Letersi

LETERSI / Frankenshtajni lindi nga një grua gjeniale, që kishte kuptuar lidhjen komplekse nënë-fëmijë

Në moshën 18-vjeçare, e kishte humbur tashmë djalin e parë të paligjshëm. Një vit më pas shkroi kryeveprën e saj, që tani mbush 2 shekuj. Njëqind vjet më herët nga Frojdi, Meri Shelli zbuloi marrëdhënien e paqartë dhe të dhimbshme me pasardhësit. Krijoi mitin e pavdekshëm gotik të një teme të vështirë: anët e errëta të amësisë

Screen Shot 2016-06-10 at 15.07.17

Për të qenë e sinqertë, ai Frankenshtajn që Meri Shelli e shkroi kur qe vetëm 19 vjeçe, në verën veçanërisht të lagësht të vitit 1816, buzë brigjeve famëkeqe të liqenit të Gjenevës, si studente nuk më kishte bindur kurrë plotësisht. Po, ishte një histori veçanërisht intriguese për t’u konceptuar nga mendja e një vajze të shekullit të XIX-të, por ai përbindësh i stërmadh që endej i dëshpëruar nëpër stepa, duke u lutur për dashurinë e Krijuesit të tij, në vend se të më trembte më trishtonte.

Shpikësi i saj, shkencëtari Frankenshtajn që i kishte dhënë jetën, e konsideronte të neveritshëm:i fiksuar pas misionit të tij, me referencë vetveten, i lirë të vijë e të shkojë nga një vend në tjetrin duke ia lënë të ngratës, zemërbutë Elisabet të presë për vite me rradhë.

Me pak fjalë, më është dukur gjithmonë një histori me shumë meshkuj delirantë dhe pak gra të destinuara gjithësesi drejt vdekjes së sigurtë. Marrim të ngratën Elisabet:përfundon e mbytur nga përbindëshi në shtratin e martesës, përpara se të konsumojë natën e saj të parë të dasmës! Por pastaj lexova librin “Një jetë me Meri Shellin” të Barbara Xhonsonit, një profesore e shkëlqyer e letërsisë në Universitetin e Harvardit, por mbi të gjitha një nga studiueset më të kujdesshme të romaneve të shkruara nga gratë dy shekuj më parë. Dhe Frankenshtajni u bë diçka tjetër.

Një perspektivë e re

Xhonson, duke qenë shumë kreative, shpërfill interpretimet aktuale të romanit (dënimin e fuqive të shkencës), por rrëmon në jetën dhe psikikën e Meri Shellit, dhe e bën Frankenshtajnin objekt të studimeve të saj gjatë gjithë jetës. Në fillim të librit sqarohet shumëçka:në verën e vitit 1816, një grup britanikësh shumë kozmopolitë dhe udhëtarë kishin marrë me qera Vilat Diodati dhe Maizo Shapui në brigjet e liqenit të Gjenevës.

Në këtë grup bënte pjesë edhe Meri 19-vjeçare, në arrati me të dashurin e saj Persi B. Shelli, poetin romantik anglez, artisti tjetër i madh i kohës Lord Bajroni, shkrimtar i shkëlqyer dhe një joshës i palodhur, mjeku i tij privat Polidori, i rënë fshehurazi në dashuri me të si dhe gjysmë-motra e Merit, Kler Klermond, e dashura (femra e rradhës që do t’i jepte duart) e Bajronit dhe shtatzënë me këtë të fundit.

Një grup i veçantë, me një gjeografi sentimentale të mundishme, dhe shumë pak të gatshëm të kalojnë në mërzi ditët e gjata me shi. Bajroni ka një ide:secili prej tyre do të shkruajë një histori mbi të paarsyeshmen, monstrat, frikën ndaj një të ardhme tanimë të pakontrollueshme. Dhe Meri fillon të shkruajë.

