Analiza

Lidershipi i BE dhe e ardhmja e “Trekëndëshit të Vajmarit”

Screen Shot 2016-02-13 at 18.32.08

Nga Josef Janning

Trekëndëshi i Vajmarit ndodhet në një gjendje të keqe këto ditë. Duket sikur bashkëpunimi ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Polonisë duhet të lëvizjë drejt një kujdesi intensiv, por trekëndëshi nuk e ka parë ende as edhe një mjek. Fakti është se të treja këndet e trekëndëshit, po e lërë njëri-tjetrin të rrëzohen. 

Gjermania, e preokupuar me përmasat e krizës së refugjatëve, është e detyruar të veprojë nën një presion të madh me pak hapësirë për kompromis apo kohë në dispozicion, dhe kundër kundërshtimit të fortë në mesin e qeverive të BE-së. Franca duket të jetë e paralizuar nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, dhe përpjekjet e saj në reformën stukturore për të nxitur  rritjen ekonomike, ndërkohë që të dyja kampet tradicionale politike, janë të frikësuara nga rritja në dukje pandalshme e Frontit Kombëtar. 

Më në lindje, qeveria e re nacional-konservatore e Polonisë, ka treguar tashmë se statusi i vendit si një anëtare e BE-së, nuk do të konsiderohet më si një angazhim apo parim qëndror. Ky grup trepalësh bashkëpunimi, i krijuar 25 vjet më parë nga ministrat e atëhershëm të Jashtëm Hans-Ditrish Gensher, Roland Dyma dhe Kristof Skubishevski, kishte për qëllim të simbolizonte thellësinë e pajtimit midis Gjermanisë dhe Polonisë, dhe për t’i siguruar kësaj të fundit rolin qendror në “Evropën e re”. 

Ajo ndërkaq u mendua të veprojë edhe si një tregues i hershëm i angazhimit të marrë nga Franca dhe Gjermania, për zgjerimine Bashkimin Evropian në Evropën Lindore, gjë që do të ndodhte pas disa vitesh. Për shumicën e 25 viteve të fundit, trekëndëshi ka qenë më shumë një strukturë simbolike, sesa një mekanizëm që përmbante ndonjëfarë pushteti. Me gjithë mungesën e dukeshme të pushtetit të drejtpërdrejtë, trekëndëshi ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjerimin e bilateralizmit franko-gjerman në Poloni, dhe ishte ndër shprehjet më të dukshme të perspektivës së zgjerimit.

Gjithësesi, momentet e veprimit dhe udhëheqjes së përbashkët qenë të rralla. Një rast i tillë ishte vendimi i marrë në vitin 2011 për të formuar “grupin e betejës së Vajmarit”, me seli në rrethinat e Parisit, të udhëhequr nga Polonia, dhe e ndërtuar rreth një bërthame forcash polake me përkrahjen e Gjermanisë dhe Francës. 

Ky hap qe vetëm një nga skemat e shumëllojshme të bashkëpunimit, në të cilat Polonia u angazhua në kuadër të anëtarësimit të saj në BE dhe NATO. Hapat e tjera drejt bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet forcave të armatosura polake dhe gjermane, ishin Trupat Shumëkombëshe të Verilindjes, me seli në Szeçin dhe e themeluar në vitin 1999 nga Polonia, Gjermania dhe Danimarka. 

Më së afërmi, Gjermania dhe Polonia njoftuan se do të ngrenë një batalion ushtrak nën komandën e njëri-tjetrit. Ndërsa e gjithë kjo mund të tingëllojë pozitive në letër, kur përfshin një pamje më të gjerë dhe krahasuese, është e qartë se bashkëpunimi polak me Gjermaninë mbetet i vakët në krahasim me bashkëpunimin e Gjermanisë me shtetet e tjera anëtare të BE-së. 

Për shembull, integrimi i forcave të mbrojtjes holandeze me Bundesvehrin gjerman shkon shumë më thellë se sa çdo gjë në të cilën është angazhuar deri më sot Polonia, ndonëse bashkëpunimi polako-gjerman në fushën e mbrojtjes është i një rëndësie më të madhe strategjike. Holanda vepron në aspektin ushtarak në kuadër të strukturat e përbashkëta me Gjermaninë, dhe vetëm kohët e fundit, të dyja vendet ranë dakord për të integruar batalionin detar gjerman (forcat speciale për operacionet në det dhe në tokë) plotësisht në marinën holandeze.

Në fushën e politikës, asimetritë midis partnerëve të Vajmarit janë edhe më të thella, dhe të mirëpërmbledhura në analizën e Kai-Olaf Leng dhe Daniela Shvarcer, në kuadër të 20-vjetorit të krjimit të grupimit. Palët qenë të ndara mbi luftën në Irak dhe aleanca u dëshmua si tërësisht jofunksionale kur shpërthyen polemikat mbi Traktatin e Lisbonës, sidomos për çështjen e peshimit të votave në Këshill. 

