Analiza

Lëreni Rusinë të jetë vetvetja

Shlomo Ben-Ami*

Identitetet kombëtarë nuk mund të negociohen. Por demokracia mund të dobësojë manifestimet e tyre agresivë. Eshtë koha që udhëheqësit rusë dhe perëndimorë të projektojnë një ujdi të madhe për paqen në Ukrainën lindore, një që të shkojë përtej Protokolleve të Minskut, me qëllim që të merret me çështjet globale të sigurisë dhe kontrollit të armëve, të cilat kanë penguar bashkëpunimin për çështje si lufta civile në Siri dhe programi bërthamor i Iranit. Rusia nuk ka nevojë të përmbysë rendin ekzistues global. Ajo ka thjeshtë nevojë të gjejë vendin e saj. Dhe SHBA duhet ta lejojë

Kremlin

Në artikullin e tij të famshëm “X”, të botuar në vitin 1947, George F. Kennan argumentonte se armiqësia e Bashkimit Sovjetik kundrejt SHBA ishte praktikisht e palëkundur, duke qenë se ajo i kishte rrënjët, jo në një konflikt klasik interesi mes fuqive të mëdha, por në një nacionalizëm dhe pasiguri të thellë. E njëjta gjë mund të thuhet për konfliktin aktual mes Rusisë së Vladimir Putinit dhe Perëndimit: Në thelb, nuk është një përplasje mes vlerave universale të Perëndimit dhe përpjekjes së Rusisë për një identitet të ndryshëm.
Lufta për identitet e një vendi mund t’i japë formë qasjes strategjike të tij. Karakteri misionar i qytetërimit amerikan ndihmon për të shpjeguar sjelljen e SHBA si fuqi globale. Rishfaqja e Islamizmit është në thelb një përpjekje për realizimin e një identiteti nga ana e një qytetërimi të lashtë, i cili është trullosur prej sfidave të modernitetit. Dhe theksi që i vë Izraeli identitetit të vet hebre është shndërruar në një pengesë të fortë për paqen me palestinezët.
Politika e jashtme sfiduese e Putinit është një reagim – ndërmjetësuar përmes një tradite politike autoritare, parimeve reaksionarë të Kristianizmit Ortodoks, si dhe krenarisë për gjeografinë e madhe dhe pasuritë natyrore të Rusisë – ndaj humbjes poshtëruese të një perandorie. Duke parë tek humbja e Rusisë në Luftën e Ftohtë, nevojën për të lartësuar rrënjët joperëndimore të historisë dhe traditës së Rusisë, Putini është tërhequr tek të njëjtat vlera konservatore që u shfaqën në reagimin pas pushtimit të Napoleonit në vitin 1812, i cili dëmtoi përpjekjet modernozuese të Pjetrit të Madh.
Kur zëvendës kryetari i administratës presidenciale, Vyacheslav Volodin tha gjatë një takimi të fundit të Klubit të debatit “Valdai” në Sochi, se “Putini është Rusia dhe Rusia është Putini”, ai po shfrehte në fakt një realitet të thellë rus. Në asnjë vend tjetër, personi i sundimtarit – që nga Katerina e Madhe dhe Ivani i Tmerrshëm, deri tek Lenini dhe Stalini – nuk ka lënë një shenjë kaq të thellë në historinë kombëtare.
Por Putinizmi nuk mund të reduktohet në thjeshtë një etje të dukshme për pushtet. Putini e di se ringritja e Rusisë në skenën globale duhet të mbështetet në një kundërvënie ndaj “jashtëzakonshmërisë” së Amerikës, një identitet kombëtar i bazuar në një konceptim të dallueshëm të historisë dhe idealeve të veçantë.
Siç deklaroi Putini vitin që kaloi, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik i dha “një goditje shkatërrimtare kodeve kulturorë dhe shpirtërorë të Rusisë dhe përpjekjet e mëpasshme për të qytetëruar Rusinë nga jashtë erdhën e u përmblodhën në huamarrje primitive”. Në vend që të presë që një ideologji e re kombëtare të shfaqet vetë, Rusia duhet të ndjekë dhe zhvillojë identitetin e saj unik – me Putinin që udhëheq.