Fëmijëria e mundishme e Merit

Bija e një prej feministeve së para të famshme, Meri Uollstounkraft, dhe Uilliam Goduinit, një filozof i njohur i kohës, Meri pati një jetë tragjike dhe të pasur në të njëjtën kohë:nuk arrin të njohë dot të ëmën, e cila vdiq disa ditë pas lindjes së saj, rritet me njerkën që nuk e do, por njëkohësisht njeh të gjithë artistët që vizitojnë shtëpinë e saj.

Vlen të përmend një fakt:kur qe vetëm 9-vjeç merr pjesë në leximin e orët e vona të natës të poemës “Kënga e marinarit të vjetër” nga S.T. Kolerixh, një mik i babait të saj, një tekst që realisht nuk rekomandohet për fëmijët. Dhe pikërisht përmes babait të saj, në moshën 17-vjeçare njeh P.B. Shellin, poetin aristokrat romantik, tashmë të martuar dhe me fëmijë. Ajo arratiset me të, por jo për t’u martuar pas një nate dashurie në një kishëzë të këndshme, por për të udhëtuar rrëzë Alpeve, fjetur nëpër pyje dhe bërë dashuri nën yjet e qiellit.

E lirë, feministe, inteligjente

Por fati, që i rezervon një jetë ndryshe nga e zakonshmja, në të njëjtën kohë e përball me sprova të mëdha:vdekja e nënës, vetëvrasja e Harrietës, gruas së braktisur nga bashkëshorti Persi Shelli dhe pastaj humbja e fëmijëve të saj. Kur Meri qëndron se vilën e famshme verore Diodati e kishte humbur tashmë fëmijën e parë, dhe nga 3 të tjerë që lindën në vitet që pasuan do të humbasë edhe dy të tjerë. Kur Meri lind “pasardhësen e saj të urryer” (siç e përkufizoi ajo vetë në libër), është një adoleshente e privilegjuar për shkak të fatit dhe pasurisë, por është edhe një grua e pamartuar për shkak të përballjes me fatin e vet arkaik:të arrinte të bëhej dhe ishte nënë. Me të gjitha që sjell ky status.

Errësira e pashprehur e amësisë

Pikërisht këtu marrëdhënia midis Dr. Frankenshtajnit dhe përbindëshit, frika, neveria, alternimi ndërmjet dëshirës, përgjegjësisë, refuzimit dhe braktisjes, depërtojnë në krijimin e një qenieje (e përsosur në imagjinatën e krijueses, por jo në realitet), do të qe kush tjetër veçse errësirës së pashprehur që çdo grua mbart në vetvete pas lindjes së djalit.

Depresioni postpartum? Refuzimi i amësisë? E pamendueshme ta deklaroje apo madje edhe pëshpërisje në vitin 1816. Si mundet një shoqëri patriarkale të duronte një sakrilegj të tillë? Shelli e fsheh përvojën e saj të pavetëdijshme në një histori gjithë-mashkullore, ku gratë vdesin pa e njohur seksualitetin e tyre. Dhe, duke u fshehur pas një burri, arrin të nxjerrë në pah lidhjen e padepërtueshme dashuri/urrejtje që lidh çdo nënë me krijesën e saj. Më shumë se një shekull para psikoanalizës, Meri Shelli zbulon atë që nuk mund të thuhej.

Vlera e shtuar për lexuesit

Shelli e botoi librin nën një pseudonim. Historia e saj kapërceu shekuj, kinemaja ka prodhuar më shumë se 200 variante dhe publiku, pa e ditur, ka vënë në zbatim një nga ato operacione që flasin shumë:ishte imagjinata kolektive ajo që i dha “krijesës” emrin e krijuesit të tij, dr. Frankenshtajn. Një konfuzion që i bashkoi përgjithmonë në një tërësi të pandashme. Simbioza që çdo nënë e shëndetshme dhe me kokën në vend përpiqet të kapërcejë. Ndoshta më kot. /Sette – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button