Kur Këshilli është i ndarë për një vendim të caktuar, Gjermania dhe Polonia shpesh e gjejnë veten në anët e kundërta të tavolinës. Ndërsa Berlini dhe Parisi zakonisht qëndrojnë së bashku, Varshava shpesh përfundon duke mos rënë dakord me ta. Në dritën e marrëdhënieve shumë të përmirësuara bilaterale mes Gjermanisë dhe Polonisë, për shkak të presidencës polake të BE-së, rastet për një konsensus më të thellë në mes të dy vendeve mbi çështjet e vështira, kanë qenë të pakta dhe largëta në kohë nga njëra-tjetra. 

Pavarësisht nga qëllimet më të mira, gjatë trazirave në sheshin Maidan të kryeqytetit ukrasinas Kiev, Holond dhe Merkel morën rolin drejtues, ndërsa roli i Polonisë u venit në sfond. Në kundërshtim me përkufizimin, Trekëndëshi i Vajmarit ka qenë në thelb një aleancë franko-gjermane, e përqëndruar në Gjermani. 

Lidhja më e dobët ka qenë dhe vazhdon të jetë ajo e marrëdhënieve franko-polake. Dikur me transformimin drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut, shpresat polake për një marrëdhënie më të ngushtë me Francën ishin të mëdha, jo vetëm për shkak se Parisi kishte siguruar rolin e Varshavës në lagjen e saj evropiane, por edhe për një prirje të përbashkët intelektuale. 

“Mendimtarët e lirë” polakë u ndjenë të bashkangjitur në traditën franceze të lirisë dhe trashëgimisë së saj revolucionare. Në Francë, Vajmari është parë gjithnjë si një garantues i interesave apo shqetësime të saj. Qëllimi i presidentëve dhe ministrave të jashtëm, ka qenë të parandalonin zhvillimin e çdo forme të bilateralizmit konkurrues, që mund të degradonte aleancën franko-gjermane. 

Megjithatë, Parisi nuk ka patur kurrë ndonjë interes të vërtetë për marrëdhëniet më të ngushta me Poloninë, apo një transformim të motorit dypalësh në një motor me tre cilindra. Këtu pra qëndron Trekëndëshi i Vajmarit në fillim të vitit 2016:Në Paris, qeveria e re polake shihet përmes prizmit të problemeve të brendshme me Marin Lë Penin e Frontit Kombëtar. 

Për rrjedhojë, indiferenca ndaj formatit trepalësh është thelluar, teksa ndryshojnë interesat politike. Në Berlin, qeveria gjermane sheh t’i reduktohen mekanizmat e saj në BE kur çështjet e Bruselit e vendosin në një provë edhe më të madhe. E etiketuar si “Franca e re” për Gjermaninë në Evropë, ethet polake në Berlin tashmë kanë kaluar. Ndaj nuk është çudi që një trekëndësh me dy drejtime nuk ka asnjë kuptim, dhe bilateralizmit të dyfishtë mes Parisit dhe Varshavës, i mungon besueshmëria për t’u kualifikuar si një mjet të besueshëm i udhëheqjes. 

Në Varshavë, fotografitë janë retushuar. Në një fjalim të rëndësishëm në parlamentin polak në 29 janar të këtij viti, ministri i Jashtëm Vitold Vazhikovski e etiketoi Mbretërinë e Bashkuar si partnerin më të afërt në mendësi të Polonisë mbi çështjet evropiane dhe të sigurisë. Gjermania, Franca dhe Trekëndëshi i Vajmarit, nuk zinin aspak një vend të dukshëm.

Për momentin, Trekëndëshi i Vajmarit është kthyer në statusin e “bukuroshes së fjetur”. Zgjedhjet në Gjermani dhe në Francë në vitin 2017, mund t’i japin ‘puthjen e jetës’ për të cilën ka nevojë marrëdhënia, por kjo ndërkaq duket e pamundur. Dobësia e Trekëndëshit i shtohet fragmentimit politik që është duke vuajtur BE-ja. Solidariteti dhe bashkëpunimi simbolik, nuk është i mjaftueshëm përballë krizave aktuale. 

Apelet për kohezion të mëtejshëm, si ajo e lëshuar nga gjashtë shtetet anëtare themeluese, mund të shërbejë për të kamufluar disi situatën, por s’mund të ofrojnë zgjidhjet e nevojshme praktike. Përgjatë historinë së tij 25-vjeçare, Trekëndëshi i Vajmarit nuk ka arritur të funksionojë si një grupim i fortë dhe i ndërvarur, që është i aftë të përballojnë ciklet politike kombëtare dhe ruajë një nivel të qëndrueshëm qëllimesh në mesin e klasave politike të të treja vendeve. 

Duket e qartë se këto tre vende të ndryshme, duan ende tre gjëra tepër të ndryshme nga Trekëndëshi. Vajmari është qyteti si Gëtes por edhe Shilerit, titanët e poezisë gjermane,  qëkaluan një pjesë të jetës së tyre; është kryeqyteti në mbretërinë e fiksionit. Në këtë kuptim, Vajmari bart një emër të duhur.

“E.C.F.A” – Në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button