakt kudo tjetër në botë), janë mësuar të dëgjojnë kandidatët të ofrojnë diçka për asgjë.

Unë kam besuar gjithnjë, se ne duhet të shpërblejmë kandidatët, të cilët kanë guximin t’u tregojnë votuesve të vërtetën, dhe përvoja ime ka qenë se votuesit respektojnë kandidatët që bëjnë punë. Ashtu si shumica e votuesve, unë nuk pajtohem me çdo qëndrim të zotit Kameron. Për shembull, unë besoj fort se shtimi dhe jo frenimi i emigracionit, do të çojë tek një rritje me e madhe ekonomike, dhe se Britania e Madhe – sikurse SHBA-ja – do të përfitojë nga politikat më liberale mbi emigracionin.

Unë gjithashtu, ndaj të njëjta rezerva me kreun e Partisë Laburiste Ed Miliband, në lidhje me një referendum për të qëndruar apo jo në Bashkimin Evropian, por shpresa ime është se votuesit në fund të fundit, do të mbështesin planin e Kameron, për të mbajtur Britaninë në BE, ashtu siç i bindi skocezët të mbeten pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Duke qenë i zgjedhur për 3 mandate rradhazi, si kryetar i bashkisë së Nju Jorkut, unë e di se shumë nga mbështetësit e mi, nuk pajtohen me të gjitha vendimet e mia. Por sikurse shprehej një nga paraardhësit e mi:”Nëse jeni dakord me mua në 9 nga 12 çështje, ju duhet të votoni për mua. Nëse jeni dakord me mua për 12 nga 12 çështje, atëherë ju duhet të vizitoheni tek një psikiatër”.

Nga vizitat e mia të shpeshta në Britaninë e Madhe, ku kompania ime punëson më shumë se 3.000 njerëz dhe po ndërton një shtab të ri evropian, unë e di në vetë të parë, se ku ndodhej vendi para se Dejvid Kameron të merrte drejtimin e qeverisë, dhe ku është ai tani. Progresi i Britanisë është arritur me vështirësi, në sajë të zgjedhjeve të vështira, të bëra përballë  një rezistence të jashtëzakonshme, por të cilat u provuan se ishin të drejta. Unë shpresoj se votuesit do të dinë t’i shpërblejnë udhëheqësit, që i ndërmorrën këto vendime./“Bloomberg View”/ Bota.al

Leave a Reply

Back to top button