Letersi

LETERSI / Përse nuk është “thjeshtë fantashkencë”

Zhyl Verni paralajmëroi qytetërimin teknologjik, H. G. Uellsi bombën atomike, MekKarthi një tokë postapokaliptike. Shkencëtarët e fantashkencës si profetë? Falë studimeve shkencorë apo intuitës mbresëlënëse, kanë ditur të parashikojnë të ardhmen. Prandaj ia vlen të lexohen

Screen Shot 2015-05-28 at 20.44.57

Të rinj me një fat mizor: të arsimuar në një kolegj të shkëlqyer në një fshat anglez, ata janë në të vërtetë klone humanë të krijuar në laboratorë për t’ua dhuruar më pas organet e tyre të sëmurëve. Janë protagonistët e romanit “Mos më lër”, ngjarjet e të cilit ndodhin në një të tashme alternative të krijuar prej anglo-japonezit Kazuo Ishiguro.
Dy të mbijetuar, atë e bir, që udhëtojnë të rrethuar prej dashurisë dhe prej dëshpërimit në një botë të errët dhe të pajetë, e shkatërruar nga apokalipsi bërthamor janë në qendër të kryeveprës së Kormak MekKarthit, “Rruga”, i vitit 2008. Shumë pak arsye ka për të qenë të qetë po të shohim botën e projektuar nga dy prej librave më të suksesshëm të letërsisë bashkëkohore, që menjëherë kanë përfunduar edhe në ekranin e madh. Po përse shkrimtarët shohin nga e ardhmja? E pastaj, profecitë e tyre, a verifikohen vërtetë?

ROMANI SHKENCOR

Për të shmangur tmerret e të shkuarës, apo për t’u mbijetuar maktheve të të tashmes, njeriu është përpjekur gjithmonë të zbulojë atë që i rezervon e ardhmja. Dhe shkrimtarët, në veçanti ata të fantashkencës, kanë imagjinuar shoqëri të tmerrshme për t’u shmangur, apo shoqëri të përsosura (utopike), për t’u imituar, siç ka bërë Tomazo Moro në vitin 1516, me librin “Utopia”, ishulli imagjinar me një shoqëri ideale, prej ku lindi termi që sot përdoret për të shprehur konceptin e përgjithshëm. Romani i vërtetë shkencor lindi megjithatë mes Tetëqindës dhe Nëntëqindës, me autorë si Zhyl Vern dhe H.G.Uells. Xhuzepe Lipi, kurator i të përmuajshmes Urania dhe autor i “2001: Odise në hapësirë – Fjalor i shpjeguar” tregon vlerën e këtyre librave: “Verni, me “Njëzetë mijë lega nën det” dhe “Nga Toka në Hënë”, paralajmëroi shoqëritë teknologjike të bazuara tek nëndetëset dhe anijet hapësinore. Tek “Makina e Kohës”, Uellsi rrëfen shuarjen e jetës në Tokë, pas vendosjes aty të një qytetërimi të evoluar dhe të përsosur të njerëzve të të ardhmes”. Vetë autori, në romane të tjerë, parapërshkroi edhe konfliktin e dytë botëror, të cilit diti t’i rrëfejë me një realizëm befasues bombardimet ajrorë dhe pasojat sa u përket viktimave, tmerreve e madje edhe bombën atomike. Kjo e bën një prej eksponentëve më të mëdhenj të narrativës parathënëse shkencore të Nëntëqindës, një zhanër në të cilin kanë kontribuar edhe shumë autorë italianë. “Të mos harrojmë Salgarin, me disa vepra futuriste si “Mrekullitë e Dymijës” i vitit 1907”, shton Lipi “e më pas vetë futuristët. Marineti, për shembull, ka shkruajtur më shumë se sa një roman fantamitologjik, si Mafarka, futuristi”. PROFETË

A mund t’i quajmë këta shkrimtarë “profetë letrarë”? Mundet patjetër, siguron Lipi, sepse “profeti mund të gabojë fare mirë ngjarjet deri në minutë, por jo kuadrin e përgjithshëm, apo nevojën për të jetuar ndryshimin. Dhe shkrimtarë si H.G.Uells, Olaf Stapledon, Rei Bredbëri dhe Filip Dik kanë sintonizuar njerëzimin me risitë epokale, duke rrokur ndryshimin e madh teknologjik dhe social”.
Dhe kjo i ka mundësuar gjithashtu këtij zhanri letrar që të mos konsiderohet më i serisë B. Antonio Rikardi, Drejtor i katalogut Mondadori thotë: “Ka një gjë që ka ndryshuar kartat në tavolinë: është kontaminimi mes zhanreve. Koloriti i fantashkencës lind nga fakti që, shkrimtari në të vërtetë pyet mbi çështje që qëndrojnë në themel të qenies njerëzore, duke përdorur terma të fantashkencës për të mbërritur në mënyrë më direkte”.

NË ORIGJINË TË PESIMIZMIT

Dallimi me klasikët e mëdhenj të zhanrit është që, ndërkohë që në prodhimin letrar të fundit të tetëqindës, në romane mbizotëronte një vizion optimist për të ardhmen, sepse shkenca po ndryshonte për mirë shoqërinë, shumë vepra të famshme të fantashkencës së shekullit pasardhës si “Bota e re” e Aldus Hakslej apo “1984” i Xhorxh Oruellit, kanë përshkruar shoqëri negative, shpesh të qeverisura nga një tirani të cilës i nënshtrohen qytetarët disidentë. A mund të konsiderohen profetë të “fatkeqësisë”?

“Janë mbi të gjitha brezat e ardhur pas Luftës së Dytë Botërore që kanë një vizion kaq negativ”, pranon Lipi. “Eshte epoka e “Plazhi i fundit” i Nevil Shute, me fatkeqësinë e parashikueshme atomike, apo “Fahrenheit 451” i Bredbëri që vajton fundin e librave dhe qytetërimit humanistik, të vrarë nga një teknologji depersonalizuese dhe nga një politikë intolerante dhe sipërfaqësore”. Silvio Sosio, drejtor i fantascienza.com thotë: “Në mënyrë të veçantë, pas bombave në Hiroshima dhe Nagasaki, bëhet dramatikisht e dukshme që progresi teknologjik mund të përdoret edhe për të shkatërruar, në vend që për të ndërtuar. Shihet e ardhmja me shqetësim dhe shkenca me frikë, dhe fantashkenca nuk bën veçse pasqyron këto lloj ndjenjash, duke i lartësuar në vizione apokaliptikë”.

Sekreti i suksesit të këtyre profetëve të letërsisë është ndoshta që nuk kanë vënë kurrë objektivin për të parashikuar të ardhmen. Më thjeshtë, janë përpjekur që ta imagjinojnë në mënyrë bindëse dhe të përafërt.

“La Lettura-Bota.al

Leave a Reply

Back to top button