Histori

Lindja e Mesme dhe Perëndimi, një histori e trazuar (3): Evropa ndan me thikë Lindjen e Mesme

Screen Shot 2016-08-26 at 16.04.57Hyrja e Napoleonit në Egjipt në vitin 1798, në mes të Revolucionit Francez, nisi një seri të gjatë aventurash evropiane në Lindjen e Mesme, duke çuar drejt kolonizimit, rezistencës, dhe më pas, luftës. Me kalimin e kohës, britanikët morën Egjiptin, Sudanin dhe shtetet e vogla të Gjirit Persik. Franca do të merrte Algjerinë dhe Marokun. Dhe rezistenca e arabëve ndaj ardhjes së evropianëve, do të shkaktonte shumë dhunë dhe gjakderdhje …

Përpjekja e Napoleonit për të pushtuar Egjiptin “kishte pak të bënte me Egjiptin dhe egjiptianët, të cilët atëherë ishin formalisht pjesë e Perandorisë Osmane”, thotë Shuster. “Ajo kishte të bënte me Evropën dhe rivalitetin e tij me fuqitë e tjera të mëdha të Evropës”. Ushtritë që mbronin Egjiptin nuk ishin asgjë përballë trupave të disiplinuara franceze të Napoleonit, dhe humbja ishte një goditje e madhe për botën arabe. “Ajo kishte efekte që do të zgjasnin”, thotë Rashid Khalidi, profesor i historisë së Lindjes së Mesme në Universitetin e Kolumbias. “Ndër të tjera tronditi njerëzit në Egjipt, në botën arabe, e cila papritmas kuptoi se sa të dobët ishin shtetet e tyre, kur përballeshin me flotat dhe ushtritë e fuqive perëndimore”. Por flota britanike shpejt u bashkua në betejë, duke iu kundërvënë forcave franceze, dhe ajo rezultoi një kundërshtar shumë më i fortë. Napoleoni u mund dhe u largua shpejt nga Egjipti, edhe pse disa prej trupave të tij mbetën aty.

Rezistenca ndaj francezëve në Algjeri dhe britanikëve në Sudan, ishin shenjat e para të nacionalizmit arab, një lëvizje e cila do të përfshinte të gjithë botën arabe në kohët moderne. Sidoqoftë, në fillim të shekullit 20, pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme dhe Afrikës – që më parë kishin qenë nën kontrollin e Perandoroisë Otomane – sundohej nga evropianët.

FIGURAT KRYESORE

Napoleon Bonaparti

I lindur në KOrsikë në 1769. Vdiq në Shën Helenë në 1821. Perandor i Francës, nga viti 1804 deri në vitin 1815. Një prej figurave më të lartësuara dhe njëkohësisht të urryera të historisë, ai ishte gjenerali i parë i ushtrisë së Francës republikane. Napoleoni nisi një sulm ndaj Egjiptit në vitin 1768, por shumë shpejt u mund prej forcave detare britanike që udhëhiqeshin nga Lordi Nelson. Napoleoni kreu një tërheqje të nxituar për në Francë, por pushtimi i tij jetëshkurtër i tokës arabe i hapi rrugë një shekulli me “ndarje me thikë” të atyre tokave nga ana e evropianëve. Ai u bë lideri suprem i Francës në vitin 1799 dhe u kurorëzua perandor në vitin 1804. Napoleoni pushtoi Rusinë në vitin 1812 dhe pësoi një humbje të rëndë. Hoqi dorë nga froni në vitin 1814, por u kthye nga mërgimi në ishullin e Elbës në vitin 1815. Në fund u mund në Vaterlo, në vitin 1815, dhe u internua në Shën Helenë, në bregun perëndimor të Afrikës, ku edhe vdiq.

Ferdinand de Lesseps

Inxhinier francez (1805-1894). Si diplomat francez i caktuar në Aleksandri, Egjipt, ai ishte i pari që konsideroi ndërtimin e një kanali nga Mesdheu në Detin e Kuq, nëpër istmit të Suezit. Ai ishte në gjendje që të siguronte mbështetje politike dhe financiare për këtë projekt, nëpërmjet miqësive me kedivët e Egjiptit dhe Perandoreshën e Francës. De Lesseps fitoi lejën për ndërtimin e kanalit në vitin 1854, dhe ai u përfundua dhe u hap në vitin 1869. Më tej ai shkoi të ndërtojë Kanalin e Panamasë, por nënvlerësoi kostot e projektit, problemet inxhinierike dhe vështirësitë e punës në xhunglën e Amerikës Qendrore. Kompania e tij falimentoi dhe ai ishte implikuar në një skandal financiar.

Charles Gordon

Gjeneral britanik (1833-1885). Ka shërbyer në ushtrinë britanike gjatë Luftës së Krimesë dhe më pas në Kinë. Ai hyri në shërbim të kedivëve të Egjiptit dhe ka shërbyer si administrator i Sudanit, nga 1874 në 1880. Gordon u kthye në Sudan në vitin 1884 me një mision për të shuar një konflikt lokal, të njohur si Kryengritja e Mehdiut, një lëvizje islamike që i rezistonte kontrollit britanik. Duke nënvlerësuar forcën e kundërshtarit të tij, Gordoni nuk pranoi të tërhiqet nga Khartumi dhe e gjeti veten të rrethuar. Pas një rrethimi 10 mujor, Gordoni dhe shumë nga njerëzit e tij u masakruan. Britania e mposhti revoltën e Mehdive pas 14 vjetësh. (Fundi i pjesës së tretë)

Lexo edhe: Pjesa e Parë: Kryqëzatat, 2 shekuj luftë (kliko këtu)

Lexo edhe: Pjesa e Dytë: Ngjitja e otomanëve (kliko ketu)

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button