Analiza

Fundi i kapitalizmit? Lidhja me demokracinë është prishur

Nëqoftëse kapitalizmi u eksportua nëpër botë, vlerat që ai përçonte kanë humbur rrugës. Konstatimi i një filozofi të famshëm

Slavoj Zizek

Screen Shot 2015-03-11 at 09.15.11

Slavoj Zizek

Brenda një shekulli, ndofta do të ngrejnë monumente në nderim të Lee Kuan Yew. Do të kujtohen për atë jo vetëm si kryeministri i parë i Singaporit, por gjithashtu si themeluesi i kapitalizmit autoritar. Sepse ishte në Singapor që Ten Siaopini shkoi për vizitë, para se të vinte në zbatim reformat e tij të mëdha ekonomike në Kinë.

Atje ku kapitalizmi dhe demokracia dukeshin të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme, sot lidhja është prishur. Dëgjojmë shpesh të thuhet se Perëndimi nuk pati sukses që të eksportonte qytetërimin e tij në pjesën tjetër të botës. Kjo është e vërtetë vetëm pjesërisht. Nuk ëndërrohet më tashmë një demokraci liberale botërore, që shënon fundin e historisë. Por modelet ekonomike janë provuar më të eksportueshme se sa idetë politike, dhe kapitalizmi ka triumfuar. Vendet e varfëra të cilat e kanë e miratuar atë, njohin një rritje shumë të shpejtë. Ekonomia e tregut nuk ka asnjë vështirësi për të asimiluar besimet fetare, kulturat apo traditat lokale. Ajo akomodon me lehtësi sundimin e një shteti autoritar. Duke mos qenë më e lidhur me vlerat kulturore të Perëndimit, mund të themi se ajo është prerë.

Të interpretuara sërish nën një dritë më kritike, një numër konceptesh dikur të shtrenjta për perëndimorët – barazia, të drejtat themelore, një shtet social bujar dhe universal – mund të jenë përdorur si armët kundër kapitalizmit.

Vazhdimësia e traditave

Jo se sipërmarrja e lirë shtyn në mënyrë sistematike partizanët e saj drejt ndjekjes ekskluzive të një kënaqësie hedoniste. India për shëmbull, e cila është angazhuar me vendosmëri në rrugën kapitaliste, nuk ka refuzuar strukturat sociale tradicionale. Njerëzit vazhdojnë të mbajnë lidhjet komunitare para përmbushjes personale dhe respekti i të rriturve është gjithmonë një kundërpeshë e fuqishme për autonominë e të rinjve. Disa shohin në vazhdimësinë e këtyre traditave, një formë rezistence të kapitalizmit botëror. Ata gënjehen. Në mënyrë paradoksale, besnikëria ndaj këtyre vlerave është arsyeja për të cilën logjika e vështirë e kapitalizmit është ende e pranuar më mirë në vënde si Kina, Singapori dhe India, se sa ajo ishte e pranuar në Perëndim.

Tregu është një hapësirë e pamëshirëshme, ku merr goditje shumë të forta. Situata është me vështirësi e tolerueshme, nëse gjithshka që ne na ofrohet në këmbim është mundësia për të kënaqur kapriçiot tona. Ajo është më e lehtë për ta mbajtur në qoftë se ne mund të mbështetemi në vlerat tradicionale, për të justifikuar në terma etike indiferencën për fatin e të tjerëve. “Unë e kam bërë atë për prindërit e mi”, apo “Unë kam ndihmuar që kushërinjtë e mi të mund të bëjnë studime”, janë justifikime shumë më të pranueshme, se sa: “Unë e kam bërë atë për veten time”.

Liria e papërsosur
Nëse liria është një bazë e brishtë e kapitalizmit në Perëndim, kjo nuk është pa arsye: ky është një koncept bosh. Ajo mbijeton, por nën një formë të ndryshuar. Zgjedhja e lirë është ngritur në një vlerë supreme, kufizimet e imponuara nga shoqëria nuk mund ta cënojnë atë. Por ndodh shpesh që marrëveshja midis dy koncepteve të jetë veçse retorike. Kur shpresa e një pune afatgjatë humbet, ne na flasin për një treg pune “fleksibël”, që ofron mundësi për t’u rikrijuar vazhdimisht. Kur pensionet zhduken, neve na japin lirinë për të planifikuar ditët tona të pleqërisë. Ne jemi në vazhdimësi të detyruar të bëjmë zgjedhje të “lira”, vendime që duhet t’i marrim vetë, edhe se ne nuk jemi mjaft të informuar për t’i bërë ato me mençuri.

Nëqoftëse kjo është liria, atëherë kjo është një barrë.
Shumë perëndimorë kanë ndjesinë se ka diçka jo të përsosur në këtë liri. E ndjejnë atë sidomos përpara zgjedhjeve të popullsisë që nuk janë të lirë, por që nuk e marrin më pak kontrollin e fatit të tyre. Ajo që ishte interesante tek manifestuesit e Maïdanit, që kërkonin një regjim të ri politik për Ukrainën, nuk ishte se ata luftonin për vegimin e mënyrës së jetesës evropiane, por ata thjesht luftonin. Ata vepruan. Ata bënë që gjërat të ndodhnin. Ata nuk ishin të lirë, por ata kishin një fuqi veprimi që perëndimorët, megjithë lirinë e tyre, nuk e kanë. /Financial Times/

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button