Psikologji

“Libra, jo kobure. Kulturë, jo dhunë”

E keni vënë re se sa shumë na mungon kultura në shoqërinë tonë? E keni vënë re që sa herë dilni nga shtëpia, dëgjoni kudo njerëz të shajnë me fjalë nga me banalet? E keni vënë re se sa të pakulturuar janë të rinjtë e sotëm? Ju duket normale kjo gjë? Sepse mua jo. Mua nuk më pëlqen të dëgjoj fjalë të tilla, nuk më pëlqen të shoh të rinj që nga agimi në perëndim qëndrojnë në lloto-baste, nuk më pëlqen të shoh prindër të rinj të qëllojnë fëmijën e tyre, pavarësisht gabimit që ai fëmijë mund të ketë bërë. Ka kaq shumë gjëra që nuk më pëlqejnë në shoqërinë tonë, saqë nuk do të përfundoja kurrë duke i listuar.

E gjitha vjen për shkak se ne jemi shoqëri që nuk lexojmë. Ne i mbyllim sytë përpara një teksti të shkruar gabim (që duam kohë për ta deshifruar, edhe pse mund të pretendohet nga pala tjetër se është shkruar në shqip), dhe mbyllim veshët përpara njerëzve që na flasin me fjalë jo të artikuluara saktë. Ne shkëmbejmë çdo gjë me njëri-tjetrin, përveç dijes. Jo sepse nuk duam, por sepse as vetë nuk kemi dije. Na ka pushtuar teknologjia dhe e kemi harruar edhe aromën e librave, jo më t’i marrim e t’i lexojmë ata.

Ku po shkojmë kështu? Drejt hiçit. Nuk mund të ketë shoqëri që të përparojë nga asgjëja dhe ne po shkojmë drejt regresit. Nëse kishte diçka që vërtet e ofronte sistemi komunist, ishte leximi e kultura (edhe pse e censuruar). Individi lexonte dhe e zgjeronte horizontin në atë kohë. Ndërsa sot, sot ne i biem gjoksit dhe buçasim me të madhe se kemi liri dhe është e drejta jonë të veprojmë si të duam. Kemi vepruar siç duam dhe kemi arritur në këtë gjendje.

Unë të ftoj ta lësh mënjanë telefonin, të marrësh një libër e të lexosh. Ne e dimë që dhuna na rreh së bashku me gjakun në deje që nga të parët tanë. Çështja është ta ndryshojmë këtë gjë dhe e vetmja mënyrë për të ndryshuar një mentalitet të tërë, është kultura. Ngulmo të përfitosh sa më shumë prej saj… / bota.al

Leave a Reply

Back to top button