Sigurimi i një vendi për Rusinë në rendin e ri botëror është pjesë integrale e krijimit të një identiteti të tillë. Për këtë qëllim, Putini ka maksimizuar vlerën që kanë në politikën e jashtme burimet e mëdhenj të naftës dhe gazit të Rusisë, duke i mundësuar Kremlinit të krijojë partneritete me fuqi në rritje të Azisë, sidomos Kina. Nëse, siç kanë propozuar disa zyrtarë rusë, Rusia do të fillojë një projekt të madh të përcaktimit të identitetit për zhvillimin e një hapësire shumë të madhe territori në lindje të Uraleve, duke përfshirë Siberinë dhe Lindjen e Largme, ajo do të ketë një shans unik për t’i thelluar edhe më tej këto lidhje me gjigandët aziatikë.
Pra, sfida që i bën Putini hegjemonisë së SHBA mund të tërheqë mbështetjen e shteteve dhe popujve të botës që nuk i durojnë vlerat dhe normat e imponuara nga Amerika. Në të vërtetë, për shumë aktorë ndërkombëtarë, idetë perëndimore të tolerancës dhe korrektësisë politike – për shembull, pranimi i “stileve jotradicionalë të jetesës” si homoseksualizmi – janë, sipas fjalëve të Putinit, një “fyerje ndaj diversitetit që na ka dhënë Perëndia”.
Por Putini nuk është vetëm duke predikuar vlera. Aneksimi i Krimesë dhe destabilizimi i vazhdueshëm i Ukrainës çon përpara ambicien e tij më të madhe për ringjalljen e dominimit kulturor dhe politik të Rusisë në Eurazi dhe në pjesën më të madhe të hapësirës ish sovjetike. Sipas pikëpamjes së Putinit, Marrëveshja e Jaltës e vitit 1945, që e ndau Europën në sfera sovjetike dhe perëndimore të influencës, nuk ka marrë fund. Thjeshtë, kufijtë e saj janë zhvendosur më në lindje.
Pas një diskutimi mbi sfidat e shumta globale gjatë takimit të fundit të Valdait, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e identifikoi një demonsrtatë të rusëve etnikë në Kishinjev, kryeqytet i Moldavisë, si “çështja më e rëndësishme me të cilën duhet të merremi”. Kur bëhet fjalë për unitetin etnik, Rusia e Putinit nuk ka aspak drojë.
Sigurisht, Perëndimi – sidomos SHBA – ka pjesën e vet të përgjegjësisë për dështimin në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për situatën aktuale me Rusinë. Përpara se të arrihet një paqe jetëgjatë, SHBA do të duhet të reflektojë mbi gabimet që karakterizuan periudhën e hegjemonisë së saj pas Luftës së Ftohtë, kur aventurat e saj ushtarake njëpalëshe si dhe ambiciet neoimperiale shkaktuan një tejlodhje të saj, si dhe e zhytën në borxhe dhe e kyçën në një luftë të pafund.
Pa një reflektim të tillë, SHBA dhe aleatët e vet europianë ndoshta do të vazhdojnë të mbështeten në sanksionet ekonomikë për të frenuar agresionin e Rusisë. Por, ndonëse kjo qasje mund të dobësojë legjitimitetin e Putinit duke kufizuar aftësinë e tij për të sjellë begati ekonomike, ajo mund të shkaktojë një kundërplasje nacionaliste antiperëndimore. Për më tepër, siç ka treguar Zëvendëskryeministri Igor Shuvalov, sanksionet mund të jenë një bekim, duke e detyruar Kremlinin që të diversifikojë ekonominë ruse të bazuar në tregtinë e mallrave.
Identitetet kombëtarë nuk mund të negociohen. Por demokracia mund të dobësojë manifestimet e tyre agresivë. Eshtë koha që udhëheqësit rusë dhe perëndimorë të projektojnë një ujdi të madhe për paqen në Ukrainën lindore, një që të shkojë përtej Protokolleve të Minskut, me qëllim që të merret me çështjet globale të sigurisë dhe kontrollit të armëve, të cilat kanë penguar bashkëpunimin për çështje si lufta civile në Siri dhe programi bërthamor i Iranit.
Rusia nuk ka nevojë të përmbysë rendin ekzistues global. Ajo ka thjeshtë nevojë të gjejë vendin e saj. Dhe SHBA duhet ta lejojë.
Shlomo Ben-Ami, ish Ministër i Jashtëm i Izraelit, është zëvendës president i Qendrës Ndërkombëtare për Paqen të Toledos. Ai është autor i “Shenja lufte, plagë paqeje: Tragjedia arabo-izraelite”
© Project Syndicate 1995–2014
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button