Bota

Lëvizjet e fshehta të Papës për të ndërmjetësuar në Ukrainë

Jo vetëm apel dhe lutje për paqe. Në krizat delikate ndërkombëtare, atë ukrainase dhe atë libiane, Papa lëviz me një diplomaci të hollë e të fshehtë në një përpjekje për të rivendosur stabilitetin në të dy zonat

Screen Shot 2015-02-21 at 9.07.52 PMAi tashmë kishte ndërhyrë në çështjen e Irakut me emërimin e një të dërguari të tij, kardinalin Fernando Filoni, në zonën e krizës. E kishte bërë me vite të tërë diplomaci të fshehtë të Vatikanit, në marrëdhëniet mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara, ku roli i Selisë së Shenjtë ishte vendimtar për të rivendosur marrëdhënie diplomatike mes dy shteteve. Tani Papa Françesku është duke menduar për një mision paqeje në Ukrainë, me emërimin e një të dërguari të tij, njërit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë.
Ai foli personalisht me Kardinalin Oscar Rodriguez Maradiaga, i besuari i tij, kreu i komisionit të themeluar nga Papa për të çuar përpara reformën e Curias. Disa ditë më parë, në fakt, kryepeshkopi i Tegucigalpa-s në Honduras, në fund të mbledhjes në Vatikan gjatë të cilës Papa zgjodhi njëzetë kardinalë të rinj, duhej të shkonte në Gubbio për të marrë çmimin “Flamuri i Gubbio-s.” Ndërsa po hipte në helikopterin që do ta transportonte nga Roma në Umbria, ra telefoni. Ishte Jorge Mario Bergoglio, i cili ka thirrur urgjentisht për në Vatikan edhe Maradiaga-n. Nga takimi rezulton që Papa po përpiqet për të gjetur një strategji diplomatike për të ndërhyrë në çështjen delikate të Ukrainës.
Nëse është kardinali nga Hondurasi apo një tjetër bashkëpunëtor i Papës për të shkuar në një mision paqeje në Ukrainë, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është që Papa argjentinas nuk ka ndërmend të qëndrojë duarkryq. “Françesku nuk është një Papë vetëm i fjalës”, thonë nga Selia e shenjtë. “Një mision diplomatik i Vatikanit në Ukrainë, në emër të Papës, nuk do të habiste askënd”.
Nuk duket të dalin informacione të tjera mbi misionin e paqes. Por Papa, megjithatë, vazhdon të monitorojë situatën. Këto ditë Papa Françesku ka pritur peshkopët ukrainas që vizituan Vatikanin. Dhe nuk kanë munguar thirrje të shumta për paqe. “Vëllezër dhe motra”, tha ai duke iu drejtuar peshkopëve dhe besimtarëve të Ukrainës në fund të audiencës së përgjithshme në Shën Pjetër, “e  di se në mes të shumë qëllimeve të larta që ju do të çoni në varret e Apostujve ka një kërkesë për paqe në Ukrainë. Mbaj në zemër të njëjtën dëshirë dhe bashkohem me lutjen tuaj, sepse shpejt do të vijë paqja e qëndrueshme”.
Në të njëjtin drejtim të një aksioni të fortë diplomatik, Papa do të lëvizte në frontin e parë të çështjes libiane. Në këtë qe vendimtar roli i Sekretariatit të Shtetit dhe veçanërisht i kardinalit Pietro Parolin, për një kohë të gjatë diplomat veçanërisht aktiv në çështjet ndërkombëtare. Nuk do të ishte hera e parë që një ndërhyrje diplomatike e Selisë së Shenjtë jep fryte. Kjo kishte ndodhur tashmë me ditën e lutjes për Sirinë, e thirrur nga Papa, i cili ndali në kohë një veprim ushtarak amerikan. Pastaj me krizën e përmendur tashmë në Irak dhe në procesin e afrimit midis SHBA-së dhe Kubës. /Ansa/
Bota.al

Leave a Reply

Back to top button