Analiza

Lexonim skocisht. Këndonim skocisht. Por ishim britanikë

JOHN LLOYD

yes noNë fshatin e vogël të peshkatarëve skocezë, ku jam rritur në vitet pesëdhjetë, e kishim për zakon që t’i vinim në lojë anglezët. Imagjinonim sikur ishin të gjithë borgjezë të lartë, snobë, budallenj – pothuajse karikatura e një aristokrati idiot, që kishte “më shumë para se sa tru”, siç thuhej andej nga ne. Kur në periferi u ndërtua një qendër komunikimi për bazën e aeronautikës së NATO-s në Leuchars, në Fife Coast, nisëm të talleshim me të rinjtë dhe të rejat në shumicë angleze që nisën të mbërrijnë masivisht në shkollën tonë. Në oborr shpesh herë shpërthenin të qeshura, por të mbërriturit rishtaz, të mësuar me transferimet e shpeshtë pak a shumë kudo në të gjithë botën dhe të mësuar të kujdeseshin për vetveten, fitonin shpesh. Më pas lindnin miqësitë: edhe sot e kësaj dite kam dy miq anglezë që i kam njohur që në atë kohë. Babai im – të cilin ime më e la që përpara se të lindja unë (e tyrja ishte një martesë në kohë lufte, që nuk pati forcën t’u mbijetonte viteve të shumtë të paqes) – ishte anglez. Gjyshi im, në shtëpinë e të cilit shkuam të jetojmë unë dhe ime më, kish qenë një tregtar për një kompani dërgesash me qendër në Londër që bënte biznes me Lindjen, dhe ishte nga ai lloj njerëzish që mund t’i takosh në romanet e Joseph Conradit, inxhinieri skocez që bën të ecë përpara anija.
Edhe ai kishte zakonin që të vinte në lojë anglezët. Megjithatë ishte një unionist i bindur, që e konsideronte Skocinë më të madhe, pikërisht sepse ishte pjesë e një perandorie të fuqishme. Ishte protestant. Ashtu si shumë të tjerë që i përkisnin brezit të tij, ushqente paragjykime ndaj katolikëve, pasojë e një kulture presbiteriane që e konsideronte papën si antikrisht. Kur ime më u martua për së dyti, zgjodhi një polak, natyrisht katolik, që kishte luftuar në divizionin Polonia e Lirë – pjesë e ushtrisë britanike dhe që kishte spikatur në betejën e Montecassinos – dhe që pas luftës ishte rikthyer në Britaninë e Madhe. Gjyshit tim nuk i erdhi aspak mirë.
Kultura ishte shumë më tepër skoceze nga sa është sot, në çdo qoshe të Skocisë. Pothuajse të gjithë flisnin dialektin skocez, shumë i vështirë për t’u kuptuar për ata që janë anglofonë, pikërisht siç janë dialektet rajonalë në Itali. Këngët dhe vallet ishin në gjuhën skoceze. Ceremonitë dhe dëfrimet ishin skoceze, mbi të gjitha për Vit të Ri. Një prej mësuesve të mi ishte poet, jo pak i njohur: shkruante pak në anglisht, kompozonte mbi të gjitha në skocisht dhe në gjuhën e tij përktheu “Quasimodon” nga italishtja dhe Achmatovën nga rusishtja.
Por pavarësisht gjithçkaje, në mënyrë të pavetëdijshme ishin britanikë. Brezi i mamasë sime kishte përjetuar luftën: si ajo, ashtu edhe vëllai i saj, kishin shërbyer në marinë. Daja im mbeti i plagosur gjatë një sulmi të gjermanëve ndaj anijes së tij. Edhe ai u martua me një angleze. Lufta përzieu gjithçka në Britaninë e Madhe, dhe detyroi popullsinë që të pranonte bashkëkombësit e vet, që të luftonte një armik të përbashkët që i kërcënonte të gjithë dhe ta konsideronin luftën të drejtë.
Shakatë dhe armiqësitë e vockla mes nesh ishin si ato që ekzistojnë mes rajoneve të ndryshëm italianë, madje edhe qyteteve të ndryshëm. Bashkëshortja ime toskane dhe babai i saj mendojnë se rajoni i tyre ka mbi shpatulla historinë më të rëndësishme të Italisë. Si fiorentine e vërtetë, vazhdon edhe sot e kësaj dite të këmbëngulë se me Pizën dhe Sienën ka një rivalitet për supremaci. Po kështu edhe qytetarët e Edinburgut dhe Gllasgout konsiderohen reciprokisht superiorë ndaj tjetrit, dhe të dy palët mendojnë se janë shumë më të kulturuar se një londinez.
Cfarë ka ndodhur? Unë mendoj se në Skoci është përhapur një ndjenjë nacionaliste – dëshira për t’u kënaqur në atë qasjen mendore skoceze, ku konsiderohen superiorë ndaj anglezëve, më barazitistë, më të arsimuar, më moralë (një iluzion). Historia magjepsëse që ka rrëfyer Alex Salmond, udhëheqësi nacionalist, do të rezultojë e gabuar. Një histori e pavarur nuk do të bëhet e pasur krejt papritur, dhe ka shumë më tepër gjasa që të ketë pasoja të rënda ekonomike. Nëse referendumi do të sjellë pavarësinë, do të jetë një tragjedi për Skocinë dhe për Mbretërinë e Bashkuar, për Europën dhe për shembullin që Britania e Madhe ka ditur t’u japë popujve të ndryshëm që kanë jetuar dhe punuar bashkë. Dhe do i japë një impuls të fortë nacionalizmit kudo. Eshtë gjëja e fundit për të cilën kemi nevojë.
Përgatiti: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button